LIVE UPDATES
Insights

Projektligji "Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë": Domosdoshmëri apo lëvizja e radhës?

Çfarë ka ndryshuar në këta 10 vjet që i ka shtyrë juristët e ministrisë së jashtme për të ndërmarrë një iniciativë të re ligjore?

15 Dhjetor 2025, 13:23 Nga Idriz Konjari
Projektligji "Për shërbimin e jashtëm në
Idriz Konjari

Duke lexuar këtë projektligj i hedhur për “konsultim publik” nga Ministria e Jashtme në faqen e saj të internetit, dërguar edhe në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në respekt te punës së kolegëve të mi diplomatë dhe ish-diplomatë që kanë punuar për hartimin e tij po radhis disa pyetje dhe komente që mund të jenë të shumta, si: Pse një ligj i ri për shërbimin diplomatik? Pse tani? Sa lidhet projektligji i ri me dinamikën e zhvillimeve gjeopolitike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Po të krahasohen relacionet e vitit 2015 drejtuar Kuvendit, dhe relacionit të hedhur në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, shohim se edhe pas dhjetë vitesh, argumentet janë të njëjta mbi domosdoshmërinë e hartimit të një ligji të ri dhe ngjajnë si dy pika uji: “ka kaluar gati 10 vjet.....rregullon më mirë fushën e kompetencave....zgjeron fushën e bashkëpunimit...në përputhje me dinamikën e zhvillimeve në marrëdhëniet ndërkombëtare.....siguron pastërtinë e figurës”....etj., etj.

Çfarë ka ndryshuar në këta 10 vjet që i ka shtyrë juristët e ministrisë së jashtme për të ndërmarrë një iniciativë të re ligjore ?

Autorët e projektligjit marrin guximin që t’i referohen, në mënyrë nominale, modeleve sllovene, lituaneze dhe letoneze. Jo vetëm që projektligji shqiptar nuk ka asgjë të përbashkët me to si në koncept, filozofi dhe frymë, por synon të ndikojë opinionin e ligjvënësve me disa terma specifik të huazuar nga ato ligje. Ndërkohë që Shqipëria nga viti 1998 synon të miratojë ligjin e katërt për shërbimin e jashtëm, Sllovenia ka bërë vetëm dy ligje (2001 dhe 2003 me tre amendime), Lituania një ligj (1998, ku amendimi i fundit është bërë në vitin 2006), si dhe Estonia një ligj (2006).

Sa më sipër, por edhe nenet që lidhen me: qëllimin e ligjit; përkufizimet përkatëse të diplomatit; marrëdhënieve të shërbimit të jashtëm me institucionet e tjera kushtetuese; rolin e komisionit të karrierës diplomatike; kompetencat për hapjen apo mbylljen e përfaqësive diplomatike jashtë shtetit; përzgjedhja dhe emërimi i krerëve të misioneve diplomatike; personelin e misioneve diplomatike; periudhat e emërimit në përfaqësi diplomatike; ecurinë, afatet dhe procedurat e marrjes së gradave diplomatike; janë lehtësisht të verifikueshme përmes një krahasimi të projektligjit të propozuar dhe ligjeve të vendeve që janë marrë si referencë.  

Flitet për “DISA RISI”?! Ku?! Si?!

Pretendohet se sjell disa risi, por po të shohësh argumentet në relacion risitë nuk kanë lidhje fare me dinamikën e zhvillimeve gjeopolitike dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare siç pretendohet nga drejtuesit e lartë të ministrisë së jashtme, në sqarimet e tyre të bëra  publike në faqen e internetit të ministrisë. Madje, si argument thelbësor konsiderojnë rritjen e kohës së qëndrimit të diplomatëve nga 3 në 4 vjet. A thua se kjo është gjeja më e rëndësishme të për argumentuar domosdoshmërinë e hartimit dhe miratimit të një ligji të ri.

Megjithatë, për t’i shkuar projektligjit më në thellësi, vërejmë se si nga ana statistikore, ashtu edhe përmbajtësore, asgjë nuk e justifikon hartimin e një ligji të ri. Ndryshimet e propozuara, thjesht lidhen me mënyrën e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe aspak me politikën e jashtme. Për këtë arsye kemi shumë të drejtë të mendojmë se dispozitat e propozuara bëhen për të sanksionuar në ligj të gjitha prurjet politike në këto 10 vite. 

Sa më sipër bëhet edhe më e qartë kur e analizon projektligjin nen për nen. Vetëm gjashtë nene të reja, nga të cilat vetëm dy prej tyre duket se kanë një përmbajtje dhe që, nëse shkojmë me logjikën e hartuesve të projektligjit, mund të konsiderohen risi: e para, futja e Akademisë Diplomatike brenda ligjit, a thua se nuk ka qenë pjesë e ligjit të vitit 2003 dhe që për të cilën ende është në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 2006, me nr.90; dhe e dyta ngritja e Komisionit të Apelimit, krahas atij për Karrierën Diplomatike dhe Disiplinës. Kjo e fundit është vërtet shumë qesharake, pasi siç mësojmë nga burime brenda ministrisë së jashtme, titullarët e këtij institucioni refuzojnë të zbatojnë vendimet e gjykatave e jo më të marrin seriozisht vendimet e komisionit të ngritur e kontrolluar nga ministri i jashtëm. Të gjitha nenet e tjera kanë disa rregullime gjuhësore dhe përmirësime të konfuzionit mes termave që përmban ligji aktual, por që në asnjë mënyrë nuk e justifikon “domosdoshmërinë” e një ligji të ri.

Gjithashtu, në projektligji vërehet, se nga njëra anë forcohen kriteret për hyrjen në shërbimin e jashtëm dhe promovimin në karrierë, nga ana tjetër, përmes dispozitave të veçanta, ata që hyjnë në shërbim nga dritarja politike e në të gjitha nivelet, mund të konsiderohen diplomatë karriere dhe madje edhe t’i kapërcejnë të gjitha etapat e të trajtohen me grada të larta diplomatike në mbarim të emërimeve në përfaqësitë diplomatike.

Titullarët e ministrisë duhet të shqetësohen për përmbysjen e sistemit të gradave diplomatike, madje për një përputhshmëri më të mirë e më të drejtë mes lidhjes së niveleve drejtuese me nivelet më të larta të gradave diplomatike, sepse edhe ketu ka mangesi.

Dikush mund të argumentojë se dhe vendet e tjera si ato të SHBA, BE apo Mbretërisë së Bashkuar kryejnë emërime politike. E vërtetë, por i kanë transparente e të kontrolluara. Shërbimi Diplomatik i SHBA pranon një përzierje të diplomatëve të karrierës dhe të emëruarve politikë – historikisht një ndarje afërsisht 70/30 (kryesisht për pozicionin Ambasador dhe jo në vende strategjike për SHBA) – por e përfshin këtë praktikë në transparencë (emërime publike), konfirmim legjislativ dhe një shërbim të fortë dhe të mbrojtur karriere. Modeli amerikan kontrollon politizimin në vend që ta maskojë atë.  

Franca, ka një sistem të dyfishtë: Corps Diplomatique (karrierë) dhe ambasadorë politikë (të pakët, për poste specifike). Përqindja e emërimeve politike është nën 15%, dhe çdo rast është subjekt i debatit parlamentar. Trajnimi dhe rekrutimi bëhen përmes ENA (École Nationale d’Administration), e cila garanton depolitizim institucional.

Ne Slloveni, Lituani, Estoni shumica e ambasadorëve, janë diplomatë karriere, dhe çdo përjashtim politik është i dokumentuar publikisht. Shërbimi diplomatik është pjesë e administratës civile, me karrierë të qartë dhe nivele të mirë përcaktuara. Emërimet politike janë të kufizuara në më pak se 10% të posteve të nivelit të lartë. Akademia Diplomatike funksionon si kusht paraprak për hyrje në shërbim.

Në frymën e angazhimit të shtetasve shqiptarë, të cilët punojnë apo kanë punuar si ekspertë me Organizata Ndërkombëtare dhe të cilët duan të bëhen pjesë e Shërbimit të Jashtëm, projektligji parashikon t’i japë mundësinë që të bëhen pjesë e Shërbimit të Jashtëm nëse duan për të sjellë ekspertizën e tyre.

Së pari, askush nuk mund të vërë në pikëpyetje ekspertizën që individë të tillë mund të kenë në organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Por, shërbimi diplomatik shqiptar,  ka një ekspertizë shumë të pasur që i tejkalon disa herë eksperiencat personale, ka ekspertizën e diplomatëve të karrierës, të cilët e kanë anëtarësuar vendin në shumë organizata ndërkombëtare dhe rajonale pas vitit 1992 e në vijim, e kanë bërë anëtare të Këshillit të Evropës, anëtare të NATO-s, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, duke i hapur rrugën marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, si dhe mbi të gjitha, duke i bërë shqiptarët të lëvizin lirshëm, pa viza, në të gjitha vendet e BE.

Së dyti, ka një dallim shumë të madh midis diplomatëve të karrierës dhe ekspertëve. Çdo diplomat karriere vjen nga një fushë njohje dhe ekspertize dhe e zhvillon atë në përputhje me praktikat diplomatike. Ndërsa ekspertët, e kanë të kufizuar spektrin e objektit të tyre të punës, madje në të shumtën e rasteve janë teknicienë, që fare mirë mund të merren me kontrata të përkohshme për qëllime të caktuara, por jo të konsiderohen diplomatë karriere.

Dhe së treti, diplomati i karrierës kalon nga nivelet më të ulëta të gradave diplomatike e deri tek ato më të larta, përmes një eksperience unikale nëpër drejtoritë e ministrisë dhe misionet diplomatike jashtë shtetit, në kontakt të vazhdueshëm me diplomatë nga vende të ndryshme të botës, që nuk mund ta ketë asnjë ekspert, sado i zoti të jetë. Eksperti të vlerësohet si i tillë, por jo si një diplomat karriere.

Por duke u thelluar edhe më shumë në projektligj, vërejmë edhe nja dy fakte shumë interesante, që lidhen me interesin për të shtuar kompetencat e ministrit, madje edhe në konflikt të hapur me Kushtetutën e vendit. Kjo e fundit rezulton edhe në ligjin aktual në fuqi, përmes kufizimit të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, duke i vendosur afate Presidentit që Kushtetuta nuk i parashikon. Por, me projektligjin e propozuar kompetencat e ministrit shkojnë edhe më larg. Ai merr kompetenca që të emërojë “koordinatorë” si pranë Presidentit të Republikës ashtu edhe Kryeministrit, madje edhe me kohë të kufizuar (2 vjet). Ndërkohë, që si Presidenti i Republikës ashtu edhe Kryeministri, në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, emërojnë në kabinetet e tyre këshilltarë dhe ndihmesa(nuk kanë në organikë koordinatorë), sipas gjykimit dhe vlerësimit të tyre gjë që nuk mund t’ia imponojë vartësi i tyre, si për nga hierarkia kushtetuese ashtu edhe e ceremonialit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, Ministri, mund edhe të emërojë në misionet diplomatike persona të veçantë me gradën diplomatike Ambasador, ndërkohë që kjo gradë praktikisht dhe ligjërisht konsiderohet honorifike dhe jepet veç nga Presidenti i Republikës. Nuk mund të ketë gradë emërimi Ambasador, përveç Shefit të Misionit që mban gradën Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, nëse nuk ndryshohet koncepti i dhënies së gradës Ambasador.

Ligji në fuqi, por edhe projektligji i propozuar, në dallim me praktikat e shumë prej vendeve të BE-së, gradën diplomatike Ambasador e konsideron honorifike dhe jo thjesht shkallën më të lartë në karrierën diplomatike, madje duke futur klauzola që ajo të mund të përfitohet vetëm nga persona të veçantë e të preferuarit e ministrit apo kryeministrit. Precedenti që krijohet ka qenë dhe është tejet dëmtues për të ardhmen dhe reputacionin e shërbimit të jashtëm shqiptar.

Por nuk mbaron këtu. Në projektligj gjen edhe çudira të tilla ligjore, si “Bashkëpunimi me Kryeministrin” (neni 9 i projektligjit), ku thuhet se: “Ministri informon dhe i paraqet Kryeministrit.....Ministri i raporton Kryeministrit mbi.....”, a thua se Ministri nuk është pjesë formale dhe funksionale e Këshillit të Ministrave që kryesohet nga Kryeministri. Pyetja që lind është: cili është ai ministër që nuk informon dhe raporton tek Kryeministri?

Dhe qershia mbi tortë është neni absurd (Neni 68, Aktet nënligjore), i cili në pikën 2 të tij parashikon se: “Brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të gjithë diplomatët në shërbim duhet t’i nënshtrohen një testimi të detyrueshëm për të verifikuar aftësitë e tyre.....”

Së pari, autorët e projektligjit e denigrojnë shërbimin e jashtëm, si në asnjë vend tjetër, pasi diplomatët e zhvillojnë karrierën e tyre në mënyrë unikale, që nga hyrja në shërbimin e jashtëm e më pas përmes marrjes së gradave diplomatike një e nga një (sigurisht ka edhe raste përjashtimore dhe abuzive), ku përfshihen disa lloj testimesh, trajnimesh, përditësimesh dhe eksperiencash shumë specifike. Maxhoranca qeverisëse nuk mund të kujtohet pas 12 vitesh drejtim të shërbimit të jashtëm pa ndërprerje për të bërë një testim të tillë absurd (qeveritë e majta nga 33 vite demokraci e kanë drejtuar shërbimin e jashtëm për rreth 25 vite, dhe të gjitha ligjet e shërbimit të jashtëm janë bërë prej tyre).

Së dyti, kush do ta bëjë këtë testim aftësish, veçanërisht për diplomatët e karrierës që i kanë kaluar mbi 15 vite në shërbimin e jashtëm e që hyjnë në nivelin e atyre që quhen “senior diplomat”, për të mos folur për ata që kontribuojnë prej më shumë se tre dekada në shërbimin e jashtëm. Periudha e gjatë në shërbimin diplomatik, kudo konsiderohet si shumë e vyer për karrierën e një diplomati. Përgatitja e një diplomati, si nga ana e njohurive ashtu edhe e komunikimit, përmes testimeve, trajnimeve dhe përditësimeve të njohurive, kërkon një kohë relativisht të gjatë dhe nuk mund të hidhet poshtë me një të rënë të lapsit nga drejtuesi i radhës.

Së treti, çfarë do të ndodhë pas mbarimit të 12 muajve dhe marrjen e diplomatëve të tjerë në shërbimin e jashtëm, pasi procedurat e rekrutimit janë po ato, duke kaluar nga Departamenti i Administratës Publike, trajnimi disa mujor në ministrinë e jashtme dhe në fund testimi për hyrjen në shërbimin e jashtëm?

Së katërti, si do të procedohet me personat që prej kohësh kanë mbushur moshën e pensionit dhe që janë emëruar nga nivelet më të ulëta e deri tek nivelet më të larta të drejtimit të përfaqësive diplomatike? Po për ata që janë në prag të moshës së pensionit pas më shumë se tri dekadash në shërbimin e jashtëm?

Pyetjet janë të shumta, por mund të konkludojmë, se thelbi i këtij projektligji jo vetëm që nuk e përmirëson, por e dëmton edhe më shumë sistemin e karrierës diplomatike në kundërshtim me praktikat e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, që shërbimin e jashtëm e kanë thuajse 100% të bazuar në sistemin e karrierës.

Urojmë, që Komisioni i Kuvendit për Politikën e Jashtme, të mos ndjekë shembullin e ministrisë së jashtme dhe të paraqesë të njëjtin raport që ka pas paraqitur më 11 mars 2015. Mangësitë përmirësohen por mangësitë, veçanërisht ato ligjore, dëmtojnë dhe rëndë madje në afatgjatë! E thënë me thjeshtë - mos shkohet nga KEQ në DREQ!

idriz konjari

Sondazh

Poll
Insights 12 Dhjetor 2025, 13:14 Klodian Tomorri

Busulla e humbur e PD-së

Partia Demokratike ka mbajtur nje qendrim shume te mire per dy projektligjet e Paqes Fiskale duke i kundershtuar si mekanizem pastrimi parash dhe falje taksas...

Insights 10 Dhjetor 2025, 11:09 Brisida Shehaj

Grupi Parlamentar si tren pa destinacion

Brisida Shehaj Si çdo ditë e nisa mëngjesin duke ndjekur Flavio Qarrin, i ftuar Saimir Korreshi Deputeti i Partisë Demokratike, tema ...

Insights 8 Dhjetor 2025, 09:53 Mimoza Picari

“Kazerma”! Klithma që duhet dëgjuar

Foto ilustruese Me filmin “Kazerma” Turjan Hyska, duke lëshuar një breshëri dimensionesh kinematografike mbi gjithë egë...

Insights 4 Dhjetor 2025, 07:46 Enver Robelli

Ku ishim më 1908?

Enver Robelli Lexojeni raportin e konsullit austriak Oskar Prochaska, të cilin ia dërgonte nga Prizreni ministrit të jashtëm austro-hu...

Insights 3 Dhjetor 2025, 14:09 Marko Prelec dhe Bernhard Knoll Tudor

Protektorati i Përjetshëm

Presidenti serb Slobodan Millosheviç, Presidenti kroat Franjo Tudjman dhe ai i Bosnjës Alija Izetbegoviç Fundi i Luftës së Bos...

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet

Dhunuan dhe kërcënuan me një pistoletë 70-vjeçarin në banesën e tij, arrestohen tre të rinjtë

Laura Pausini dhe Tom Cruise pjesë e ceremonisë së mbylljes së Botërorit 2026

Ish i burgosuri në Fier: Nuk jeton dot në Shqipëri pa shkelur ligjin, bën vaki të kthehem prapë

I burgosuri falënderon Zotin pas daljes nga qelia: Jam krenar për burgun që kam bërë!