Sport

Apeli i Labrune, president i Ligës: "T’i largojmë kriminelët, ata nuk e kanë vendin në stadiume!"

Duke bërë bilancet e sezonit, mëngjesin e kësaj të shtune në kuadër të asamblesë federale të FFF-së në Nice, Vincent Labrune, presidenti i Ligës (LFP), iu rikthye incidenteve të shumta që kanë shpërthyer muajt e fundit në futbollin francez.

18 Qershor 2022, 15:46 Nga DOSJA
Apeli i Labrune, president i Ligës: "T’i largojmë
Vincent Labrune, president i Ligës Profesioniste Franceze

FRANCE - Në punimet e asamblesë federale të Federatës Franceze (FFF) në Nice mëngjesin e kësaj të shtune, Vincent Labrune, presidenti i Ligës Profesioniste, mori fjalën për të rishikuar sezonin e klubeve profesionale. Ai përshëndeti paraqitjet sportive dhe zhvillimin ekonomik, por u ndal me force në një problem për futbollin francez.

“Kemi pasur një sezon katastrofik brenda dhe jashtë fushës. Ne duhet të ndërrojmë marshin. Ne si Ligë do të marrim përgjegjësitë tona, edhe klubet duhet të marrin të tyren dhe të jenë të vetëdijshëm, se duhet të na ndihmojnë, si dhe autoritetet publike. Më shqetëson kur dëgjoj ANS (shoqata kombëtare e tifozëve) që thonë se ka përkrahës të mirë dhe të këqij, ultras të mirë dhe të këqij. Jo, ka përkrahës dhe ultras. Më pëlqen shumë entuziazmi pozitiv i ultrasve, por sot ka kriminelë në ambientet tona sportive. Ata duhet t'i nxjerrim jashtë nga stadiumet”. 

“Është një mrekulli, që nuk pati vdekje në Saint-Étienne kundër Auxerre (1-1, 5-4 (p),- vazhdoi Labrune. - Nuk dua të dëgjoj qoftë edhe për një vdekje në stadium si president. Ne duam të jemi Liga e Zhvillimit, jo Liga e Luftës në stadiume. Ju bëj thirrje të gjithëve, për përgjegjësinë tuaj. Ju duhet të jeni të guximshëm dhe t'i vendosni këta kriminelë aty ku e kanë vendin, jo në stadiume,”- u shpreh ndër të tjera ai në fjalën e tij, që ishte një apel i fortë për futbollin francez.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll