Politike

Zgjedhjet vendore, Tabaku: Të bëjmë çdo përpjekje për bashkim. S'jam më pak demokrate se të tjerët se mendoj ndryshe

Jorida Tabaku komentoi situatën në PD, duke theksuar se i duket papërgjegjshmëri që një situatë e tillë të vazhdojë për një vit e gjysmë.

19 Janar 2023, 21:05 Nga k.m.
Zgjedhjet vendore, Tabaku: Të bëjmë çdo përpjekje
Jorida Tabaku

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi se për zgjedhjet vendore të 14 majit, Partia Demokratike duhet të bëjë çdo përpjekje për të qenë e bashkuar. Në një intervistë për emisionin “Debat”, Jorida Tabaku komentoi situatën në PD, duke theksuar se i duket papërgjegjshmëri që një situatë e tillë të vazhdojë për një vit e gjysmë.

“Nuk e di se çfarë duhet bërë tani që, pa ndryshuar parimet tona, të bëjmë çdo përpjekje që të jemi bashkë. Copëzimi i PD-së nuk ndihmon në zgjedhje. Mekanizmi gjendet nëse është vullneti politik. Gjërat që na kanë ndarë, vazhdojnë të na ndajnë. Unë mendoj që PD-ja duhet t’i shkojë njerëzve jo me sharje, por me alternativë. PD-ja duhet të reformohet, t’i drejtohet të gjithë shoqërisë me një ofertë të gjerë dhe kjo nuk po ndodh,”-shtoi deputetja demokrate.

Po ashtu, ndër të tjera, Tabaku tha se ajo vetë ka preferuar që t'i lërë të gjithë të flasin pro edhe kundër, por shtoi se sipas saj e gjitha kjo është papjekuri politike. 

“Njerëzit më thonë se nuk e kuptojnë fare se çfarë ndodh në 3 orët e para të Parlamentit sepse bllokohet foltorja. E dyta, nuk ka njeri sot më të kënaqur në Parlament nga debati dhe sherri në PD sesa mazhoranca. Në momentin e parë që kanë mundësi, ata e përmendin këtë. Unë e shikoj të pakonceptueshme që një politikan me eksperiencë të nisë fjalime të tipit besëprerë, i shitur, e me radhë, që nuk i ofrojnë asgjë njerëzve. Më duket papërgjegjshmëri që një situatë e tillë të vazhdojë për një vit e gjysmë, të përdoret Parlamenti për një sherr që është për karriget tona. Unë kam preferuar që t’i lë njerëzit të shprehin mllefin, kemi treguar papjekuri politike. Besoj që PD-në duhet ta kishin bashkuar kauzat me kohë. Ne mund të mendojmë ndryshe, por kjo nuk më bën më pak demokrate se të tjerët që janë në anën tjetër, apo të shitur”, tha Tabaku.

 

jorida tabaku

Sondazh

Poll