Bota

Ku është Kamala Harris?

Emërimi i Kamala Harris në postin e zëvendëspresidentit të SHBA-së u quajt një "vendim historik" - Që atëherë, politikania u zhduk. Pse?

6 Janar 2023, 20:44 Nga k.m.
Ku është Kamala Harris?
Kamala Harris

SHBA- Ajo është gruaja e parë nënkryetare e SHBA-së, si dhe gruaja e parë me origjinë aziatike, që zë një post kaq të lartë. Betimi i 56-vjeçares Kamala Harris në zyrën e zëvendëspresidentit në janar 2021 u përshkrua si një "zhvillim historik". Vetë Shtëpia e Bardhë foli për një "administratë Biden-Harris" në mediat sociale dhe vendosi emrin e zv/presidentes, për të nënvizuar rolin e saj të veçantë.

Megjithatë, brenda pak muajsh ekzaltimi filloi t'i linte vendin reflektimit mbi fuqitë dhe aftësitë e Kamala Harris. Informacionet nga Uashingtoni flasin për një sërë dorëheqjesh në stafin e saj dhe për "sjellje të lodhshme" të një zëvendëspresidente që po përpiqej të ruante kompetencat e saj.

CNN raporton se "fillimi zhgënjyes" i Kamala Harris po shkakton "mosfunksionime" apo edhe "dëshpërim". Faqja e internetit "Hill" vëren se zëvendëspresidentja e ri pothuajse nuk shfaqet kurrë vetëm në një intervistë, madje as në një konferencë shtypi të organizuar. Nuk mund të përmbushë misionin e saj apo nuk po i lejohet të përmbushë misionin e saj?

Amy Dacey, ish-kreu i Komitetit Kombëtar Demokratik (DNC) thotë se Kamala Harris nuk po bën asgjë. Siç tregon ai për DW, “është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se përgjegjësitë e nënpresidentit janë të përcaktuara me Kushtetutë. Përgjegjësia e saj kryesore është të zëvendësojë presidentin në rast se ai nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij. Për më tepër, nënkryetari është kreu i Senatit, e kjo është një përgjegjësi e madhe, veçanërisht në një Senat kaq të ndarë sa ky i sotëm. Në analizë përfundimtare është përgjegjësi e presidentit të caktojë portofolin e zëvendëspresidentit, ndaj ka dallime mes nënkryetarëve, në varësi të prioriteteve të presidentit përkatës...”

I dukshëm ishte fjalimi i saj në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Mynih në janar 2022, i cili kujtoi politikën e Biden për të mbështetur Ukrainën. Në nëntor, gjatë një vizite në Filipine, Kamala Harris e bëri të qartë se SHBA do të mbështeste aleatin e saj tradicional kundër Kinës.

“Presidenti i Shteteve të Bashkuara është gjithmonë në qendër të vëmendjes, në fund të fundit, ai është lideri i botës së lirë”,- thekson Amy Dacey.

“Por edhe nënkryetari ka një orar shumë të ngjeshur. Ai bën gjëra, të cilat mund të mos gjejnë vend në vijën e parë të publicitetit dhe titujt e parë të transmetimeve të lajmeve, por kjo nuk do të thotë se nuk punon çdo ditë...”

Popullore... jashtë SHBA

E çuditshmja është se, ndërkohë që në fund të vitit 2021 popullariteti i Kamala Harris brenda kufijve nuk i kalonte 28% (përqindje 10 pikë më e ulët se ajo e Presidentit Biden), jashtë vendit zv.presidentja e SHBA-së po fiton simpati. Sipas një sondazhi të fundit nga Pew Research Center, 55% e të anketuarve në 18 vende të botës shprehin një opinion pozitiv për Kamala Harris. Politikanë si Joe Biden, por edhe presidenti francez Emmanuel Macron apo kancelari Olaf Soltz shënojnë përqindje të ngjashme.

Një shpjegim për vlerësimet e ulëta të miratimit brenda kufirit mund të jetë se Biden i ka dhënë asaj gjithashtu "pataten e nxehtë" të politikës së imigracionit. Në qershor 2021, Kamala Harris ishte në Guatemalë dhe Meksikë, për të deklaruar se dëshiron të trajtojë "shkaqet e vërteta të emigracionit", por edhe për të dekurajuar emigrantët nga Amerika Qendrore që të tentojnë udhëtimin e rrezikshëm drejt SHBA-ve nëpërmjet Meksikës.

"Mos ejani", tha ajo troç në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Guatemalës, duke nxitur zyrtarët demokratët të shprehin "zhgënjimin" e tyre, ndërsa republikanët e kritikuan atë se nuk "guxoi" të vizitonte kufirin e SHBA-së me Meksikën.

kamala harris

Sondazh

Poll