Aktualitet

Presidenti i ri/ Yuri Kim merr përsipër negociatat, askush s’flet për rolin e saj?

5 Prill 2022, 14:34 Nga DOSJA
Presidenti i ri/ Yuri Kim merr përsipër negociatat, askush

TIRANË- Prej dy ditësh, Kryesia e Kuvendit “zjen” nga vizitat, sidomos nga ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim. Dje, ajo shkoi për 30 minuta vetëm për të takuar kryeparlementaren Lindita Nikolla, sipas saj për të diskutuar lidhur me investimet strategjike në Shqipëri dhe luftën kundër krimit. Të paktën kështu pretendoi Kuvendi në njoftimin që shpërndau disa orë pas takimit, ndërsa Kim heshti, duke mos ndaluar as për të komunikuar me mediat. Por çdo pyetje të gazetarëve iu përgjigj vetëm me nga një buzëqeshje.

Ndërsa sot u kthye për të zhvilluar një tjetër takim, e duke dhënë mesazhe të forta politike që i ka kursyer pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit. Kim nuk njeh vendimin e Gjykatës së Tiranës, e preferon që të diskutojë me të besuarit e kryetarit të dorëhequr të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sot, Enkelejd Alibeajt iu referua si kryetari i komanduar dhe si kryetari i grupit parlamentar i PD-së, ndërsa nesër do të takohet me kryetarin e grupit të PS-së, Taulant Balla.

Pra është takuar me dy kryetarë të grupeve parlamentare! Rastësi? Kim duket se ka nisur furishëm takimet kur në vend kanë nisur të qarkullojnë zërat për emrat e presidentit të radhës që do të zëvendësojë Ilir Metën, të cilit i përfundon mandati në korrik. Mesa duket ambasadorja Kim, nën tavolinë, ka marrë përsipër që të diskutojë dhe “bekojë” emrin e ri të kreut të shtetit, detyrë që nuk është pjesë e kompetencave të saj si ambasadore e SHBA në Shqipëri. Në ditët në vijim, ajo pritet që të takojë edhe kryetarët e tjerë të grupeve parlamentare të opozitës, Fatmir Mediun dhe Mesila Dodën.

Por pse? Pse duhet që të marrë pjesë një ambasadore e huaj për një proces që duhet t’i takojë deputetëve të Kuvendit? Nëse Kim është e përfshirë në negociata, përse nuk e pranon publikisht? Cilat janë direktivat që po u jep palëve që takon çdo ditë në Kuvend? Takime që kurrë nuk i ka zhvilluar në atë godinë. Jemi vërtetë të paaftë për të zgjedhur një emër mbi palët? Po premtimi i Ramës, që në 10 shtator e bëri nga Foltorja e Kuvendit, ku përfundoi? Kreu i qeverisë e bëri të qartë se me opozitën nuk do të negocionte kurrë më në anglisht, duke nënkuptuar se nuk do të pranonte më ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në çështjet që i përkasin politikës së brendshme. Pse hoqi dorë? Çfarë po ndodh nën rrogoz e përse nuk jep askush asnjë sqarim? Këto pyetje nuk marrin përgjigje nga buzëqeshjet e ambasadores për gazetarët, por fjalë e qëndrime zyrtare. Në mos nga ajo, të paktën të marrim përgjigje nga politikanët tanë…

(k.m/dosja.al)

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

kryesore politike presidenti i ri yuri kim presidenti i ri yuri kim

Sondazh

Poll