Bota

Lula e mundi në zgjedhje/ Jair Bolsonaro shkatërroi pallatin presidencial të Brazilit, veprat e artit i nxorri në diell, tavani pikon ujë. Tani do azil nga Italia

Një nga korrespondentet kryesore politike të rrjetit, Natuza Nery, bëri një turne në Palácio da Alvorada (Pallati i Agimit) me zonjën e re të parë të Brazilit, Rosângela Lula da Silva, dhe nuk mbeti e impresionuar me atë që pa.

6 Janar 2023, 20:09 Nga k.m.

 

Lula e mundi në zgjedhje/ Jair Bolsonaro shkatërroi pallatin
Foto ilustruese

 

BRAZIL- Shkatërrimi i Amazonës nga Jair Bolsonaro e bëri atë një të dëbuar global – por aktet e tij të përdhosjes nuk u kufizuan vetëm në pyjet e shiut. Një raport nga transmetuesi brazilian "GloboNews" pretendon se edhe rezidenca zyrtare presidenciale – një kryevepër e viteve 1950 nga arkitekti Oscar Niemeyer – u ndot nga politikani i ekstremit të djathtë gjatë 4 viteve të tij në pushtet. Një nga korrespondentet kryesore politike të rrjetit, Natuza Nery, bëri një turne në Palácio da Alvorada (Pallati i Agimit) me zonjën e re të parë të Brazilit, Rosângela Lula da Silva, dhe nuk mbeti e impresionuar me atë që pa.

"Gjendja e përgjithshme e ndërtesës, e cila është më ikonike e Brasília ... nuk është e mirë ... dhe do të kërkojë shumë riparime,"- tha Nery, të cilit iu shfaqën qilima dhe divane të grisura, tavane që rrjedhin, dritare të thyera dhe vepra arti të dëmtuara nga dielli.

Një sixhade nga Emiliano Di Cavalcanti, një nga artistët më të famshëm të Brazilit të shekullit të 20-të, ishte dëmtuar pasi ishte hequr nga biblioteka dhe ishte varur në diell. Nery tha se disa vepra arti ishin zhdukur fare nga pallati, i cili u përfundua në vitin 1958, dy vjet përpara se kryeqyteti i ndërtuar me qëllim i Brazilit të inaugurohej nga presidenti i atëhershëm, Juscelino Kubitschek.

Zonja e parë, e cila njihet gjerësisht si Janja, tha se ishte ndjerë “më tepër e zhgënjyer” dhe “e tronditur” nga gjendja e rrënuar e shtëpisë së saj të re. Një kaktus brazilian i mbjellë nga bashkëshorti i saj, Luiz Inácio Lula da Silva, gjatë presidencës së tij 2003-10 ishte shkulur.

Bolsonaro, i cili braktisi Brasílian në prag të betimit të Lulës të dielën e kaluar, duket se nuk ka gjasa të kthehet së Brazil. Ai është në Florida dhe thuhet se i frikësohet ndjekjes penale për krimet, përfshirë përgjigjen e tij anti-shkencore ndaj pandemisë anti-COVID që vrau afro 700,000 njerëz në vendin e tij. Një raport në revistën braziliane Istoé këtë javë pretendonte se ish-presidenti po i bënte presion qeverisë italiane që t'i jepte nënshtetësinë familjes së tij dhe shpresonte të shkonte atje pas një qëndrimi në SHBA për të shmangur burgun. Bolsonaro thuhet se besonte se autoritetet braziliane nuk do të ishin në gjendje ta ekstradonin atë nga Italia, nga ku stërgjyshi i tij Vittorio Bolzonaro emigroi në fund të shekullit të 19-të drejt Brazilit./TheGuardian

Sondazh

Poll