Aktualitet

"Mirë të të bëhet", dëshmitarët kundër alibisë së 32-vjeçarit që vrau shqiptaren Nevila Pjetri

Sipas Prokurorit të Spezias, autor është artizani 32-vjeçar nga Carrara Daniele Bedini, tashmë i arrestuar, ai që i ka thënë këto fjalë pas vrasjes në Marinella di Sarzana.

9 Qershor 2022, 12:31 Nga DOSJA
"Mirë të të bëhet", dëshmitarët
Nevila Pjetri

ITALI- Dy dëshmitarët që panë një burrë të hidhte kufomën e shqiptares Nevila Pjetri në bregun e përroit Parmignola, natën mes së shtunës dhe të dielës, dëgjuan të shqiptuara këto fjalë: "Mirë të të bëhet". Sipas Prokurorit të Spezias, autor është artizani 32-vjeçar nga Carrara Daniele Bedini, tashmë i arrestuar, ai që i ka thënë këto fjalë pas vrasjes në Marinella di Sarzana.

La Repubblica shpjegon se në bazë të provave që u mblodhën nga karabinierët e drejtuar nga koloneli Andrea Fabi, kamioncina e bardhë në emër të zdrukthtarisë së babait të tij, e larë pak para mbërritjes së policisë, u fiksua nga një kamera lokale. Sipas dëshmive të tjera, rrobat që ka gjetur policia janë të njëjtat që dëshmitarët kanë parë Bedinin natën e krimit.

Plagët në pjesën e pasme të qafës dhe pas veshit të viktimës janë të përputhshme me pistoletën e kalibrit 22, e cila u zhduk nga shtëpia e babait të tij disa ditë më parë dhe ende nuk është gjetur. Të njëjtat plagë, ndër të tjera, janë edhe në kufomën e transeksualit Carlo Bertolotti, të zbuluar 48 orë më vonë, në makinën e të cilit janë gjetur edhe dy gëzhoja të përputhshme, tashmë të analizuara nga ekspertët.

Në të dyja rastet janë zhdukur kuletat, celularët, sendet me vlerë dhe Bedini ka precedent për grabitje, ku në fakt në dhjetortë viti të kaluar ai ishte dënuar me 3 vjet burg, urdhri i ekzekutimit të Prokurorit Publik të Masës u dha vetëm dje. Por Bedini, i cili dje ka marrë një vizitë nga avokati i tij Rinaldo Reboa, për momentin duhet të përgjigjet vetëm për vrasjen e Nevilës.

Ai gjatë bisedës me avokatin tha se atë të shtunë mbrëma qëndroi deri në dy ose tre të mëngjesit te "Aisha”, një vend në breg të detit të Marina di Carrara me dy shokë dhe qenin e tij. Edhe babai i tij, Enzo Roberto, mëngjesin pas tronditjes kur pa djalin e marrë nga karabinierët me akuza shumë të rënda, mbrojti të birin. 

"Dhimbja që ndjejmë është e paimagjinueshme, sepse ne e dimë se kush është në të vërtetë fëmija ynë. Ai nuk është një vrasës, ai nuk është njeriu i keq që përshkruhet në gazeta. Vërtet ka patur probleme me drogën por ishte i pastër prej një viti. Ka një vit që punon tetë orë në ditë me mua dhe klientët e konsiderojnë shumë të mirë. Kur mori një kthesë të keqe, e pashë në sy dhe i thashë nëse do të jetosh me ne, në këtë shtëpi, duhet të ndryshosh."-tha ai.

Enzo Roberto nuk e mohon se djali i tij kishte shkaktuar probleme kur kthehej nëpër rrugë me makinë natën, por sipas tij "kjo nuk do të thotë se ai është një vrasës".

nevila pjetri

Sondazh

Poll