Aktualitet

Shtëpinë ia prishi tërmeti, Enisi i vogël shet lule për mjetet shkollore: Më thonë që i hanë gomerët, por unë prapë i shes

Që prindërve të mos iu bëhet barrë, Enisi ka dalë çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 14:00 për të shitur lule në rrugët e Tiranës. Më pas shkon në shtëpi për tu kthyer në orën 17:00 bashkë me të atin për të njëjtën arsye.  

13 Shtator 2022, 13:30 Nga F.M
Shtëpinë ia prishi tërmeti, Enisi i vogël shet lule për
Enis Visha

TIRANË- Enisi i vogël është një 9-vjeçar që shet lule në rrugët e kryeqytetit që të blejnë çantën për në shkollë. Këtë vit Enisi filloi klasën e 3-të dhe për të qenë gati me çdo mjet që duhet për mësimin, ai i ka siguruar vetë të ardhurat nëpërmjet punës gjatë gjithë verës si luleshitës. Kjo pasi familja e tij prej 6 anëtarësh nuk ia mundëson dot.

Familja Visha jeton me qira, pasi shtëpia ku jetonin u prish nga tërmeti. Për pasojë, që prindërve të mos iu bëhet barrë, Enisi ka dalë çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 14:00 për të shitur lule në rrugët e Tiranës. Më pas shkon në shtëpi për tu kthyer në orën 17:00 bashkë me të atin për të njëjtën arsye.  

“Këtë punë e bëj çdo ditë nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 14:00, pastaj nga ora 17:00 deri në darkë dal bashkë me babin. Unë shes lule, ai perime të stinës që i mbledhim në fshat. Deri më tani kam shitur tre buqeta kam dhe një pa shitur. Shumë njerëz më thonë se lulet i hanë gomerët dhe nuk m’i marrin, por unë përsëri i shes. Në gjithë sezonin e verës unë kam shitur lule sepse jemi shumë veta në familje dhe kam dëshirë të ndihmoj babin që të ikim në shkollë. Unë shkollën nuk do ta lë, por edhe punën do ta bëj. Në mëngjes do iki në shkollë do bëj detyrat në shtëpi dhe mbasdite do të dal përsëri me babin. Unë nuk lyp, dua të punoj,” pohon Enisi.

I ati i Enisit, Shefqet Visha pohon se halli e ka sjellë në këtë gjendje. I vjen keq që djali i tij duhet të rritet para kohe dhe të punojë, por është e pamundur të mbajë familjen me ato pak të ardhura që ka.

“Kam 4 fëmijë njërin e kam të sëmurë me paralizë, trajtohem me një ndihmë ekonimike, por për 6 anëtarë nuk mjaftojnë,”- shprehet ai.

shefqet visha enis visha

Sondazh

Poll