Politike

‘Flaku’ mikrofonat, Bardhi: Kërkojnë masë disiplinore për mua, mu hoq e drejta e fjalës, Portin e Durrësit s’e manipuloni dot si dosjen ‘Xibraka’

Deputeti i PD-së shton se reagimi i tij ka ardhur pasi i është hequr e drejta Opozitës për të folur në Komision për Portin e Durrësi, projekt që e konsideron një aferë korruptive.

16 Nëntor 2022, 20:37 Nga F.M
‘Flaku’ mikrofonat, Bardhi: Kërkojnë masë disiplinore
Gazment Bardhi dhe Klotilda Bushka

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar një ditë pas ‘shpërthimit’ të tij në Komisionin e Ligjeve ku ‘flaku’ mikrofonat e dokumentet. Në një postim në Facebook, krah pamjeve të përplasjes me kryetaren e Komisionit, Klotilda Bushka, Bardhi shkruan se është kërkuar marrje e masës disiplinore ndaj tij, pas këtij reagimi. Deputeti i PD-së shton se reagimi i tij ka ardhur pasi i është hequr e drejta Opozitës për të folur në Komision për Portin e Durrësi, projekt që e konsideron një aferë korruptive.

Postimi i Bardhit:

Vullnetarët e Edvinit paskan kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj meje se paskam reaguar pse opozitës i hiqet e drejta kushtetuese për të folur në Komision ndaj aferës korruptive të Portit të Durrësit. Çdo deputet ka të drejtën të diskutojë për një projektligj dhe mohimi i kësaj të drejte është shkelje flagrante e Rregullores! Vetëm në regjimin korruptiv të Edi Ramës ndodh që deputetëve tu mohohet e drejta e fjalës dhe më pas ato të mbajnë përgjegjësi pse reagojnë ndaj shkeljes së Rregullores.  2.1 miliard euro të korrupsionit qeveritar që Edi Rama dhe vullnetarët e tij synojnë të pastrojnë në projektin e portit të Durrësit nuk fshihen dot as me masa disiplinore dhe as me heqjen e të drejtës së fjalës në Komision. Faktet e kësaj afere korruptive kanë dalë e do dalin në dritë çdo ditë. Përgjegjësia për këtë nuk është disiplinore, por penale! Faktet nuk i fsheh dhe nuk i manipulon dot as një Olsi për llogari të një Olsi, siç u bë me dosjen “Xibraka”!

Çfarë ndodhi në Komision?

Komisioni i Ligjeve u mbyll me sherr! Pas debateve të njëpasnjëshme, kryetarja e Komisionit Klotilda Bushka kaloi për votim projektiligjin për Portin e Durrësit. Fillimisht, ajo tha se shteti nuk do të nxjerrë asnjë para nga buxheti i saj për këtë projekt, duke i konsideruar mashtrime deklaratat e Opozitës. Por kjo deklaratë, revoltoi deputetin e Partisë Demokratike Gazment Bardhi, i cili i tha Bushkës se po gënjente për gjithçka në lidhje me investimin. Por, Bushka e ndërpreu debatin dhe vijoi me votimin. Në momentin që debati u përmbyll, Bardhi nisi të hidhte mikrofonat dhe të përplaste dosjet. 

gazment bardhi klotilda bushka

Sondazh

Poll