Aktualitet

Sazani digjet, Rama shëtit Çakon me helikopter, kreu i Emergjencave me syze dielli

Kreu i qeverisë shkruan se zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk është e nevojshme të ndizet akoma më shumë nga tastiera

6 Qershor 2022, 12:06 Nga F.M
Sazani digjet, Rama shëtit Çakon me helikopter, kreu i Emergjencave
Sazani dhe Haki Çako

VLORË- Ishulli i Sazanit është në flakë prej 24 orësh, por helikopteri nuk ndërhyn. Vetë kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, nga ku duket se mjeti fluturues i bie rrotull ishullit dhe vetëm e vëzhgon, duke mos ndërhyrë për shuarjen e zjarrit.

Brenda helikopterit është kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, të cilin siç duket kryeministri Rama e ka nxjerrë ‘shëtitje’. Me syze dielli dhe telefon në duar, Çako duket krejt i relaksuar, ndërkohë që sheh se si digjet Sazani. Krah videos, kreu i qeverisë shkruan se zjarri po mbahet nën kontroll dhe nuk është e nevojshme të ndizet akoma më shumë nga tastiera, referuar lajmeve e qytetarëve që kanë reaguar.

“Sazan - Rikonjicion nga ajri i vatrave të zjarrit. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi: Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje. I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanit është izolimi i vatrave nga toka duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth çdo vatre...Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera,”- shkruan Rama krah pamjeve.

Ishulli i Sazanit është përfshirë nga flakët mesditën e kaluar. Zjarri vijon të jetë aktiv prej thuajse 24 orësh dhe deri më tani nuk ka asnjë ndërhyrje nga ajri. Kjo pasi dy helikopterët që Shqipëria ka në dispozicion për raste të tilla janë në servis që nga muaji shkurt. Në Sazan janë shënuar edhe shpërthime të municioneve.

Sondazh

Poll