Sport

Bien poshtë akuzat, ish-presidenti Blatter dhe Platini fitojnë pafajsinë...

Të dy zyrtarët e lartë të futbollit botëror u përjashtuan në vitin 2015 nga strukturat drejtuese të futbollit për shtatë vjet, për shkak të një pagese prej 2 milionë dollarësh të francezit si konsulent

8 Korrik 2022, 18:26 Nga DOSJA
Bien poshtë akuzat, ish-presidenti Blatter dhe Platini fitojnë

ZVICER - Një gjykatë zviceriane hodhi poshtë të premten akuzat për korrupsion ndaj ish-presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter dhe legjendës së futbollit francez, Michel Platini, pas një hetimi shtatëvjeçar, gjatë të cilit ata u përjashtuan nga rolet drejtuese të strukturave të futbollit, raporton VOA.

Gjykatësja Josephine Contu Albrizio tha, se marrëveshja Blatter-Platini, sipas së cilës FIFA, do t’i paguante francezit 2 milionë dollarë si konsulent, ishte e besueshme, ndërsa shtoi se ekzistonin dyshime serioze lidhur me pretendimin e prokurorisë se pagesa ishte korruptive.

Për këtë arsye, zoti Blatter, që kishte drejtuar FIFA-n për 17 vjet, u çlirua nga akuzat për mashtrim nga Gjykata Federale Penale e qytetit jugor, Bellinzona. Edhe akuzat për mashtrim ndaj ish-kapitenit dhe ish-presidentit të UEFA-s, u hodhën poshtë.

Si Blatter, edhe Platini, dikur ndër figurat më të fuqishme të futbollit botëror, i kishin mohuar akuzat. Prokurorët federalë zviceranë thanë se do të shqyrtonin vendimin me shkrim përpara se të vendosnin nëse do të apelonin.

“Unë gjithmonë kam thënë se ndërgjegjia ime është e pastër,- u tha Blatter gazetarëve. - Natyrisht askush nuk është i përkryer, por për mua, me një karrierë 44-vjeçare në FIFA, është shumë e rëndësishme që kjo çështje mori zgjidhje në nivelin më të lartë”,- shtoi 86-vjeçari.

Edhe 67-vjeçari Platini u shpreh i lehtësuar. “Dua të shpreh lumturinë time për të gjithë të dashurit e mi që drejtësia më në fund u vendos pas shtatë vitesh gënjeshtrash dhe manipulimesh,- tha ai. - E vërteta ka dalë në dritë,”- shtoi ai.

Të dy zyrtarët u përjashtuan në vitin 2015 nga strukturat drejtuese të futbollit për tetë vjet për shkak të pagesës. Platini, i cili gjithashtu humbi postin si president i UEFA-s për shkak të hetimit, tha se akuzat ishin një përpjekje e qëllimshme për të penguar përpjekjen e tij për t’u bërë president i FIFA-s në vitin 2015.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll