Aktualitet

Vrasje në Sarandë, peshkatari i ngul thikën 43-vjeçarit, sherri për ankorimin e varkave

Koka pretendonte se i takonte atij ta ankoronte varkën pranë portit, por të njëjtin pretendim kishte edhe Golemaj.

7 Qershor 2022, 14:18 Nga F.M

Vrasje në Sarandë, peshkatari i ngul thikën 43-vjeçarit,

SARANDË- Kledi Koka 43 vjeç është vrarë me thikë këtë paradite në Sarandë. Koka, i cili ka një aktivitet të regjistruar me varka që shëtisin turistët në bregdetin e Sarandës është konfliktuar me një peshkatar, Gent (Jorgo) Golemaj, gjithashtu 43 vjeç. Ky i fundit ka një varkë peshkimi dhe shkak për sherrin është bërë vendi i ankorimit të varkave.

Koka pretendonte se i takonte atij ta ankoronte varkën pranë portit, por të njëjtin pretendim kishte edhe Golemaj. Ky i fundit, në sherr e sipër nxorri thikën që mbante me vete kur dilte për peshkim dhe sapo ktheu shpinën Koka, e qëlloi në mes të shpatullave.

Thika i preku mushkërinë 43-vjeçarit, i cili u nis me helikopter drejt Tiranës. Por, pavarësisht ndihmës së nevojshme mjekësore që mori, Koka ndërroi jetë. Golemaj është vënë në pranga, ndërsa thika është sekuestruar. 43-vjeçari Gent (Jorgo) Golemaj është person me precedentë penalë. Ai është dënuar më parë në Greqi për “trafik droge” dhe në Sarandë për “prodhim dhe shitje te lëndeve narkotike” dhe “mbajtje pa leje te armeve dhe municionit”. Ai është kapur në vitin 2006 me 400 gramë marijuanë, kapsolla detonatore dhe fitila zjarrpërcjellës.

Sondazh

Poll