Aktualitet

Tragjedia në Pukë, deputeti i PS: Duhet iniciativë ligjore për vendosjen e automateve që shpëtojnë jetë

6 Qershor 2022, 13:37 Nga A.B
Tragjedia në Pukë, deputeti i PS: Duhet iniciativë ligjore
Komision

TIRANË- Gjatë ditës së sotme, në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, deputeti i Partisë Socialiste, Benet Beci përmendi rastin e tragjedisë në Fushë-Arrëz ku humbën jetën nëna me 2 vajzat pasi ranë në kontakt me energjinë elektrike. Ai kërkoi iniciativë ligjore për vendosjen e automateve që shpëtojnë jetë në çdo familje. Deputeti thotë se kjo duhet të shndërrohet në një detyrim ligjor, duke propozuar edhe mundësinë që kjo gjë të realizohet nga investimet publike që mbulojnë kompanitë përgjegjëse.

“Tragjedinë e rëndë që ndodhi në familjen Kola në Fushë Arrëz e diskutova sot në komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Ngjarja ka të bëjë me humbjen e jetës së tre anëtarëve të një familjeje si rezultat i rënies nën tension. I kërkova komisionit që të nisim një iniciativë ligjore për vendosjen e automateve që shpëtojnë jetë në çdo familje. Të jetë detyrim ligjor, por dhe të shohim mundësinë që kjo të realizohet nga investimet publike që mbulojnë kompanitë përgjegjëse. Gjeta mbështetjen e Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit për këtë iniciativë, si dhe shprehjen e tyre të keqardhjes për këtë fatkeqësi”, shprehet Beci.

Tragjedia e të shtunës në Fushë Arrëz u shkaktua prej defektit të lavatriçes. Nëna dhe dy vajzat e familjes Kola vdiqën njëra pas tjetrën.

Sondazh

Poll