Aktualitet

Kërkesa e FSHF për hapjen e basteve sportive, Kushi: S'do lejojmë katrahurë, pretendime pa bazë

Kushi shprehet se nuk do të lejojë që vendi të rikthehet në katrahurë pasi ka pasur ndikim negativ në familjet shqiptare.

17 Qershor 2022, 14:17 Nga A.B
Kërkesa e FSHF për hapjen e basteve sportive, Kushi: S'do
Evis Kushi

TIRANË- Ministrja e Arsimit, Evis Kushi i ka konsideruar si pretendime të pabaza ato të përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të sportit për lejimin e basteve sportive. Ministrja u takua ditën e sotme me to, e pas përfundimit bëri të ditur dhe ato që biseduan. Përmes një postimi në rrjetin social 'Facebook', Kushi shprehet se nuk do të lejojë që vendi të rikthehet në katrahurë pasi ka pasur ndikim negativ në familjet shqiptare.

REAGIMI I KUSHIT:

I kam ndjekur vazhdimisht me shumë vëmendje diskutimet e fundit nga përfaqësues të ndryshëm të komunitetit të sportit në lidhje me çështjen e rihapjes së basteve sportive. Natyrisht që pretendimet e tyre për tregun e zi të basteve nuk janë pa bazë, madje ka pasur edhe operacione policore në këtë drejtim. Por ndërkohë ne jemi të vetëdijshëm që në të gjithë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara, problemi i tregut të zi digjital të basteve sportive është shumë i ndjeshëm. Ne e përjashtojmë kategorikisht përsëritjen e katrahurës së sallave të bixhozit, bingove e basteve, si dhe pasojat negative të këtij fenomeni social në familjet shqiptare, por ndërkohë duam të dëgjojmë më shumë për mundësinë e formalizimit të tregut digjital. Prandaj nisëm sot një dëgjesë me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, me qëllim që të shkëmbejmë opinionet dhe qëndrimet tona me frymë dialogu e bashkëpunimi edhe për ligjin e sponsorizimeve dhe çështje të tjera që lidhen me sportin. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka treguar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e sportit në vend dhe takime të tilla janë të dobishme për të ecur bashkërisht përpara e për të ndërmarrë politika që garantojnë një sport dinjitoz. Në ditët në vijim do të zhvillojmë dëgjesa edhe me përfaqësues të federatave të tjera sportive dhe grupe interesi.

evis kushi

Sondazh

Poll