Sport

Trajnerët dhe kapitenët 'flasin' për sistemin VAR, në prag të startit të kampionatit…

“Gjatë sezonit të kaluar të ‘Abissnet Superiore’ ka patur 59 rishikime në fushë, 52 kthime vendimi, 7 konfirmime vendimi dhe nga totali prej 190 ndeshjeve, nga sistemi VAR ka pasur 459 ndërhyrje”,- tha ndër të tjera Jareci.

15 Gusht 2022, 15:25 Nga DOSJA
Trajnerët dhe kapitenët 'flasin' për sistemin VAR,

TIRANE - Në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri futbollistik në Shqipëri, që nis pas pak ditësh, Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një takim me kapitenët, trajnerët dhe drejtuesit e klubeve të kategorisë “Abissnet Superiore”. Në qendër të diskutimeve të takimit, që  u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” nga Sektori i Arbitrimit në bashkëpunim me Departamentin e Garave, ishte ecuria e sistemit VAR, një nga projektet dhe investimet më të mëdha të FSHF-së, që u implementua për herë të parë sezonin e kaluar në kampionatin elitar shqiptar.

Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, duke bërë një analizë të sezonit të kaluar theksoi, se është punuar shumë me arbitrate, që në momentet e ndërhyrjes së sistemit VAR gjatë një ndeshjeje, të shmangen vonesat. “Për këtë arsye kemi pasur një trajnim me ekspertë të FIFA-s dhe shpresojmë shumë që të jemi përmirësuar në këtë drejtim. Ishte viti i parë dhe normalisht që situata të ndërlikuara ka pasur, por ia kemi dalë në mënyrën më të mirë. Gjatë sezonit të kaluar të ‘Abissnet Superiore’ kemi patur 59 rishikime në fushë, 52 kthime vendimi, 7 konfirmime vendimi dhe nga totali prej 190 ndeshjeve, nga sistemi VAR ka pasur 459 ndërhyrje”,- tha ndër të tjera Jareci.

Përfaqësuesit e klubeve janë shprehur të kënaqur në përgjithësi nga efekti që ka pasur sistemi VAR në vendimmarrjen e arbitrave në fushën e lojës. Fokusi i këtij takimi, përveç analizës së sezonit të kaluar, ishte gjithashtu marrja e përshtypjeve dhe sugjerimeve nga aktorët kryesorë për të përmirësuar edhe më tej bashkëpunimin e lojtarëve e drejtuesve me arbitrat dhe specifikat e ndërhyrjes së sistemit VAR gjatë një ndeshjeje, raporton zyra e shtypit dhe marrëdhënieve me publikun në FSHF.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll