Sport

Përplasja me Veliajn, Duka: Mund të më vrasin dhe me kallash, por unë s’lëviz me antiplumb

Sipas tij, ka gjëra që nuk parashikohen kur vjen puna tek politika.

27 Maj 2022, 09:34 Nga DOSJA
Përplasja me Veliajn, Duka: Mund të më vrasin dhe me kallash, por
Erion Veliaj dhe Armand Duka

TIRANË- Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka u është rikthyer konflikteve që ka pasur me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj. Në një prononcim për “Të paekspozuarit”, ai tha se vetë nuk kishte marrë asnjë masë për të mbajtur postin në FSHF. Sipas tij, ka gjëra që nuk parashikohen kur vjen puna tek politika. Madje ai bëri një krahasim duke shtuar se nuk lëviz me antiplumb, duke pasur në mendje se mund ta vrasin me kallash.

“Nuk kam marrë asnjë mase, as sot dhe as në të shkuarën, Kam bërë punën time. Nuk ka mënyrë ligjore si mund të marrësh një institucion. Çudira ndodhin. Kam parë me gjykatën e Tiranës, të luash shah, të bësh tre vendime brenda ditës. Po të shkosh për një gjykim nuk e merr për tre vjet. Nëse ka gjëra që nuk parashikohen, mund të dalin edhe nesër me kallash të më vrasin, unë nuk shëtis me antiplumb, duke besuar se nuk do të më vrasin me kallash...,”- tha Duka.

Duka dhe Veliaj janë parë teksa shtrëngojnë duart e flasin me njëri-tjetrin gjatë ditëve që Shqipëria priti Conference League. Ata u bënë bashkë në Kryeministri pak muaj pas përplasjeve të forta mes tyre. Gjithçka nisi prag zgjedhjeve për kreun e ri të FSHF-së. Veliaj deklaronte publikisht se kishte marrë zotimin për të pastruar futbollin, referuar Dukës që e quante ‘llumi i Shijakut’. Ai e akuzoi Dukën për shpërdorimin e rreth 2.1 milion euro fonde të UEFA-s dhe FIFA-s. Prokuroria e Tiranës nisi një hetim për Dukën, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. FSHF vuri në dispozicion edhe një material audio, ku dëgjohet zëri i kryebashkiakut Veliaj, që kërkon mbështetjen në bllok të kandidatit Eduard Prodani, ndërkohë që nuk mund të numërohen herët që kryebashkiaku lëshon gojën në mënyrë të rëndomtë e vulgare, duke përmendur organet gjenitale. 'Lufta' mes tyre ka kaluar në Gjykatë.

(F.m/dosja.al)

Sondazh

Poll