Sport

Miqësore/ Shqipëria bën 'paqe' me Arabinë Saudite, mbyllet në 1-1 ndeshja zhvilluar në Abu Dhabi

Nuk ka fitues në takimin Arabi Saudite-Shqipëri përfunduar me shifrat 1-1. Takimi u zhvillua në Abu Dhabi dhe kuqezinjtë drejtuar nga Reja kishin një organikë kryesisht nga kampionati shqiptar.

26 Tetor 2022, 18:44 Nga DOSJA

Miqësore/ Shqipëria bën 'paqe' me Arabinë Saudite,

ABU DHABI- Nuk ka fitues në takimin Arabi Saudite-Shqipëri përfunduar me shifrat 1-1. Takimi u zhvillua në Abu Dhabi dhe kuqezinjtë drejtuar nga Reja kishin një organikë kryesisht nga kampionati shqiptar.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me vendasit në avantazh 1-0 me anë të një penalltie të shkaktuar nga Bitri i cili preku topin me dorë. Golin e shënoi Saleh Khalid Alshehri 43’. Në nisje të pjesës së dytë trajneri Edoardo Reja ka bërë shumë zëvendësime duke hedhur në fushë Bekim Balaj, Gentian Selmani, Odise Roshi, Mario Mitaj, Sherif Kallaku, Arinaldo Rrapajdhe Xhuliano Skuka. Me të nisur loja Shqipëria gjen shumë shpejt golin e barazimit me Bekim Balaj që finalizon bukur një pasim të Odise Roshit, duke shënuar golin e 1-1.

Në minutën e 58-të Shqipëria kishte një shans të mirë për gol me Xhuliano Skukës, që pësoi një ndërhyrje të parregullt në zonë, por gjyqtari është i mendimit se nuk është penallti. Në minutat në vijim Shqipëria vijon të luajë mirë duke krijuar volum loje, ndërsa në minutën e 78-të hyn në fushën e lojës edhe Lorenco Vila me trajnerin Reja që aktivizoi thuajse të gjithë lojtarët e ftuar. Deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe miqësorja mbyllet në barazim 1-1.

E.Ç (Dosja.al)

shqiperia arabia saudite

Sondazh

Poll