Politike

Vdekja e Lear Kurtit, Berisha me dyshime: Qesja s'kalon në ezofag pa një filxhan vaj. E shpiku Ardi Veliu

Sali Berisha tha se është e pamundur që 32-vjeçari të ketë gëlltitur qesen me kokainë, e cila pretendohet se i shkaktoi edhe vdekjen.

21 Tetor 2022, 12:24 Nga k.m.
Vdekja e Lear Kurtit, Berisha me dyshime: Qesja s'kalon në ezofag pa
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka ngritur dyshime lidhur me procesin e ekspertizës së bërë ndaj kufomës së Lear Kurtit, ditën e e djeshme. Në konferencën e përjavëshme me gazetarët, Berisha tha se është e pamundur që 32-vjeçari të ketë gëlltitur qesen me kokainë, e cila pretendohet se i shkaktoi edhe vdekjen. Ndërkohë që shtoi autopsinë e bënë në orët e para të mëngjesit, gjë që është në shkelje me ligjin. 

"Gjithçka u bë po kaq e shëmtuar sa krimi. U vërsulën kriminelë të tjerë me uniformë, me në krye Ardi Veliun, për të falsifikuar dhe deformuar çdo të dhënë. Njoftuan se të riun e dërguan në spital në gjendje të rëndë dhe ndërroi jetë në spital. Ndërkohë që e dërguan kufomë, e dërguan të vdekur në spital. Dhe u përgënjeshtruan nga spital menjëherë. Në kundërshtim absolut me praktikën e hetimit, ndërmorën autopsinë sikur të ishin klandestinë, në ora 4 të mëngjesit. E palejueshme për një akt autopsie, sidomos kur thua për vdekje natyrale. Që një autopsi të japë rezultatin e pritshëm, duhet lënë të paktën 12 orë. Kur vdes një 32-vjeçar, që është subjekt i një hetimi, autopsia bëhet nga grup ekspertësh dhe jo nga një ekspert i vetëm nën terrorin e Ardi Veliut. Jo një ekspert i vetëm. Aty për aty edhe ia mbathin, por kjo nuk do të thotë që ta ndjekin dhe ta vrasin. Njërin e vranë, tjetrin thanë se qesja... Qesja është jashtë imagjinate. Duhet të kesh afër të paktën një filxhan vaj ulliri, se ajo nuk shkon. Sesi kalon qesja nëpër ezofag, atë e di vetëm Ardi Veliu. Pra kemi të bëjmë me një skenar që e vranë për së dyti. Një njeri normal për të cilin shokët kishin vetëm fjalët më të mira. I rritur me sakrifica. Për t'ja nxirë patrulla e Policisë,"-tha Berisha. 

Lear Kurti humbi jetën pasi u shoqërua nga efektivët në komisariatin nr.3. Ai u ndalua dy netë më parë, në orën 23:07 të mbrëmjes nga efektivët në rrugën "Riza Çuka" në Laprakë, por ka vrapuar. Siç sqarohet në njoftimin e policisë, i riu është kapur pas ndjekje, është dërguar në komisariat, ku ka shfaqur problemet e para shëndetësore. Fillimisht u aludua se i riu vuante nga epilepsia, më pas, në deklaratën zyrtare u tha se i riu kishte gëlltitur një qese me lëndë narkotike. Kontradikta është në faktin që efektivët pretendojnë se ka ndërruar jetë në spital, ndërsa bluzat e bardha të Traumës thonë se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre. Paraprakisht, nga hetimet e derimë tanishme, është deklaruar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.

sali berisha vdes lear kurti

Sondazh

Poll