Aktualitet

Aksident tragjik në Podujevë/ Humbasin jetën prindërit, dy fëmijë të lënduar

Një çift ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti teksa po ktheheshin në Kosovë për pushime. Dy fëmijët e tyre janë të plagosur dhe po trajtohen në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

29 Korrik 2022, 13:32 Nga s.s
Aksident tragjik në Podujevë/ Humbasin jetën prindërit, dy
Makina përplaset me autobusin

KOSOVË- Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në rrugën Prishtinë-Podujevë. Si pasojë e aksidentit ku ka qenë e përfshirë një makinë me targa të huaja dhe një autobus, kanë humbur jetën dy persona, sipas raportimit të Policisë.

Në media raportohet se viktimat e moshës 35-vjeç me iniciale M.S dhe 36-vjeç me iniciale SH.S., janë mërgimtarë nga Komuna e Malishevës që kishin ardhur në vendlindje për pushime, gjithashtu kanë mbetur të lënduar edhe 2 fëmijë të cilët po trajtohen në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Gjendja e tyre shëndetësore sipas mjekëve raportohet të jetë e rëndë. “Jemi duke e monitoruar gjendjen e tyre shëndetësore. Ua kemi bërë të gjitha analizat. Po presim t’i përsërisim disa. Gjendja e tyre është stabile për momentin, por e rëndë. Të dy këta, ende po trajtohen në Klinikën Emergjente”, tha drejtori i Klinikës Emergjente Naser Syla.

Ndërkohë, trupat e pajetë të viktimave të moshave 36 dhe 35-vjeç me urdhër të prokurorit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pas këtij aksidenti tragjik, i cili ka thënë se janë të tronditur nga ky lajm, duke u shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve të viktimave.

“Të tronditur morëm lajmin për aksidentin tragjik në orët e hershme të mëngjesit ku humbën jetën dy persona. Në këto momente të dhimbjes dhe pikëllimit, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e viktimave, ndërsa të lënduarëve iu uroj shërim të shpejtë”, ka shkruar Bulliqi. 

Për aksidentin ka folur edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. “Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, tha Ahmeti.

kosove aksident në kosovë prishtine podujeve

Sondazh

Poll