Sport

Premier League, tani 'lodra' e Amerikës...

Pse investitorët amerikanë investojnë fuqishëm në Premier League?

14 Tetor 2022, 16:45 Nga DOSJA

Premier League, tani 'lodra' e Amerikës...

ANGLI - Zhvlerësimi i paundit kundrejt dollarit rrit investimet amerikane në Premier League. Miliarderi Bill Foley është i fundit që zbarkon. Ai bleu Bournemouth për 172 milionë euro. Ekonomisti i sportit Kieran Maguire jep çelësat e këtij skenari. I fundit që bie në 'kthetra' amerikane është Bournemouth, një ekip i promovuar së fundmi për të cilin miliarderi Bill Foley, pronar i ekipit NHL Vegas Golden Knights, do të paguajë rreth 150 milionë paund (172 milionë euro). 

Ata do t'i bashkohen listës së skuadrave të "amerikanizuara" që përfshin Arsenalin, në pronësi të familjes Kroenke, Manchester United në pronësi të Glazers, Liverpool blerë nga Fenway Sports Group, Fulham, Crystal Palace, Aston Villa dhe, natyrisht, Chelsea, për të cilin konsorciumi i drejtuar nga Todd Boehly pagoi më shumë se 3000 milionë euro.

"Klubet e Premier League janë tërheqëse për investitorët amerikanë sepse çmimi për të blerë një ekskluzivitet MLS është 500 milionë euro dhe liga amerikane ka një marrëveshje relativisht të vogël televizive,"- shpjegon Kieran Maguire, një nga ekonomistët e sportit, më i famshmi në Mbretërinë e Bashkuar.

"MLS është një produkt i fokusuar në thelb në tregun vendas, në vend të tregut ndërkombëtar. Ndërsa Premier League është produkti më i rëndësishëm sportiv në planet,"- shton Maguire, duke kujtuar kontratën milionere që ‘Sky’ grumbullon për të transmetuar ndeshjet e Premier League dhe e cila i ka kaluar 5000 milionë euro këtë vit. Dhe kjo u rëndua nga pasojat ekonomike të pandemisë.

Përveç shumicës së aksioneve, që investitorët amerikanë kanë në skuadrat e sipër përmendura, Manchester City, Leeds United dhe West Ham United gjithashtu ndajnë një pjesë të aksioneve të tyre në Shtetet e Bashkuara.

Në uljen amerikane ka kontribuar edhe zhvlerësimi i paundit kundrejt dollarit, duke arritur nivelet më të ulëta që nga vitet 1980. Me këtë hyrje të kapitalit të huaj, së bashku me një marrëveshje televizive që lejon klubet e sapo promovuara, si Nottingham Forest në një treg veror të më shumë se 150 milionë euro, diferencat mes Premier League dhe pjesës tjetër të ligave kërcënojnë të zgjerohen. Për sa kohë që pronarët e shohin suksesin sportiv të lidhur me suksesin komercial, diçka që nuk ka ndodhur vitet e fundit në rastin, për shembull, Manchester United dhe Arsenal.

“Investimi amerikan, në vetvete, nuk do të rrisë diferencat financiare mes ekipeve këtu dhe atyre nga jashtë, sepse nuk ka një tregues të madh që këta investitorë janë të gatshëm të shpenzojnë shuma të mëdha parash. Nëse shikoni, ka disa pronarë që nuk po japin shifra të mëdha. Në fakt, në raste si Manchester United, pronarët po nxjerrin para nga klubi”,- thotë Maguire.

Si Arsenali, ashtu edhe United, nuk janë përjashtuar nga protestat e tifozëve kohët e fundit për shkak të rezultateve të dobëta sportive, por kjo nuk e ka inkurajuar Kroenke ose Glazers, që t'i japin fund marrëdhënies së tyre me klubet, pasi ajo mbetet fitimprurëse në të gjitha nivelet.

"Ajo që mund të shohim është një dëshirë nga ana e pronarëve amerikanë për të ndryshuar futbollin. Ndeshjet që luhen në Shtetet e Bashkuara, në Lindjen e Mesme... Të gjitha me synimin për të tërhequr tifozë të rinj. Mund të ketë një përpjekje nga këta pronarë të kenë kontroll absolut të të drejtave televizive dhe t'ua shesin produktin direkt fansave. Nëse do të ishte kështu, do të rritej diferenca mes Premier Leagues, i cili tashmë ka një avantazh financiar, dhe ligave të tjera."

A mund të bëjë ndonjë gjë qeveria britanike për të parandaluar këtë ndërhyrje? Për të parandaluar hyrjen e pronarëve të tillë, si ata të Newcastle United dhe Manchester City, nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, vende me respekt të dyshimtë për të drejtat e njeriut, u shkruan një sërë rekomandimesh që synojnë, midis shumë pika të tjera kontrolli, se kush mund dhe kush nuk mund të investojë në një klub futbolli.

"Ka shumë pak gjasa, që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të përpiqet të dekurajojë investitorët e huaj. Futbolli nuk është i ndryshëm nga industritë e tjera, kështu që ndërhyrja në futboll do të ishte e paqëndrueshme,"- thotë Maguire.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll