Aktualitet

Vranë fqinjin e tyre me kaçavidë dhe e hodhën në kanal, lihen në burg dy vëllezërit nga Fushë-Kruja

Dy vëllezërit kanë thënë se nuk kishin për qëllim të vrisnin Ndojin por të sqaronin një bisedë të vjetër. 

24 Tetor 2022, 11:51 Nga f.g
Vranë fqinjin e tyre me kaçavidë dhe e hodhën në
Indrit Ndoj

KRUJE- Sajmir dhe Landi Miri janë lënë në masën e sigurisë 'arrest me burg' nga Gjykata e Krujës. Ata akuzohen për vrasjen e fqinjit të tyre 34-vjeçar, Indrit Ndoj. 

Gjykata i ka lënë kohë Prokurorisë të administrojë akte të tjera që lidhen me akt-ekspertimin e provave në funksion të provimit të akuzës së ngritur. Dy vëllezërit Miri ashtu si gjatë hetimeve paraprake kanë mohuar autorësinë e ngjarjes duke pretenduar se nuk ka asnjë provë ndaj tyre.

Deri më tani, nga dëshmia e tyre para grupit hetimor, dy vëllezërit kanë thënë se nuk kishin për qëllim të vrisnin Ndojin por të sqaronin një bisedë të vjetër. 

“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për tu mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterien femorale). Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar”, mësohet të kenë deklaruar vëllezërit Miri.

Vrasja e Indrit Ndojit ndodhi më 21 tetor 2022, kur trupi i të riut u gjet në një kanal në rrugën dytësore, pranë lagjes 'Bakishe Visha'. 34-vjeçari ishte përfshirë në trafikun e klandestinëve në të shkuarën. Trupi i tij i pajetë u gjet të nesërmen nga familjarët që ishin duke shkuar në punë ndërs dyshohet se dy vëllezërit e kanë qëlluar 34-vjeçarin disa herë me një kaçavidë në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar vdekjen për shkak të gjakderdhjes. Edhe pse në media mësuan se ai ishte vrarë prej tyre, të dy nuk u vetëdorëzuan në polici. /Dosja.al

saimir miri landi miri vritet indrit ndoj

Sondazh

Poll