Politike

Avokati i Popullit/ Balla: S'është ekskluzivtet i Opozitës, u japim votat në këmbim të kalimit të Amnistisë Fiskale (PAZARI)

Ai la të kuptohej dhe se mes tyre mund të bëhet një 'pazar', që maxhoranca të japë votat për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, në këmbim të mbështetjes për Amnistinë Fiskale. 

16 Janar 2023, 11:56 Nga F.M
Avokati i Popullit/ Balla: S'është ekskluzivtet i Opozitës,
Taulant Balla

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur në lidhje me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së grupit në selinë rozë, Balla tha se Opozita nuk respekton asnjë prej kandidatëve. Referuar propozimeve të bëra nga Opozita, Balla u shpreh se në krye të këtij institucioni, nuk duhet një jurist partie. Por, ai la të kuptohej dhe se mes tyre mund të bëhet një 'pazar', që maxhoranca të japë votat për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, në këmbim të mbështetjes për Amnistinë Fiskale. 

Pjesë nga fjala e Taulant Ballës: 

Opozita nuk ka ekskluzivitetin për të emëruar Avokatin e Popullit por opozita ka të drejtën e propozimit dhe në bazë të propozimit të tyre ne duhet të shprehemi me votë. Në seancën e 22 dhjetorit opozita e bojkotoi procesin e votimit mbi një pretendim që rezultoi të ishte i paqetë që lidhet me një votim tjetër dhe kjo rezulton se opozita nuk respekton as kandidatët që sjell vet. Na duhet një Avokat Populli jo avokat partie. Avokati i Popullit kërkon 84 vota. As ne nuk i kemi votat për ta zgjedhur e sikurse do dialogojmë për të siguruar mbështetjen për ligjin për Amistinë Fiskale e njëjta duhet të ndodhë dhe nga krahu tjetër për të siguruar votat për Avokatin e Popullit. Kuvendi i Shqipërisë i ka votat për të miratuar çdo ligj, ka votat për të miratuar ligjet që kërkojnë 3/5 apo ka votat që kërkojnë 2/3 që është miratimi për ndryshimin e Kushtetutës. Dhe mendoj që nuk është korrekte që unë të shprehem sot pasi deputetët e opozitës nuk e kanë lexuar ligjin për amnestinë fiskale dhe mendoj që çdo deputet duhet të votojë sipas asaj që mendon dhe për atë që i bën mirë vendit dhe ligji për amnestinë fiskale i bën mirë ekonomisë së vendit dhe mendoj që mbi çdo lloj vendimi politik të marrë nga pjesë të caktuara të opozitës, ajo që është e rëndësishme është nevoja që ka sot Shqipëria, ekonomia e Shqipërisë për të miratuar ligje të tilla. Kështu që në këtë aspekt mos u nxitoni në konstatimin tuaj të kahershëm sepse nuk janë votat. Ligji për amnestinë nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar sepse nuk e lejon kushtetuta,"- u shpreh ndër të tjera Balla.

Kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme grupin e Partisë Socialiste. Ky takim vjen vetëm pak orë para mbledhjes së Kuvendit të Shqipërisë që nis sot sesionin e ri parlamentar. Mësohet se i pranishëm në mbledhje ishte edhe deputeti Agron Çela, i cili i është bashkuar së fundmi PS-së pasi la Partinë e Lirisë. Në mbledhje u diskutuan edhe objektivat me strukturat vendore për 14 majin, si edhe qëndrimi me opozitën. Në fokus ishte edhe performanca e ministrave dhe deputetëve në aktivitetin parlamentar, ku deri më tani, mësohet se ë lavdëruar Elisa Spiropali, ndërsa në optikën kritike, ishte Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.

taulant balla rama mbledh grupin 16 janar 2023

Sondazh

Poll