Sport

Tedi Cara në gjendje të mirë, pas ndihmës mjekësore, futbollisti udhëtoi me Partizanin drejt kryeqytetit… Kukësi rrezikon shumë

Autori i golit të parë të Partizanit, do të zbresë në fushë për seancat stërvitore, pas 4 apo 5 ditësh

20 Shtator 2022, 12:19 Nga DOSJA

Tedi Cara në gjendje të mirë, pas ndihmës mjekësore,

TIRANE - Gjendja e sulmuesit të Partizanit është normalizuar dhe ai do të zbresë në fushë për seancat stërvitore, pas 4 apo 5 ditësh. Kavajasi Tedi Cara siguron se është në gjendje të mirë, pas goditjes me shishe në fytyrë në çastin e festimit të golit në ‘Kukësi Arena’.

Mjekët konstatuan të çara në pjesët rreth syrit, duke i bërë 7 qepje, ndërsa futbollisti, autor i golit të parë të Partizanit, iu bashkua skuadrës dhe udhëtoi me të kuqtë drejt kryeqytetit pas ndeshjes.

Përsa i përket skuadrës verilindore të Kukësit, klubi e dënoi ngjarjen e shëmtuar në minutën e 14-të, por sipas të gjitha gjasave, impianti modern ‘Kukës Arena’ i përuruar së fundmi, do të mbyllë dyert për të paktën 4 javë.

Gjithsesi, vendimin do ta marrë pas pak ditësh Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF, ndërsa trajneri i ri Enkelejd Dobi duhet t’i bëjë llogaritë ndryshe, pasi nuk do të ketë mbështetjen e tifozëve për disa ndeshje të Superiores.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll