Politike

Protesta e maturantëve, PD: I mbështesim, të na bashkohen në 7 korrik

Partia Demokratike mbështet protestat e paralajmëruara nga maturantët.

27 Qershor 2022, 13:56 Nga A.B
Protesta e maturantëve, PD: I mbështesim, të na bashkohen në
Grigels Mucollari

TIRANË-Partia Demokratike fton të gjithë maturantët që t'u bashkohen në protestën e 7 korrikut. Përmes anëtarit të kryesisë së PD-së, Grigels Muçollarit, thuhet se partia është në mbështetje të protestave të paralajmëruara nga maturantët. Muçollari shton se qeveria i ka zhgënjyer të rinjtë dhe brezin duke mos iu plotësuar kërkesat që të rinjtë kanë parashtruar. 

REAGIMI I PD:

Testi i Maturës është një tjetër tregues i paaftësisë së qeverisë. Indinjata e tyre, është shenjë se të rinjtë janë gati t’i thonë mjaft kësaj paaftësie që u bëhet barrë. Deputetët e Partisë Demokratike në një interpelancë me ministren e Arsimit, prej muajsh kanë kërkuar teste pilot për të parandaluar atë që po ndodh sot.

Në ngut e sipër, duke shpërfillur thelbin dhe lartësuar propagandën, Qeveria ka harruar se kjo maturë del nga 2 vite pandemi. Një administratë që e bën punën dhe e ka nxënësin në qendër të programeve dhe shqetësimeve, duhet ta kishte marrë parasysh këtë. Kjo pandjeshmëri ka çuar në këtë kolaps. Partia Demokratike mbështet të drejtën e maturantëve për protestë, dhe u kërkon t’a mbajnë zërin lart, me forcën dhe idealizmin e moshës.

I bëjmë thirrje qeverisë të punojë për zgjidhjet, jo të fshihet e të justifikohet. Nuk do të lejojmë që, edhe një brez tjetër i zhgënjyer, t’i bashkohet Armatës së Shpopullimit të Shqipërisë, që është shtuar në mënyrë dramatike gjatë qeverisjes së Rama dhe Company. Shqipëria është në Rrezik. U bëjmë thirrje maturantëve, studentëve, dhe të gjithë të rinjve, që t’i bashkohen protestës së Frontit të Shpëtimit Kombëtar më 7 korrik.

Maturantët paralajmëruan ditën e sotme një protestë përballë ministrisë së Arsimit. Protesta e tyre u anulua pas daljes së rezultateve të lëndëve me zgjedhje. Partia Demokratike do të organizojë protestë në datë 7 korrik, në orën 19:00. 

protesta e maturanteve

Sondazh

Poll