Sport

‘UEFA Development U-15’/ Shqipëria e nis mbarë, mundi 2-0 Ishujt Faroe…

Një fitore mëse e merituar për kuqezinjtë U-15, të drejtuar nga trajneri Armand Dama, që zhvilluan një ndeshje shumë të mirë dhe dominuan skuadrën kundërshtare

2 Nëntor 2022, 15:51 Nga DOSJA

‘UEFA Development U-15’/ Shqipëria e nis mbarë, mundi 2-0

TIRANE - Shqipëria U-15 e nisi në mënyrë të shkëlqyer turneun ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë, pasi triumfoi ndaj Ishujve Faroe në sfidën hapëse me rezultatin 2-0. Një fitore mëse e merituar për skuadrën e drejtuar nga trajneri Armand Dama, që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, e luajtur paraditen e kësaj të mërkure, në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Përfaqësuesja shqiptare U-15 e nisi ndeshjen me këtë formacion: Raffaele Huli, Darli Kurti, Lucas Çekrezi, Matia Koçi, Milan Kovaçi, Kris Gecaj (C), Serxho Vogli, Endri Agolli, Leo Begolli, Alen Vukaj, Emiljano Mihana. Kuqezinjtë e vegjël e tregojnë epërsinë që në minutat e para të takimit. Në minutën e 10-të, Kurti asiston në golin e parë të kuqezinjve, me autor Agollin, i cili e dërgon topin në rrjetë me të majtën e tij potente.

Loja zhvillohet thuajse e gjitha në gjysmëfushën e Ishujve Faroe, ku djemtë kuqezinj janë dukshëm më superiorë dhe kontrollojnë lojën. Në minutën e 30-të, autori i golit të parë, Agolli i dhuron një top nga gjysmëfusha Vukajt, i cili realizon një gol spektakolar nga jashtë zone, duke i dhënë avantazhin 2-0 Shqipërisë.

‘UEFA Development U-15’/ Shqipëria e nis mbarë, mundi 2-0

Fraksioni i dytë i ndeshjes nis me disa zëvendësime për Shqipërinë, me trajnerin Dama i cili hedh në fushë Xhoni Shegën, Elio Gjoshin e Arian Gavellin, teksa lënë lojën Darli Kurti, Kris Gecaj e Endri Agolli. Minuta kishte edhe për Rayan Nezirin, Amer Kthupin, Armir Boriçin e Uesli Arapin.

Megjithë epërsinë, ndeshja mbyllet me rezultatin 2-0, teksa kjo ishte përballja e parë e turneut “UEFA Development U-15”, që do të zhvillohet në Shqipëri nga data 2 nëntor deri më 7 nëntor. Përveç Shqipërisë U-15, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Sllovakisë, San Marinos e Ishujve Faroe dhe të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare.

Ndeshjet e dyta të turneut do të zhvillohet më datë 4 nëntor, me Shqipëri-Sllovaki që do të luhet në orën 10:30 dhe Ishujt Faroe-San Marino në orën 13:30. Ndeshjet e fundit në grup luhen më 7 nëntor, me Shqipëri-San Marino në orën 13:00 dhe Sllovaki-Ishujt Faroe në orën 10:00.

Sondazh

Poll