29 Shtator 2024, 16:21
Nga Muhamedin Kullashi
Muhamedin Kullashi
KOSOVË- Orientimi politik i qeverisë Kurti, që nga fillimi i mandatit më 2021, u shqua me prirje gjithnjë e më të theksuar, për shpërfillje të kërkesave të vendeve aleate për bashkërenditje e koordinim në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova, në veçanti ato që kanë të bëjnë me raportet me Serbinë.
Njeri nga rastet karakteristike, kohëve të fundit, ka të bëjë me refuzimin e qeverisë që të bashkëpunojë në zhbllokimin e ndalesës për importin e mallrave nga Serbia. Në Raportin e Progresit për Kosovën, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka theksuar se ndalesa e qarkullimit të mallrave është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-asocimit, e cila përbën marrëveshjen e vetme kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Përfaqësuesi zyrtar i Gjermanisë, Manuel Sarazin, i bëri në fillim të muajit shtator, brenda një jave, dy takime me kryeministrin Kurti për të arritur zgjidhjen e këtij problemi. Kryeministri i Kosovës shpjegoi se arsyeja e refuzimit të kësaj ndalese nuk ka të bëjë me tregtinë, por me “sigurinë nacionale”, përkatësisht me rrezikun që bashkë me mallrat nga Serbia të hyjnë edhe armatimet. Pala gjermane u zotua të sigurojë vendosjen e pajisjeve X-Ray, të cilat do të mundësonin detektimin e armëve në kufi. As ky propozim nuk e luhati vendosmërinë e qeverisë për të ndaluar importin e një pjese të mallrave nga Serbia. Kësisoj Qeveria Kurti po e rrezikon Kosovën që të përjashtohet nga Procesi i Samitit të Berlinit, e kjo do të ishte goditja e dytë më e rënda pas mosanëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Kriza e tabelave të veturave
Mirëpo, sigurinë nacionale në fakt nuk e bëri të mundur Kurti, por vendet aleate të NATO-s. Të përkujtoj në këtë kontekst rastin e krizës të cilën Kurti e shkaktoi me tabelat e veturave të qytetarëve më 2021: asokohe Vuçiq koncentroi trupa ushtarake në kufirin me Kosovën. Karshi këtij kërcënimi ishte reagimi i NATO-s ai që e detyroi Serbinë t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën. NATO-ja e paralajmëroi shtatmadhorinë e ushtrisë së Serbisë çfarë përgjigje do t’i jepte këtij kërcënimi për ta sulmuar Kosovën: në letrën që shefi i shtatmadhorisë së ushtrisë serbe ia dërgoi Vuçiqit janë edhe tri rreshta të cilat i publikoi e përditshmja “Danas”: “Z. President NATO na ka njoftuar se, në reagimin e tyre, së pari do të goditej shtatmadhoria e ushtrisë sonë”. Në anën tjetër, ishin vendet aleate ato që e zgjidhën problemin me targa të veturave.
Zaten, sigurinë nacionale të Kosovës, ka më së një çerekshekulli që e bën të mundur NATO-ja. Mirëpo, është politika e Kurtit, me orientimin izolacionist e cila e rrezikon atë. Ne jemi dëshmitarë, tani e katër vjet të këtij orientimi të dëmshëm, i cili është kundër interesave të Kosovës. Më duhet të saktësojë se jo vetëm siguria, por edhe zhvillimi ekonomik, sikurse edhe zhvillimi në të gjitha sferat e Kosovës është bazuar në mbështetjen e fuqishme, politike dhe ekonomike të vendeve aleate. Qytetarët e Kosovës, në fakt, nuk e kanë votuar Kurtin që t’i dëmtojë lidhjet dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Gjatë 8 vjetëve, si ambasador i Kosovës në Francë(2008-2017), por edhe më parë, që nga viti 1999 (intervenimi i NATO-s) kam qenë dëshmitar, veç tjerash, i habisë dhe respektit të diplomatëve të lartë të shteteve të shumë vendeve me shkallën dhe intensitetin e mbështetjes (politike, ekonomike e ushtarake) që Kosovës ua ofronin vendet perëndimore. Ndërkaq, tani e katër vjet ne jemi dëshmitarë të erozionit të kësaj mbështetjeje për shkak të politikës së Qeverisë Kurti : janë sidomos jo-koordinimi e jo-bashkëpunimi me vendet aleate, por edhe mungesa e njohurive që ndikojnë në realizimin e objektivave politike e ekonomike.
Rezultati i kësaj politike i konvenon jo vetëm Serbisë, por edhe Rusisë: dëmtimi i lidhjeve të shumëfishta me vendet perëndimore, këto katër vjet, realizoi atë që ato dy vende kishin projektuar në veçanti qysh nga çlirimi i Kosovës nga Serbia.
“Kosova nuk çlirua nga NATO”
Më duhet të përkujtoj se optika politike e Kurtit u manifestua edhe në deklaratën e tij për media më 2010, se “Kosova nuk u çlirua nga NATO” : kjo e “ e vërtetë” përkatësisht ky vetëmistifikim , edhe dhjet vjet pasi u dëbua ushtria dhe policia e Serbisë nga Kosova, pasi ajo nënshkroi me NATO-n në Kumanovë aktin e kapitullimit, dhjet vjet pasi Kurti deshi t’ua hapë sytë shqiptarëve të Kosovës, por edhe të tjerëve se “Kosova nuk u çlirua nga NATO-ja”. Kjo deklaratë nxjerr në shesh karakterin halucinant të “vizioneve” politike të Kurtit e në anën tjetër orientimin e tij antiperëndimor. Ai kishte nevojë që publikisht ta mohojë me fjalët e veta atë realitet masiv të çlirimit, të cilin e pranuan jo vetëm Serbia e Rusia, por edhe shtete të tjera joperëndimore ndonëse u deklaruan kundër operacionit të çlirimit. Është fjala për një margaritar të gjuhës “novlangue” të cilën e kritikonte Orwelli: përkatësisht zhveshjen e fjalëve nga kuptimi që kanë, rrënimin e domethënies dhe kuptimit që ato bartin.
Kjo deklaratë lidhet me “thesarin” ideologjik të LVV-së, përkatësisht me qëndrimet kundër intervenimit të NATO-s në vitin 1999. Ndërsa shumica e madhe e partive politike dhe pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës e kishte kuptuar fort mirë domethënien dhe rëndësinë e intervenimit të NATO-s duke shfaqur mirënjohje ndaj vendeve perëndimore për çlirimin e Kosovës.
Një intervenim me përmasa të tilla ka mbetur si një ngjarje e madhe ushtarake por edhe politike, jo vetëm në historinë e shqiptarëve. Ndërkaq LVV-ja, nën ndikimin e skemave ideologjike enveriste dhe atyre majtiste « antiimperialiste” gjatë viteve kundërshtoi intervenimin e NATO-s. Të jesh kundër këtij intervenimi të NATO-s, i cili bombardonte caqet ushtarake e strategjike të Serbisë, kjo do të thotë, objektivisht, të jesh për vazhdimin e krimeve masive të trupave serbe mbi shqiptarët e Kosovës dhe pengimin e kthimit të afro 800000 shqiptarëve në shtëpitë e tyre. Së këndejmi, domosdoja e kultivimit të marrëdhënieve të frytshme me vendet perëndimore ka qenë evidente që moti për shqiptarët e Kosovës dhe për zyrtarët e saj politikë.
Kjo u bë aq më e qartë ngase shpresa dhe preokupimi kryesor i Serbisë është, që nga viti 1999, si të dëmtohen raportet e Kosovës me këto vende perëndimore, si të izolohet Kosova. Por pikërisht vendet perëndimore që morën pjesë në çlirimin e Kosovës ndihmuan fuqimisht, në vijim, krijimin e lidhjeve politike e ekonomike të Kosovës me 108 shtete nga disa kontinente. Ato ndihmuan në integrimin e saj në 33 organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe CEFTA (2007). Kurse Qeveria Kurti, tani e katër vjet nuk arriti asnjë njohje nga shtete të tjera e as integrimin në ndonjë organizatë. Kësisoj, “mbrojtja e sovranitetit” të Kosovës e Qeverisë Kurti rezultoi me izolim gjithnjë e më të theksuar.
Mirëpo situatën e tashme e bën edhe më të rëndë fakti se kjo qeveri nuk ka treguar as vullnet e as njohuri për bashkëpunim ndërkombëtar me vende me të cilat gjatë dy decenieve kemi pasur bashkëpunim të rregullt në disa fusha: politike, ekonomike e kulturore.
Kundër pavarësisë së Kosovës
Të përmendim në këtë kontekst edhe qëndrimin vehement të Kurtit kundër pavarësisë së Kosovës (Klan Kosova, 27 janar 2008) në një emision televiziv. Kjo nuk e pengoi që disa vite më vonë të kërkojë votat e qytetarëve të Kosovës për postin e kryeministrit, me premtime shumë të zëshme se do të bëjë të lulëzojë Kosova.
Për ndalimin e importeve nga Serbia, Kosova është kritikuar edhe në raportin e sivjetmë të Departamentit amerikan të Shtetit për klimën e të bërit biznes në Kosovë. Aty është thënë se “ndalesa ka shkaktuar konfuzion të madh tek importuesit dhe ka ndikuar negativisht te kompanitë në pronësi të subjekteve të huaja në Kosovë, për shkak të ndërprerjes në zinxhirin e furnizimit”.
Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, së voni gjatë një konference për shtyp, i ka rekomanduar kryeministrit Kurti që të kthehet në bashkëpunim të afërt me SHBA-në, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ndërkaq Qeveria Kurti preferon të konfrontohet me zyrtarët e lartë të vendeve perëndimore: kështu i duket vetja më madhe dhe më impresive. Pastaj edhe disa këshilltarë e ministra, sa më injorantë aq më arrogantë, imitojnë këto kapardisje që janë gjithsesi të dëmshme për Kosovën. Por janë edhe shprehje e një politike që cilësohet me shterpësi. Është fjala për sjellje, që nuk janë veprime të cilat do t’i ofronin ndonjë dobi shtetit të Kosovës. Është e sigurt se këto qëndrime ndaj vendeve aleate vetëm sa i dëmtojnë interesat e Kosovës.
Një aspekt tjetër i izolimit të Kosovës shfaqet me imponimi e masave ndëshkuese nga SHBA-ja dhe vendet evropiane; këto vende madje kanë shqyrtuar mundësinë edhe për disa masa të tjera ndëshkuese ndaj Kosovës. Kësisoj, për herë të parë, tani e një çerekshekulli, kryeministri i Kosovës nuk ftohet, veç përjashtimisht, nga homologët e vet të vendeve aleate, as në takime bilaterale e as në konferenca ndërkombëtare. Këto shtete e kanë bërë të ditur se në këto rrethana nuk mund të angazhohen për krijimin e lidhjeve të reja të Kosovës me shtete dhe organizata ndërkombëtare. Por këto reagime serioze nuk e kanë lëkundur vendosmërinë e Kurtit që t’i kundërvihet të gjitha këtyre vendeve, deri më dje aleate, me rolin vendimtar në çlirimin e Kosovës, në rindërtimin e saj, në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e arsimit dhe shkencës, e në veçanti mbështetje në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës me vende të tjera.
Kosova po mbyllet vetë
Dështimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës kurse tani edhe paralajmërimet për një përjashtim të mundshëm nga Procesi i Berlinit, në rast se Kosova nuk vepron në përputhje me marrëveshjen për tregti të lirë, CEFTA, e kanë afirmuar pohimin se Kosova po e mbyll vetë rrugëtimin kah organizatat e rëndësishme ndërkombëtare.
Qeveritë e mëparshme të Kosovës kanë pasur të meta të ndryshme, por nuk u ka munguar një pragmatizëm elementar politik në bashkëpunimin dhe koordinimin me SHBA-në, me vendet e Bashkimit Evropian dhe me NATO-n.
Qytetarët e Kosovës nuk e kanë votuar këtë qeveri që ta shpjerë vendin në izolim, në varfërim të bashkëpunimit i cili është nervi i zhvillimit të një shteti. Kjo qeveri tani e ka bërë të dukshme politikën e vet të izolimit. Kjo politikë, siç është bërë tanimë e qartë, i konvenon jo vetëm Serbisë, por edhe Rusisë: ndonëse Kurti do të paraqitet si “mbrojtës” i sovranitetit të Kosovës. Mirëpo, pikërisht mënyra si po vepron, e nxjerr në shesh përmbajtjen e politikës së tij: refuzimi i bashkëpunimit me vendet aleate rreth problemeve midis Kosovës dhe Serbisë, duke e shpërfillur rolin dhe peshën politike ndërkombëtare të atyre shteteve për Kosovën, nxjerr në shesh besnikërinë ndaj trashëgimisë së politikës enversite, modeli i së cilës ka qenë i simbolizuar me bunkerin, si figurë e izolimit drastik të një shteti e vendi.
Pasojat e shkatërrimit të Shqipërisë, në të gjitha fushat, gjatë sundimit të Enver Hoxhës janë tematizuar e ndriçuar, tani e disa decenie, në analizat e autorëve dhe personaliteteve politike të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera. Mirëpo LVV-ja si parti ka mbetur e mbyllur ndaj këtyre analizave kritike.
Sulmet mbi mediat, shoqërinë civile dhe sferën e drejtësisë
Jo rastësisht, njëri nga problemet serioze të politikës së Qeverisë Kurti ka të bëjë me presionet dhe sulmet mbi mediat, shoqërinë civile dhe sferën e drejtësisë, por edhe ndaj sindikatave të arsimit. Tipare këto që i cilësojnë regjimet jodemokratike. Fjalimet për “mbrojtjen e sovranitetit”, ndonëse ende mungon një zyrë si ajo e Orbanit, sikur duan t’i mjegullojnë ato probleme serioze.
Qeveria Kurti, me veprimet e veta jopolitike, e ka thelluar ndasinë dhe animozitetin midis institucioneve të Kosovës dhe shteteve aleate në radhë të parë me SHBA-në dhe me ato të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, Serbia së voni ka arritur të lidhë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshje për bashkëpunim strategjik shumëvjeçar në fushën e energjisë. Ajo njëherazi ka lidhur marrëveshje me Gjermaninë për shfrytëzimin e litiumit, si dhe me Francën për furnizim me avionë ushtarakë. Kurse Kosova është ndëshkuar, për shkak të papërgjegjësisë së qeverisë, tani e një vit, edhe me masa financiare nga BE-ja, duke penguar kësisoj reformat ekonomike e institucionale të Kosovës drejt BE-së.
kosova muhamedin kullashi
Insights
21 Shtator 2024, 17:49
Andi Bejtja
foto ilustruese
TIRANË- Puna për krijimin e Shtetit Bektashi në periferi të Tiranës ka nisur me shpejtësi marramendëse. ...
Insights
5 Shtator 2024, 19:17
Indrit Hoxha
indrit hoxha
TIRANË- Momenti politik është i rëndë, kodi elektoral është ai që është, i imponuar nga mazh...
Insights
5 Shtator 2024, 19:07
Antonela Dhimolea
foto ilustruese
TIRANË- Më 28 gusht 2014, kancelarja gjermane Angela Merkel lanҫoi projektin gjerman ambicioz të quajtur Procesi i Berlinit,...
Insights
1 Shtator 2024, 20:56
Sonila Meço
Sonila Meço
TIRANA- Në ngadalësimin një mujor prej punës, i domosdoshëm për rifillimin me energji të plota a...
Insights
31 Gusht 2024, 19:48
Lutfi Dervishi
shtatorja e skenderbeut
TIRANË- Inagurimi i shtatores së Skënderbeut te Hora e Arbëreshëve në prani të kryetares së...
Insights
31 Gusht 2024, 16:47
Katerina Kolozova
lideret e ballkanit perendimor
BRUKSEL- Gjatë viteve të fundit, qëndrimet ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian në ve...
Insights
15 Gusht 2024, 07:21
Agustin Palokaj
Agustin Palokaj
Edhe ata që nuk e duan aq shumë BE-në e pranojnë se ajo ka dy arritje të mëdha. E para është liria ...
Insights
9 Gusht 2024, 13:56
Emin Barçi
foto ilustruese
TIRANË- Opinioni publik prej kohësh po bombardohet me të ashtuquajturin “skandal të mikrokredive”.
Shum&eu...
Insights
8 Gusht 2024, 12:55
Ardit Bido
Ardit Bido
I dashur Flamur,Ky gusht, fatmirësisht, më ka gjetur mirë nga ana shëndetësore, por rastësisht e nisa muajin duke ...
Insights
6 Gusht 2024, 14:10
Ardit Bido
ardit bido
I dashur Vangjel,
Tani që mbaruan zgjedhjet dhe mund të flasim bazuar në rezultate, po të shkruaj këto pak radhë....