Politike

Sot në Apel për dosjen “Babale”, Salianji: Do jem aty si në çdo seancë, drejtësi e munguar

Referuar gjyqit, ai tha se drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar e se akuzat ngrihen ndaj njerëzve që denoncojnë dhe gazetarëve.

4 Korrik 2022, 08:27 Nga F.M
Sot në Apel për dosjen “Babale”, Salianji: Do jem aty si
Ervin Salianji

TIRANË- Ditën e sotme në orën 14:00, pritet që të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Bëhet fjalë për dosjen “Babale”, që është rikthyer në Apel pas tre vitesh.

Vetë Salianji tha një ditë më parë se do të jetë në seancën e sotme gjyqësore, njësoj si në çdo seancë tjetër. Ai ishte në Korçë, një një takim me strukturat e selisë blu në Korçë, ku ka bërë të qarta edhe direktivat për protestën që do të zhvillohet më 7 korrik, nismë e kryedemokratit Sali Berisha. Referuar gjyqit, ai tha se drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar e se akuzat ngrihen ndaj njerëzve që denoncojnë dhe gazetarëve.

“Nesër unë do jem aty, do jem i pranishëm në seancë ashtu siç kam bërë çdo herë tjetër. Drejtësia në këtë vend është e penguar, e vonuar, nuk hetohen, s’ka përballje por ka akuza ndaj gazetarëve dhe njerëzve që denoncojnë. Unë nesër do jem aty, por tani fokusi është te protesta, organizimi i qytetarëve. Shumica e grupit parlamentar ka shprehur qëndrimin se do jetë pjesë e protestës. Alibeaj dhe Bardhi kanë qëndrimet e veta, varet se ku e vendos objektivin dhe fokusin, secili ka arsye për të protestuar kundër Ramës. Qëndrimet e mia janë publike”, ka thënë Salianji përpara demokratëve në Korçë.

Salianji është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 1 vit burg, por këtë dënim ai dhe Kryesia e Partisë Demokratike e konsiderojnë politik. Apeli do të vendosë nëse do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, do ta shpallë të pafajshëm apo do të japë një tjetër vendim alternativ.

Çfarë është dosja “Babale”?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”.

Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvani) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.

Gjykata Penale dënoi me 1 vit burg deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji për akuzën e “kallëzimit të rremë”, në lidhje me dosjen “Babalja”. Bashkë me Salianjin u dënuan edhe personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje. Fredi Alizoti, (i njohur si kunati i Babales), u dënua me 2 vite burg për kallëzim të rremë, Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “Babalja” u dënua me 3 vite e 5 muaj burg, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 5 muaj burg, që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet.

ervin salianji dosja babale

Sondazh

Poll