Bota

Nuk u lejua të shkonte në Serbi, Lavrov: Akt i paprecedentë, tregon frikën e perëndimit

Lavrov e përshkroi masën për të bllokuar fluturimin e tij si "të paprecedentë" dhe tha se në vend të kësaj do ta ftonte homologun e tij serb që ta vizitonte atë në Moskë.

6 Qershor 2022, 13:37 Nga d.a
Nuk u lejua të shkonte në Serbi, Lavrov: Akt i paprecedentë,
Lavrov

RUSI- Kremlini e ka përshkruar si një veprim armiqësor të tre vendeve të Evropës Lindore për të bllokuar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov të fluturonte për në Serbi.

Lavrov e përshkroi masën për të bllokuar fluturimin e tij si "të paprecedentë" dhe tha se në vend të kësaj do ta ftonte homologun e tij serb që ta vizitonte atë në Moskë. 

"Nëse një vizitë e ministrit të jashtëm rus në Serbi shihet në Perëndim si diçka që i afrohet një kërcënimi në shkallë universale, atëherë gjërat në Perëndim janë qartësisht shumë të këqija. Çështja kryesore është se askush nuk mund të prishë marrëdhëniet tona me Serbinë”,- tha Lavrov.

Serbia është një nga pak aleatët e mbetur të Moskës në Evropë që kur trupat ruse pushtuan Ukrainën në shkurt. Ndërsa Serbia e ka dënuar veprimin ushtarak të Rusisë në Ukrainë, ajo nuk i është bashkuar BE-së në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, pavarësisht përpjekjes së saj për t'u bashkuar me bllokun.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vulin, tha se ndjente keqardhje të thellë për pengimin e vizitës së Lavrov, të cilin ai e përshkroi si “një mik të madh dhe të dëshmuar të Serbisë”. Ai tha se ato vende që bllokuan vendin e tij nuk duan paqe, ata ëndërrojnë të mundin Rusinë.

"Serbia është krenare që nuk është pjesë e histerisë anti-ruse dhe vendet që janë, do të kenë kohë të turpërohen."-tha Vulin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e quajti lëvizjen "një tjetër kanal të mbyllur komunikimi" në komentet e raportuara nga agjencitë ruse të lajmeve.

Lavrov do të zhvillonte bisedime sot në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, por u detyrua të anulojë vizitën e tij pasi vendet përreth Serbisë, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët e tij.

Sondazh

Poll