E rëndë në Sarandë/ I kërkoi të largohej nga shtëpia, 42-vjeçari në gjendje të dehur vret shokun (EMRAT)
FOTO/ Sherri në Sarandë, del fotoja e autorit 6 Tetor, 21:50 Detaje të reja nga vrasja në Sarandë/ V...
FOTO/ Sherri në Sarandë, del fotoja e autorit 6 Tetor, 21:50 Detaje të reja nga vrasja në Sarandë/ V...
Berisha: Duke filluar nga nesër, mosbindje civile pa ndalim, Europa na mëson një gjë, liria ka një emër ky emër &eu...
Zjarri në Komisariatin e Shijakut, reagon policia: Shkak dyshohet një shkëndijë elektrike, AMP ka nisur hetimet 5 ...
Cilat janë lagjet më problematike? Përmbytjet me dëme katastrofike në Vlorë, pronarët e bizneseve: Humbja mun...
TIRANË- Më 28 gusht 2014, kancelarja gjermane Angela Merkel lanҫoi projektin gjerman ambicioz të quajtur Procesi i Berlinit, një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Procesi i Berlinit lindi si nevojë e progresit të ngadaltë të përmbushjes së kritereve të procesit të integrimit europian nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu si një nevojë e vendeve të BE-së, kryesisht Gjermanisë për të ruajtur vëmendjen në integrimin europian të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë jo të gjitha vendet e BE-së iu bashkuan kësaj inciative. Pjesëmarrës të Procesit të Berlinit janë vetëm 9 vende të BE-së dhe Mbretëria e Bashkuar:-Gjermania, Austria, Franca, Bullgari, Greqi, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia, Kroacia dhe Polonia [në Samite dhe Ministeriale ftohen edhe vende të tjera të BE-së me status të ftuar –guest] ; 6 vendet e Ballkanit Perëndimor; - Institucionet e BE-së – Komisioni Evropian (KE), Shërbimi Europian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) dhe shteti anëtar që mban Presidencën e BE-së;-organizata rajonale-RCC, CEFTA, SEETO, TCT, RYCO.
Iniciativa rajonale e Procesi i Berlinit nuk ka format tërësisht rajonal, por është një përzierje midis vendeve të BE-së [Mbretëria e Bashkuar ishte në BE kur iu bashkua inicativës] me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat duhet të zbatojnë direktivat e vendeve të BE-së. Krahas takimeve të zyrtarëve më të lartë qeveritarë (Samite dhe Ministeriale), Procesi i Berlinit organizon takimet e përfaqësuesve të organizatave rajonale të shoqërisë civile (Forumi i Shoqërisë Civile), organizatave rinore (Forumi Rinor) dhe shoqatave të biznesit (Forumi i Biznesit). Secili vend i rajonit ka një Sherpa i cili është këshilltar në nivel politik i Kryeministrit përkatës dhe luan rolin e Koordinatorit Kombëtar për Procesin e Berlinit. Samitet organizohen ҫdo vit nga vendi që mban presidencën e radhës. Deri tani janë mbajtur Samiti i Berlinit [2014], i Vjenës [2015], i Parisit [2016], i Triestes [2017], i Londrës [2018], i Poznanit [2019], Samiti online i organizuar nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut [2020], i Berlinit [2021-2022] dhe Samiti i Tiranës [2023].
Një risi e Procesit të Berlinit ka qenë presidenca e përbashkët midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut më 2020. Pavarësisht ҫështjeve bilaterale midis tyre, të dy vendet arritën të mbyllin me sukses presidencën duke lanҫuar krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Përsa i përket presidencës shqiptare mund të thuhet se ishte e suksesshme dhe me rezultate konkrete. Në këtë kontekst, vlen të theksohet se për herë parë Samiti i Berlinit u organizua në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor, në Tiranë.
Procesi i Berlinit është konceptuar të mbulojë tre dimensione-politik, ekonomik dhe social. Dimensioni politik synon zgjidhjen e çështjeve të vështira dypalëshe, arritjen e pajtimit si dhe bashkëpunimin paqësor rajonal. Dimensioni ekonomik synon krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal si mekanizëm i rëndësishëm, për hyrjen në Tregun Unik të BE-së, rritjen e investimeve të BE-së në rajon si dhe implementimin e agjendës së gjebër. Dimensioni social synon lëvizshmërinë e njerëzve brenda rajonit, shkëmbimet humane shkëmbimet rinore, punësimin etj,
Dimensioni social dhe ekonomik lidhet me Agjendën e ndërlidhjes (connectivity agenda) së Procesit të Berlinit, e cila i referohet shkëmbimeve humane dhe ekonomike. Brenda kësaj agjende, Procesi i Berlinit ka patur një sërë marrëveshjesh dhe projektesh në fushat e transportit dhe infrastrukturës, bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit të të rinjve dhe bashkëpunimit midis bizneseve dhe midis shoqërive civile të Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit nuk ka Sekretariat, Statut dhe rregulla proceduriale të shkruara. Vendi që ka presidencën e radhës organizon takimet e sherpave, Ministerialet dhe Samitin vjetor. Protokolli i pashkruar i procesit të Berlinit është i njëjtë me protokollin e RCC-së dhe duhet respektuar nga vendet anëtare. Ky protokoll është tregues i problematikës që mbart në vetvete Procesi i Berlinit, si rrjedhojë e qasjes që ka Serbia ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat rajonale, pa flamur, me asterik dhe footnote, e artikuluar në marrëveshjen e Brukselit për pjesëmarrjen Kosovës në nismat rajonale të vitit 2012.
Si rrjedhojë, në tavolinën e bisedimeve nuk vendosen emrat e vendeve pjesëmarrëse por emrat e përfaqësuesve të tyre, nuk vendosen as flamuj te vegjël të vendeve pjesëmarrëse dhe në dokumenta Kosova është me asterik dhe footnote. Nga njëra anë e tavolinës ulen përfaqësuesit e vendeve të BE-së dhe ng ana tjetër përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. E njëjta procedurë përdoret edhe tek foto familjare e Ministerialeve dhe Samiteve e cila bëhet me flamuj që qëndrojnë pas përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse. Me kërkesë të Serbisë, për të shmangur flamurin e Kosovës, ka patur raste ku fotot familjare janë bërë pa flamuj si në rastin e Samitit të Vjenës, Poznanit apo Samitit të Londrës. Të njëjtën kërkesë dhe presion, Serbia e mbështetur dhe nga Spanja [e ftuar si Presidenca e BE-së] bëri edhe në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm në Tiranë, më 6 tetor 2023, por hasi në refuzim të prerë të Ministrit të Jashtëm Igi Hasani dhe gjithashtu të Ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Si përfundim, Ministri serb Ivica Dacic nuk morin pjesë në foton familjare me flamuj në Tiranë. Këtë vit, Gjermania ka presidencën e radhës dhe me rastin e 10 vjetorit do të organizoj Samitin e Procesit të Berlinit në muajin tetor, ku do të bëhet një analizë e detajuar e ecurisë së procesit.
Bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe mekanizmat kyesorë të tij
Përmirësimi i ndërlidhjes dhe tregtisë brenda Ballkanit Perëndimor, si dhe ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, mbetet një prioritet i rëndësishëm që sjell përfitime të qarta dhe të dobishme për ekonomitë dhe qytetarët e rajonit. Ballkani Perëndimor e ka kthyer axhendën e ndërlidhjes në një nga objektivat e tij madhore, me theks të veçantë në përgatitjen dhe financimin e projekteve konkrete të investimeve në infrastrukturën rajonale, por edhe në zbatimin e standardeve teknike dhe masave të buta, si thjeshtimi i proҫedurave të kalimit kufitar, reformat hekurudhore, sistemet e informacionit, sigurinë rrugore dhe skemat e mirëmbajtjes. Për të patur arritje konkrete nëm këtë drejtim, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE po bashkëpunojnë jo vetëm përmes Procesit të Berlinit, por edhe nëpërmjet nismave të tjera si Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor [WBIF], Forumit të Dhomave të Investimeve të BP [WB6 CIF], Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal [RCC], Marrëveshjes e Tregtisë së Lirë të Europës Qëndrore [CEFTA], Observatorit të Transportit për Euroopën Juglindore [SEETO], Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor [RYCO] etj.
Tregu i Përbashkët Rajonal [CRM] u lanҫua në Samitin e Procesit të Berlinit në vitin 2020. Pas përfundimit të MAP-REA 2017-2020, BE dhe vendet e BP për të avancuar integrimin ekonomik rajonal, me synim integrimin në Tregun Unik të BE-së hartuan Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM). Përpjekjet e rajonit lidhur me reformimin e axhendës së Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) njihen dhe mbështeten gjerësisht nga vendet pjesëmarrëse. Fushat ku operon CRM janë-1. zona tregtare rajonale: lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve,2. zona rajonale e investimeve,3. zona dixhitale rajonale,4. zona rajonale industriale dhe innovative.
Axhenda e integrimit rajonal 2021-2024 parashtron masa ambicioze rajonale për të përshpejtuar transformimin dixhital dhe për të rritur konvergjencën me Tregun Unik Dixhital të BE-së. Tre marrëveshjet e lëvizshmërisë që synojnë lehtësimin e punësimit të ndërsjellë në vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe lëvizjen e lirë me ID u negocuan për vite me radhë dhe pas një bllokimi 2 vjeҫar për arsye të ngecjes së dialogut Kosovë-Serbi, marrëveshjet u arritën të firmosen në Samitin e Berlinit më nëntor 2022. Megjithëse marrëveshjet kanë hyrë në fuqi në qershor 2023, nuk është bërë ende ratifikimi i tyre nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse marrëveshja për lëvizjen me kartat identiteti nuk është ratifikuar nga Bosnja-Hercegovina. Pavarësisht se janë krijuar Komisione për zbatimin e 3 marrëveshjeve, zbatimi i tyre në terren mbetet sfidë e vështirë për shkak të situatave destabilizuese në rajon dhe ҫështjeve konfliktuale që vendet kanë midis tyre.
Përsa i përket Marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve për infermierë, kirurgë veterinare, farmaciste dhe mami, e cila u firmos gjatë Samitit të Tiranës në tetor 2023, deri tani është ratifikuar vetëm nga Mali i Zi.
Ndërkohë, Korridoret e gjelbra që u krijuan midis vendeve të rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit lehtësuan lëvizjen e mallrave gjate pandemisë. Ato dëshmuan se bashkëpunimi ekonomik rajonal mund të funksionojë. Në këtë drejtim po punohet edhe për krijimin e Korridoreve të gjelbra dhe blu midis vendeve të rajonit dhe vendeve të BE-së. Disa prej tyre janë krijuar me vende të BE-së si korridori blu Itali-Shqipëri-Mal i Zi, korridoret e gjelbërta Greqi- Maqedoni e Veriut dhe Kroaci-Mali i Zi-Bosnjë Hercegovinë. Gjithashtu, marrëveshja rajonale Roaming është histori sukesi e bashkëpunimit rajonal, sepse tarifa 0 është e aplikueshme dhe funksionale në ҫdo vend të rajonit. Në tetor 2023 filloi dhe zbatimi i marrëveshjes për uljen e tarifave Roaming midis vendeve të BP dhe BE-së, e cila do të lehtësojë komunikimin e njerëzve të rajonit me ata të vendeve europiane.
RCC dhe CEFTA janë të angazhuar në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal {CRM} të Procesit të Berlinit, ndërsa SEETO është një instrument i rëndësishëm në procesin e zhvillimit të sistemit të transportit të Procesit të Berlinit dhe Europës Juglindore, e përqendruar në zhvillimin e infrastrukturës dhe masat e buta/horizontale si pjesë e integruar e sistemit të transportit. SEETO, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, ka përpunuar një Program Strategjik afatgjatë në këtë drejtim.
Plani Ekonomik i Investimeve [PIE] për Ballkanin Perëndimor është një nismë e lanҫuar për të forcuar bashkëpunimin rajonal si dhe për të rritur konvergjencën ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së. Në Samitin e Procesit të Berlinit në 2021, liderat nënvizuan rëndësinë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe u shprehën se përputhshmëria e tij me Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër do të nxisë më tej integrimin ekonomik dhe ndryshimin strukturor në rajon për një tranzicion të gjelbër, si dhe do të përgatisë rajonin për integrimin në Tregun Unik (Single Market). Ata pranuan rolin kryesor të Instrumentit për Ndihmën e Para-Anëtarësimit për periudhën 2021-2027 (IPA III- 9 miliardë euro) në mobilizimin e burimeve të nevojshme për zbatimin e këtyre dy planeve. Plani Ekonomik dhe i Investimeve i BE-së synon të përshpejtojë një tranzicion të gjelbër dhe dixhital, si dhe bashkëpunim të mëtejshëm rajonal, duke tërhequr investime publike dhe private, të mbështetur nga Lehtësimi i Garancisë për Ballkanin Perëndimor [[WB guarantee facility], e cila ka një potencial për të mobilizuar deri në 20 miliardë euro. Investimet do të jenë të zbatueshme vetëm nëse Ballkani Perëndimor përshpejton reformat e nevojshme, duke përfshirë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian ka hartuar një paketë investimesh të konsiderueshme prej 3.2 miliardë eurosh për të mbështetur 21 projekte të lidhjes së transportit, dixhitalit, klimës dhe energjisë në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është paketa e parë e madhe e projekteve në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ambicia e BE-së për të ardhmen e afërt është deri në 30 miliardë euro investime, si një kombinim i granteve, huave preferenciale dhe garancive përmes EIP-së, në mënyrë që të stimulojë konvergjencën ekonomike midis vendeve të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Axhenda e gjelbër është një instrument i rëndësishëm për trajtimin e niveleve të larta të ndotjes dhe mbrojtjen e biodiversitetit të pasur të rajonit, e cila është përfshirë në formatin e Procesit të Berlinit. Gjermania është angazhuar për të emëruar një Komisioner Special për Zbatimin e Axhendës së Gjelbër në Sektorët Industrial dhe Energjetik të Ballkanit Perëndimor. Në Samitin e Tiranës vendet e BP miratuan Deklaratën për themelimin e Partneritetit Rajonal të Klimës ndërmjet BP dhe Gjermanisë, me objektivin që së bashku të përshpejtojnë zbatimin e Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Vendet e procesit të Berlinit synojnë të avancojnë dialogun e tyre strategjik lidhur me klimën dhe të zgjerojnë bashkëpunimin për një shoqëri të drejtë dhe tranzicion të gjelbër në fusha të tilla si energjia, [me fokus në efiçencën e energjisë dhe burimet e rinovueshme], zhvillimi i qëndrueshëm urban, turizmi, transporti, bujqësia.
Gjermania është angazhuar për të mbështetur këtë tranzicion me një paketë fillestare prej 1 miliard euro, duke përfshirë grantet dhe kreditë për zhvillim deri në vitin 2030, gjithashtu si mbështetje buxhetore e premtuar shtesë prej 500 milionë euro përmes kredive promocionale afatshkurtër.
Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një nismë e përbashkët e BP+BE, që synon rritjen e bashkëpunimit në fushën e investimeve për zhvillimin social-ekonomik të rajonit si dhe përshpejtimin e procesi i integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor. WBIF është gjithashtu e angazhuar në zbatimin e Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor si dhe në zbatimin e Agjendës së Ndërlidhjes së Procesit të Berlinit.
BE-ja si donatori më i madh në Ballkanin Perëndimor po mbështet krijimin e një Tregu Rajonal të Energjisë Elektrike ndërsa në Maqedoninë e Veriut po mbështetë një projekt diellor fotovoltaik që do të ushqejë rajonin dhe rrjetet e BE-së. Ky projekt është pjesë e rajonit dhe tranzicionit të gjelbër të Evropës, për këtë arsye do të jetë i dobishëm për mjedisin dhe ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Në vijim të marrëveshjes së Korridorit 8 midis Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në dhjetor të vitit 2022, filloi ndërtimi i pjesës lindore me rëndësi strategjike të Korridorit 8, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në pjesën Kumanovë – Beljakovcë – Kriva Pallankë. Gjithashtu edhe Shqipëria ka filuar rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës si pjesë e këtij Korridori. Në këtë drejtim do të ndërtohen edhe hekurudha Tiranë- Aeroporti Nënë Tereza, Durrës-Lin si dhe Lin-kufiri i Maqedonisë së Veriut.
Plani i BE-së për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor
Më 8 nëntor 2023, Komisioni Europian miratoi një Plan të ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me synimin për të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së, duke ofruar disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE për rajonin përpara anëtarësimit, si dhe duke nxitur rritjen ekonomike dhe konvergjencën sociale-ekonomike.
Sipas planit, konvergjenca ekonomike është një element thelbësor që shërben për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në. Plani i Rritjes së BE-së ka ambicien të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor brenda 10 viteve të ardhshme. Ky plan synon të nxisë përgatitjet e Ballkanit Perëndimor për anëtarësimin në BE dhe nevojën për të përshpejtuar reformat, duke sjellë përpara disa përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga ana tjetër ky Plan duhet të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të rajonit. Për të mbështetur këtë proces një instrument i ri financiar pej 6 miliardë euro, është propozuar për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.
Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla, që synojnë:
1.Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian, me kusht që Ballkani Perëndimor të përafrohet me rregullat e Tregut Unik të BE-së dhe të hapë sektorët dhe zonat përkatëse për të gjithë fqinjët në të njëjtën kohë, në përputhje me rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal. 2.Nxitja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së. 3.Përshpejtimi i reformave themelore, duke përfshirë grupin e të drejtave themelore, mbështetjen e procesit të integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal; 4.Rritja e asistencës financiare për të mbështetur reformat përmes një Lehtësimi për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027, një instrument i ri me vlerë 6 miliardë euro, i përbërë nga 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare, me pagesë të kushtëzuar që partnerët e Ballkanit Perëndimor të përmbushin reforma specifike sociale-ekonomike si dhe ato themelore.
Lehtësia e Reformës dhe Rritjes do të përforcojë ndihmën aktuale financiare në kuadër të fondit IPA III. Si pjesë e Planit të Rritjes, çdo partner i Ballkanit Perëndimor do të ftohet të përgatisë një Agjendë Reformash bazuar në rekomandimet ekzistuese, duke përfshirë edhe ato nga Paketa vjetore e Zgjerimit dhe Programet e Reformës Ekonomike të vendeve (ERP). Kjo Agjendë Reformash do të konsultohet, vlerësohet dhe miratohet nga Komisioni Europian. Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni për arritjen e kushteve dhe parakushteve përkatëse të pagesës, si stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrjen e buxhetit. Në rast se kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni do të pezullojë ose do të zbresë një shumë përkatëse nga pagesa. Vendi i Ballkanit Perëndimor do të ketë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet mes të tjerëve në vitet në vijim.
Arritjet e Procesit të Berlinit dhe sfidat e integrimit ekonomik rajonal
Procesi i Berlinit lindi në kohën kur BE po përballej me sfida të shumta dhe zgjerimi kishte ngecur për shkak të qasjeve të ndryshme të vendeve anëtare, si dhe nga progresi i ngadaltë të zbatimit të reformave nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit u krijua për të nxitur vendet e Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara bashkëpunimin ndërmjet tyre duke zgjidhur ҫështjet konfliktuale, si dhe për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit për përmbushjen e detyrimeve ndaj kritereve të procesit të integrimit. Pavarësisht planeve ambicioze, Procesi i Berlinit ka kaluar një dekade me ca arritje dhe shumë sfida që kanë vështirësuar qëllimin final-përshpejtimin e procesit të integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Arritjet konkrete të Procesit të Berlinit gjatë kësaj dekade janë- ngritja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF), Traktati i Komuniitetit të Transportit [TCT], krijimi i Korridoreve të gjelbra brenda rajonit dhe Korridoreve të gjelbra midis BP dhe vendeve të BE-së, Marrëveshja rajonale Roaming (implementimi filloi me 1 korrik 2021), Marrëveshja për uljen e tarifave Roaming midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së (implementimi filloi më 1 tetor 2023) si dhe tre marrëveshjet e mobilitetit- Për lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve për të gjithë qytetarët e rajonit; Për njohjen reciproke të diplomave universitare; Mbi njohjen reciproke dhe kualifikimet profesionale brenda rajonit për mjek, dentist, arkitekt dhe inxhinjerë.
Më tej këto arritje u plotësuan në Samitin e suksesshëm të Tiranës ku u nënshkrua- Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve për infermierë, kirurgë veterinare, farmaciste dhe mami që do të avancojë lëvizshmërinë e profesionistëve në Ballkanin Perëndimor. U krijua Nisma për Sigurinë Kibernetike me qendër në Mal të Zi. Krijimi i kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt nxitjes së ekspertizës për çështjet e BE-së në të gjithë rajonin. U nënvizua nevoja për rritjen e investimeve në kërkimin dhe inovacionin, krahas rekomandimeve për krijimin e Qendrave të Përsosmërisë së Kërkimit dhe Teknologjisë. Gjithashtu u njoh rëndësia e Zonës së vetme të pagesave në euro të Bashkimit Evropian (SEPA), e cila është ngarkuar për të sjellë në mënyrë efektive pagesat e brendshme dhe ndërkufitare brenda SEPA-s në të njëjtin nivel të kostos, efikasitetit të kohës dhe sigurisë. U vu theksi në rëndësinë e reduktimit të kostove të pagesave ndërkufitare, gjithashtu nëpërmjet ngritjes së sistemeve të pagesave të menjëhershme, lehtësimit të ofrimit të shërbimeve.
Pavarësisht arritjeve të mësipërme, integrimi i rajonit në Tregun Unik të BE-së do të ndodhë vetëm nëse rajoni realizon integrimin e plotë ekonomik rajonal. Tregu i Përbashkët Rajonal (CRM) është jetik për të kapërcyer tregjet e vogla të fragmentuara, për t'i bërë bizneset konkurruese, për të tërhequr investitorë si dhe për të mbajtur fuqinë punëtorë. CRM është hapi thelbësor që të ҫon drejt Tregut Unik të BE-së. Por a ka mundur Procesi i Berlinit të ndërgjegjësojë vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë ‘hap madhor’. Mungesa e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës si dhe situatat destabilizuese në rajon kanë sjellë bllokim të negocimit të 3 marrëveshjeve të lëvizshmërisë për 2 vjet, më pas të ratifikimit të plotë të tyre nga të gjitha vendet si dhe zbatueshmërisë në praktikë. Si rrjedhojë, kjo mungesë vullneti për bashkëpunim ekonomik rajonal ka sjellë pengim të arritjes së objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Agjendës së Integrimit Rajonal për vitin 2021-2024. Rivitalizimi i Procesit të Berlinit nga Kancelari Scholz solli si rezultat konkret nënshkrimin e 3 marrëveshjeve si dhe arritje të tjera, por përsëri Procesi i Berlinit qëndron larg qëllimit të tij final-integrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik të BE-së.
Për të plotësuar Procesin e Berlinit, i cili duhet të hartojë Plan Veprim të Ri për CRM, BE lanҫoi Planin e Ri të Rritjes për Balkanin Perëndimor, e cila është një qasje e maturuar që synon të shmangë bllokimin e CRM për shkak të problemeve dypalëshe. Ky plan thotë që një partner jo i përkushtuar mund të bllokojë vetëm veten dhe jo pesë partnerët e tjerë ose nuk mund të pengojë CRM. Vendet që nuk janë plotësisht të përkushtuar ndaj CRM nuk mund të presin të përfitojnë nga mundësitë për integrimin në Tregun Unik të BE-së. Në këtë kuadër, 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të ftohen të paraqesin axhendat e tyre individuale të reformave, duke parashtruar reformat sociale-ekonomike dhe themelore që do të ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën ekonomike gjatë periudhës 2024 - 2027. Sipas Planit, Serbia dhe Kosova duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve, si parakusht i nevojshëm. Gjysma e fondeve, rreth 3 miliardë euro në formën e kredive afatgjata, do të lirohen si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare dhe gjysma tjetër do të ndahet përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), në formën e 2 miliardë euro grante dhe 1 miliard euro kredi.
Plani i Ri i Rritjes së BE-së do të shërbejë si një mekanizë i fuqishëm promovues dhe financiar për realizimin e objektivave finale të Procesit të Berlinit. Situata aktuale gjeopolitike, agresioni rus kundër Ukrainës, lufta Izrael-Hamas si dhe rritja ekonomike e Kinës reflektojnë domosdoshmërinë për një politikë të vendosur zgjerimi të BE-së jo vetëm me Ballkanin Perëndimor, por edhe me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Realizimi i Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të dëshmojë seriozitetin e angazhimit të BE-së për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si dhe do të shërbejë për krijimin e një Europe të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar.
AKRONIME
§ Ballkani Perëndimor[BP]
§ Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor [WBIF],
§ Forumi i Dhomave të Investimeve të BP [WB6 CIF],
§ Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal [RCC],
§ Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qëndrore [CEFTA],
§ Observatori i Transportit për Euroopën Juglindore [SEETO],
§ Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor [RYCO]
§ Traktati për Komunitetin e Transportit [TCT]
Shënim: Këto janë opinionet personale të autores dhe jo të institucionit ku ajo punon.
Fondacioni Friedrich Ebert
Sonila Meço TIRANA- Në ngadalësimin një mujor prej punës, i domosdoshëm për rifillimin me energji të plota a...
shtatorja e skenderbeut TIRANË- Inagurimi i shtatores së Skënderbeut te Hora e Arbëreshëve në prani të kryetares së...
lideret e ballkanit perendimor BRUKSEL- Gjatë viteve të fundit, qëndrimet ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian në ve...
Agustin Palokaj Edhe ata që nuk e duan aq shumë BE-në e pranojnë se ajo ka dy arritje të mëdha. E para është liria ...
foto ilustruese TIRANË- Opinioni publik prej kohësh po bombardohet me të ashtuquajturin “skandal të mikrokredive”. Shum&eu...
Ardit Bido I dashur Flamur,Ky gusht, fatmirësisht, më ka gjetur mirë nga ana shëndetësore, por rastësisht e nisa muajin duke ...
ardit bido I dashur Vangjel, Tani që mbaruan zgjedhjet dhe mund të flasim bazuar në rezultate, po të shkruaj këto pak radhë....
edith harxhi TIRANË- Më 31 korrik 1996, Shqipëria ka ratifikuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut me anë...
Pano Soko TIRANA- Arben Ahmetaj duhet ta kuptojë që "Ndiqni paranë" e them unë që deduktoj nga jashtë, jo ai që di ...
lutfi dervishi TIRANË - Mbi vendin tonë do vijojnë të mbizotërojnë temperaturat e larta të shoqëruara me shpë...