Aktualitet

Zbardhet plagosja me armë gjahu e 58-vjeçarit në Kukës, familjarët deklaruan së ishte vetëplagosur aksidentalisht

Pas hetimeve, Policia ka dalë në përfundimin se 58-vjeçari është plagosur me armë gjahu nga pakujdesia nga i njohuri i tij, J.E., 62 vjeç.

7 Tetor 2022, 11:02 Nga k.m.
Zbardhet plagosja me armë gjahu e 58-vjeçarit në Kukës,
Arma e gjahut

KUKËS- Policia e Kukësit ka zbardhur plagosjen me armë gjahu të 58-vjeçarit, të identifikuar me inicialet D.T., për të cilin familjarët kishin deklaruar se është vetëplagosur. Pas hetimeve, Policia ka dalë në përfundimin se 58-vjeçari është plagosur me armë gjahu nga pakujdesia nga i njohuri i tij, J.E., 62 vjeç. I plagosuri është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

NJOFTIMI I PLOTË:

Identifikohet dhe procedohet penalisht autori i dyshuar i ngjarjes, për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”. Procedohet penalisht edhe i plagosuri, shtetasi D. T., për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”.

Në spitalin e Kukësit, është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasi D. T., 58 vjeç, banues në Kukës, i plagosur me armë gjahu, për të cilin fillimisht familjarët deklaruan së ishte vetëplagosur aksidentalisht. Pas një pune të mirëfilltë hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i plotë i kësaj ngjarjeje. Nga veprimet hetimore rezultoi se në vendin e quajtur “Kodrat e liqenit të Fierzës”, në fshatin Dukagjin, shtetasi J. E., 62 vjeç, banues në Kukës, gjatë gjuetisë së bashku me shtetasin D. T.,  aksidentalisht e ka plagosur shtetasin D. T., me armën e gjahut, me të cilën kishte dalë për gjueti”, sipas policisë.

Në vijim të veprimeve, u vu nën hetim për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër” shtetasi J. E., banues në Kukës. Gjithashtu, u vu nën hetim edhe i plagosuri, D. T., për veprën penale “Dëmtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër”. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan të dyja armë gjahu, të cilat shtetasit J. E. dhe D. T. i kishin me leje, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

kukës policia e kukësit

Sondazh

Poll