Sport

Milani i ka kthyer shpinën Superligës...

"Megjithatë, problemet vazhdojnë. Shpresoj se mund të zgjidhen, UEFA duhet të gjejë një zgjidhje," tha Paolo Scaroni, president i klubit ‘kuqezi’.

26 Tetor 2022, 16:14 Nga DOSJA

Milani i ka kthyer shpinën Superligës...

ITALI - Paolo Scaroni, presidenti i Milanit, deklaroi këtë të mërkurë se “Superliga, për Milanin, është lënë mënjanë”, ndonëse theksoi, se “problemet që e krijuan atë vazhdojnë” dhe se “UEFA duhet të gjejë një zgjidhje”. Në mbledhjen e aksionerëve të Milanit, në të cilën u miratuan llogaritë e vitit të kaluar,  Scaroni bëri të qartë qëndrimin e skuadrës 'kuqezi' përpara krijimit të një projekti të Superligës, dhe në të njëjtën kohë kërkoi UEFA-s t’i zgjidhë problemet që vazhdojnë të krijojnë polemika.

"Superliga, për Milanin, është lënë mënjanë. Megjithatë, problemet vazhdojnë. Shpresoj se ato mund të zgjidhen, UEFA duhet të gjejë një zgjidhje,"- u tha ai aksionerëve të pranishëm në shoqatën APA (Shoqata e Aksionarëve të Vegjël), në Milano. Në vitin financiar 2020-21, Milani uli humbjet në 66.5 milionë euro, tridhjetë milionë më pak se në vitin e kaluar, në të cilin borxhi ishte 96.4 milionë. Të hyrat ishin 297.7 milionë euro, 14% më shumë se vitin e kaluar (261.1 milionë).

Scaroni theksoi rëndësinë e fitimit të 'Scudettos' sezonin e kaluar dhe ardhjen e RedBird Capital dhe amerikanit Gerry Cardinale, themelues i fondit dhe pronar i ri i Milanit. "Fitimi i 'Scudettos' dhe vlera në rritje e markës së Milanit konfirmojnë rrugën e rritjes të ndërmarrë nga klubi, si brenda dhe jashtë fushës. Jam i bindur se falë vizionit strategjik të Cardinales, ne do të jemi në gjendje të përmirësohemi më tej. Milan "i qëndrueshëm dhe fitues i së ardhmes," tha ai.

Veç kësaj, presidenti milanez foli edhe për projektin e stadiumit të ri ‘San Siro’, i njohur si ‘La Cattedrale’, i cili edhe pse tashmë është në fazën përfundimtare para ndërtimit, ende nuk ka përfunduar. "Nëse stadiumi do të rindërtohet në ‘San Siro’, padyshim që do ta bëjmë me Interin.  Megjithatë, ne po punojmë edhe për hipoteza të tjera, përtej ‘San Siros’: në atë rast, ne mund të vendosim ta bëjmë atë me Interin ose edhe vetëm,"- ka thënë Scaroni.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll