Politike

Protesta/ Grida Duma: Ka një frymë besimi më të madhe, m'u përcoll emocioni

Grida Duma listoi dhe arsyet e pjesëmarrjes në protestën e opozitës, duke shtuar se vlerësonte frymën e Berishës në tubimin e sotëm.

7 Korrik 2022, 22:21 Nga k.m.
Protesta/ Grida Duma: Ka një frymë besimi më të madhe,
Grida Duma

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka komentuar protestën e sotme të organizuar nga kryedemokrati Sali Berisha, ku ishte dhe vetë pjesëmarrëse. Në një lidhje direkte me emisionin “Open”, Duma listoi dhe arsyet e pjesëmarrjes në protestën e opozitës, duke shtuar se vlerësonte frymën e Berishës në tubimin e sotëm. Po ashtu, ndër të tjera ajo tha se nuk ka qenë në asnjë mbledhje të Enkelejd Alibeajt apo Sali Berishës, duke theksuar se gjuha e hierarkisë së lartë dhe e ndarjes në PD duhet të mbarojë dhe demokratët së bashku duhet të gjejnë pikëtakimet dhe jo pikëndarjet. Për të punuar më pas të gjithë së bashku për marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

“Unë nuk kam shkuar në asnjë mbledhje të grupit parlamentar. Vijoj të kryej të gjitha detyrat e mia në komisione. Nuk kam shkuar as tek Alibeaj, as te Berisha. Kjo gjuha me hierarkinë e lartë të PD, ku nuk gjendet bashkëpunimi, është një gjuhë që duhet të mbarojë, duhet të gjejmë pikëtakimet dhe jo pikëndarjet. Ashtu sic e gjej veten te demokratët, besoj se neve do na bashkojë nevoja për të qenë me votuesit tanë. Kjo nevojë do të prevalojë. Të gjitha qëndrimet e mia për një PD më të madhe, me ndërkombëtarët dhe aleatin strategjik SHBA, për një PD me shumë ngjyra, qëndrojnë të njëjtat gjëra për mua. Ajo që pashë sot te demokratët ishte emocioni që na shikonin bashkë. Përmes demokratëve do të ngrihen shqiptarët. Pa ata nuk ka ngritje, nuk ka peshë të aksionit politik. Sot pashë, për hir të së vërtetës, një frymë të mirë besimi e shprese. Unë kam qenë pjesë e cdo proteste të PD dhe do të jem, por e sotmja ishte me një frymë besimi më të madhe,”-tha ajo ndër të tjera.

PJESË NGA BISEDA: 

Grida Duma: Unë mendoj që është një pikëpyetje e madhe dhe nuk është aq e thjeshtë dhe vetë Berisha e di këtë pikëpyetje. Mbetet ta shikojmë në vijim, për 1 vit kemi zgjedhjet lokale. Aty nuk do na prevalojë testi është Berisha apo jo, por a kemi kandidatët më të mirë. Krizat e mëdha kërkojnë kohën e vetë dhe stabilizimin e faktorëve të vetë. Dhe PD nuk është parti pa elitën e vetë, ndaj elita e vetë do bëjë më të mirën. Nuk kanë asnjë dyshim ndërkombëtarët për peshën që ka Berisha. Në bisedat e mia me to kanë treguar se dinë impaktin dhe peshën që ka Berisha në historinë e Shqipërisë. Çështja nuk është për impakt por për zgjerim. Ai në 6 mars pa logo por me frymën e tij e mori popullin me vete. Dhe këtë unë ja njoh Sali Berishës.

Eni Vasili: A do t’ia njohin ndërkombëtarët është pyetja?

Grida Duma: Mendoj se do ketë një rrugëzgjidhje. Dhe mendoj se çështjet që ka Berisha me SHBA-të nuk janë politike, por kanë thënë se është për korrupsionin, por ne duhet t’i shohim këto dosje që ata thonë se kanë.

Eni Vasili: Çfarë nënkuptoni me rrugëzgjidhje?

Grida Duma: Unë mendoj se të gjitha çështjet e zgjidhjes i takojnë Berishës. Njëherë duke zgjidhur dinjitetin e tij, më pas të frymës së PD dhe besoj se i takon atij për të gjetur një zgjidhje. Por besoj se elita e PD pavarësisht diversioneve duhet të mblidhet dhe të krijojë një strategji për të sjellë PD në pushtet. Çështja e personaleve ka ikur më 6 mars dhe tani është çështje e partisë.

grida duma protesta e pd 7 korrik 2022

Sondazh

Poll