Politike

Rama reagon për vrasjen e liderit japonez dhe i përgjigjet Berishës: Kur politikanët janë armiq, demokracia tronditet

Rama shpreh ngushëllimet familjes së Abe dhe popullit të Japonisë për humbjen e madhe.

8 Korrik 2022, 12:28 Nga a.b. f.g
Rama reagon për vrasjen e liderit japonez dhe i përgjigjet
Sali Berisha, Shinzo Abe dhe Edi Rama

TIRANË- 'I pikëlluar dhe i trishtuar'- kështu ndihet kryeministri Edi Rama pasi mësoi lajmin e atentatit ndaj ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe. Rama shpreh ngushëllimet familjes së Abe dhe popullit të Japonisë për humbjen e madhe. Në një reagim të fundit në rrjetet sociale, Rama i është përgjigjur indirekt edhe kryedemokratit Sali Berisha i cili e cilësoi dje armik dhe deklaroi se ai dhe Rama nuk kanë asgjë të përbashkët. Rama shkruan:

I tronditur dhe i pikëlluar nga vdekja e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Ngushëllimet tona më të thella familjes së tij dhe popullit të Japonisë. Vrasja e tij nxjerr në pah se sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq për t'u shkatërruar dhe jo si kundërshtarë për t'u angazhuar!

Por çfarë tha konkretisht Berisha në protestën e 7 korrikut? 

Ish-kryeministri deklaroi se: 

Në emër tuaj do t’i them Edi Ramës këto fjalë, ne të dy sot jemi armiq, jemi armiq, por pse jemi armiq, zemra ime fjalë tjetër nuk nxjerr sepse ti Edi Rama ke për ideal pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin, kurse unë me këta burra dhe vajza kemi për ideal lirinë, lirinë dhe vetëm lirinë. Ia mbathe gabim ke bërë, do ia mbathësh kur të themi ne.

Edhe pse nuk iu përgjigj dje dhe sot për deklaratat pas protestës, kryeministri ka pritur momentin e volitshëm për t'ju përgjigjur kundërshtarit. Vrasja e liderit japonez ka tronditur botën në një atentat që ndodhi mëngjesin e sotëm.

Shinzo Abe, ndërroi jetë në spital, pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një takimi elektoral në prefekturën Nara në Japoninë qendrore. Abe u rrëzua përtokë teksa mbante një fjalim dhe u transportua menjëherë në spital. Ai u transportua menjëherë me helikopter në spital pas sulmit, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve. Kjo ngjarje e sotme ka tronditur botën dhe liderët në mbarë botën.

atentat ish-kryeministrit japonez kryeministri edi rama

Sondazh

Poll