Sport

Valencia shkarkon Bordalásin me telefon, pasi arriti një marrëveshje me Gattuson

Drejtori sportiv Miguel Ángel Corona, telefonoi këtë të premte trajnerin nga Alicante, për t’i komunikuar shkarkimin e tij nga detyra

3 Qershor 2022, 12:12 Nga DOSJA

Valencia shkarkon Bordalásin me telefon, pasi arriti një

SPANJE - José Bordalás tani nuk është më trajner i Valencias. Tekniku nga Alicante e dinte se kjo ishte çështje kohe, edhe pse ai kishte edhe një vit tjetër kontratë me klubin. Presidenti Peter Lim u përpoq ta mbante sekret, se ishte duke negociuar për të arritur një marrëveshje me Gennaro Gattuso në Singapor, derisa ‘TuttoMercato’ e zbuloi këtë të martën mbrëma. 

Disa orë më vonë, vetë klubi e konfirmoi këtë informacion, përmes radios zyrtare, pavarësisht se trajneri i ekipit nuk kishte marrë asnjë komunikim nga asnjë drejtues i klubit për atë që po ndodhte. Vetëm sekretari teknik, Miguel Ángel Corona, kontaktoi të hënën me trajnerin nga Alicante, pasi u zyrtarizua shkarkimi i tij edhe nga presidenti Anil Murthy.

Klubi nuk ka ndërmend të zyrtarizojë shkarkimin, derisa të arrihet një marrëveshje e plotë për zgjidhjen e kontratës. Valencia do të duhet t'i paguajë trajnerit një kompensim prej 700.000 eurosh, siç ishte rënë dakord në kontratën që ai nënshkroi në maj 2021 dhe në të cilën ishte hapur një dritare për një ndërprerje të njëanshme për secilën nga dy palët, me dënimin në fjalë. 

Bordalás tani është i lirë të negociojë me një klub tjetër, megjithëse stolat e kategorisë së parë në futbollin spanjol janë të mbuluara për momentin. Ai ka qëndruar vetëm një vit në detyrë, pasi u prezantua më 27 maj 2021 si "trajneri kryesor" Valencias, mbi të cilin do të ndërtohej projekti i ri. 

Ideja për ta larguar atë ishte e presidentit Anil Murthy, i cili u takua me Gattuso në Milano në prill. Bordalás largohet nga Valencia pasi përfundoi në vendin e 9-të në La Liga dhe si finalist i Kupës, humbi me penallti. Argumenti i përdorur nga klubi për të justifikuar shkarkimin u fokusua në shifrat e dobëta për nivelin e skuadrës së parë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll