Politike

Ceremonia në SHBA/ Rama: Tre dekada më parë ishim bunker i zi, si Koreja e Veriut e Europës

15 Shkurt 2022, 11:15 Nga DOSJA
Ceremonia në SHBA/ Rama: Tre dekada më parë ishim bunker i zi, si

TIRANË– Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë e organizuar nga Shqipëria në SHBA, për mandatin e përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në OKB, se vendi ynë tre dekada më parë ka qënë bunker i zi. Më tej, kreu i qeverisë tha se vendi ynë krahasohej si Koreja e Veriut e Europës. Rama theksoi se transformimi i Shqipërisë është një prej më mbresëlënësve e më me ndikim gjatë tre shekujve të fundit.

Faleminderit Z. President i Asamblesë së Përgjithshme për fjalët tuaja të mira. Me ç’kuptoj unë, ju jeni shefi i shumë prej këtyre në këtë sallë që na nderojnë me praninë e tyre. Zonja e zotërinj, Të dashur miq, Mirëmbrëma të gjithë bashkatdhetarëve! Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspiratat tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë. Më lini ta nis, duke dalë jashtë skenarit dhe duke e thënë troç, përkundër këshillës së ambasadorit dhe të të tjerëve: Sikur për asgjë tjetër, por vetëm për një tubim si ky, ku kaq shumë miq e të ftuar të shquar janë të pranishëm për të ndarë këtë moment me ne, ma ha mendja se Mandati i Këshillit të Sigurimit ia vlen. Ju faleminderit që jeni këtu! Vetëm një imagjinatë pa fre do kish guximin ta ëndërronte diçka të tillë veç tri dekada më parë. Madje dyshoj se edhe imagjinata më e shfrenuar nuk do kish qenë dot aq e shfrenuar sa ta ëndërronte këtë tri dekada më pare. Asokohe, Shqipëria ishte një bunker në terr. Për thuajse gjysmë shekulli, ajo u zvarrit nën një nga regjimet komuniste më shtypëse në Europë, që e bëri vendin tonë, më duhet ta them, Korenë e Veriut të Europës. Diktatura u shkërmoq falë thirrjes së njerëzve drejt asaj çka për natyrën njerëzore është një nevojë e brendshme: lirisë, barazisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shumë herë, rrota e historisë lëviz në drejtime të çuditshme. Për ne shqiptarët, zgjimi erdhi mjaft vonë, por ne i mbajtëm sytë kah na thërriste drita dhe qysh atëherë kemi ecur në një drejtim të vetëm, atë të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave e dinjitetit të njeriut, zhvillimit dhe reformave. Që prej kësaj kohe, kërkimi i vendit të merituar në rajon dhe Europë ka mbetur busulla jonë, edhe në momentet më të mundimshme në rrugën tonë të vështirë drejt një shoqërie të lirë e demokratike, drejt familjes me të cilën duam të bashkohemi, familjes europiane së cilës i përkasim. Bota ka ndryshuar dhe është transformuar gjatë 66 vjetëve të fundit, që prej ditës kur u anëtarësuam në OKB. Shumë vende e shoqëri kanë parë jetët e tyre të ndryshojnë rrënjësisht, por mund ta them pa asnjë dyshim se transformimi i Shqipërisë është një prej më mbresëlënësve e më me ndikim, deri në atë pikë sa prirem te bie dakord me miqtë që na thonë se përgjatë tri dekadave të fundit, Shqipëria është transformuar më shumë se gjatë tre shekujve të fundit.

LAJMI KRYESOR: VD- Shqipëria në Këshillin e Sigurimit, Rama: Historike. Presidenti: Presim bashkëpunim

(a.b)/dosja.al

Ndihmës-Sekretarja e Shtetit takoi Alibeajn, ndërsa Paloka deklaroi se ka firmosur peticionin kundër ambasadores Kim. Çfarë do të thotë kjo për PD?

View Results

politike politike edi rama edi rama 15 shkurt 2022 edi rama edi rama 15 shkurt 2022

Sondazh

Poll