Politike

Çështja e 'McGonigal', Meta: Kryeministri ka shkelur Kushtetutën, korruptoi zyrtarët e huaj për të minuar demokracinë

Kreu i PL u bën thirrje deputetëve të PS që të mos sillen si kukulla për të mbuluar skandalet e Ramës.

27 Janar 2023, 09:58 Nga A.B
Çështja e 'McGonigal', Meta: Kryeministri ka shkelur
Ilir Meta

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për skandalin “MC Gonigal”, lidhur me ish-zyrtarin e FBI të arrestuar në SHBA, i cili akuzohet ndër të tjera se ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë dhe ka zhvilluar takime të fshehta me kryeministrin Edi Rama. Meta deklaron se Rama ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit e duke përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.

Kreu i PL u bën thirrje deputetëve që të mos sillen si kukulla për të mbuluar skandalet e Ramës. Meta i këshillon që të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. 

REAGIMI I METËS:

Përdorimi i McGonigal në mënyrë të paligjshme dhe korruptive nga Edi Rama në postin e Kryeministrit të Shqipërisë kundër opozitës dhe kundërshtarëve të tij politikë është shumë flagrant. Ndaj hetimi i kësaj çështje nga SHBA është shumë i rëndësishëm për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë. Edhe më i domosdoshëm është hetimi i veprimeve antikushtetuese, të paligjshme dhe mafioze nga Edi Rama, i cili e përdhosi zyrën e Kryeministrit duke joshur e korruptuar zyrtarë të lartë të huaj për të porositur investigime ndaj kundërshtarëve politikë me qëllim shkatërrimin e pluralizmit politik dhe instalimin e plotë të narkoshtetit dhe kleptokracisë. Edi Rama nuk është vetëm në konflikt interesi me detyrën e Kryeministrit por ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit duke shfrytëzuar postin e Kryeministrit dhe përdorur korrupsionin ndaj zyrtarëve të huaj për të minuar demokracinë dhe pluralizmin politik në vend.

Bllokimi i komisionit hetimor parlamentar është një përpjekje e pashpresë për të relativizuar këtë komplot të tij kundër demokracisë dhe pluralizmit politik. U bëj thirrje deputetëve të mos sillen më si kukulla për të mbuluar skandalet e Edi Ramës por të shpëtojnë dinjitetin e tyre duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e "Ramagate" në vendin tonë dhe vendosjen para ligjit të kësaj bande manipulatorësh! Ja dhe zyrtarët “antikorrupsion” që u kthyen në ortakë të regjimit më të korruptuar në Europë dhe u përdorën kundër opozitës dhe demokracisë në Shqipëri!

Vetëm tre ditë më parë u publikua dosja e plotë dhe aktakuza me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI./Dosja.al

arrestohet charles mcgonigal charles mcgonigal edi rama ilir meta

Sondazh

Poll