Politike

Çështja “babale”, shtyhet gjyqi ndaj Ervin Salianjit, deputeti paraqitet në Gjykatë për ditëlindje

Dita dhe ora e seancës së ardhshme nuk është caktuar ende. 

16 Janar 2023, 10:10 Nga F.M
Çështja “babale”, shtyhet gjyqi ndaj Ervin Salianjit,
Ervin Salianji

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është paraqitur në Gjykatë ditën e sotme në kuadër të vijimit të gjyqit për dosjen 'Babale', por sot ka edhe ditëlindjen. Gjithsesi, seanca është shtyrë sërish. Shkak është bërë mungesa e trupës gjykuese, pasi një prej anëtarëve nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme. Dita dhe ora e seancës së ardhshme nuk është caktuar ende. 

"Sot më datë 16.01.2023 ora 13:30, është planifikuar seanca gjyqësore e çështjes penale ndaj të pandehurit Ervin Salianji. Ju komunikojmë se dhe sot për arsye objektive një nga anetarët e trupit gjykues nuk do të jetë i pranishëm. Ne kushtet e mësipërme, seanca gjyqësore nuk do të mund të zhvillohet. Dita dhe ora e seancës së ardhshme do të komunikohet sapo të caktohet,"- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Kjo është hera e shtatë që shtyhet gjyqi. Herën e kaluar, seanca ishte planifikuar të zhvillohej më 19 dhjetor, por mos formimi i trupit gjykues, bëri që seanca të shtyhej. 

Gjykata Penale ka dënuar me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”. Bashkë me Salianjin u dënuan edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Fredi Alizoti, (i njohur si kunati i Babales), u dënua me 2 vite burg për kallëzim të rremë, Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “Babalja” u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 5 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet.

Ç’është dosja Babale

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”. Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.

ervin salianji

Sondazh

Poll