AktualitetFactcheck

DOSJA-MALKO/ Vrasja që trazoi ujërat e MAFIAS, lobimet për goditjen e klanit ‘Duka’, roli i ‘ish-miss-it’ Sejdini dhe DEA për drogën

  • Trejsi Sejdini, ish-missi pjesë e dosjes së gjermanëve
  • E zbardhi mafia klanin Duka apo autoritetet shqiptare?
  • Dosja.al sjell të plotë vrasjen mafioze që tronditi Tiranën. Ja çfarë duhet të dini për ekzekutimin e Santiago Malkos
    Featured image of article: DOSJA-MALKO/ Vrasja që trazoi ujërat e MAFIAS, lobimet për goditjen e klanit ‘Duka’, roli i ‘ish-miss-it’ Sejdini dhe DEA për drogën Grupi Duka, Doqja, Ervis Martinaj dhe Santiago Malko

    TIRANË Santiago Malko, 26 vjeç, baba i dy fëmijëve, u ekzekutua më 27 gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, në kohën kur akrepat shënuan 21:24. Dosja.al raportoi qysh prej momentit të parë atë që ndodhi, duke e ndjekur hap pas hapi, zbardhjen e vrasjes së ish-policit e deri në momentin kur zyrtarisht Policia e Shtetit raportoi dje se ka shpallur në kërkim 8 persona, të njohur tashmë gjerësisht si ‘Klani Duka’.

    8 personat emrat e të cilëve janë: Leonard Duka;  Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Personi i 9-të i përfshirë në këtë vrasje është Blendi Teta, tashmë i arrestuar dhe në burg.

    Ilir Selmani

    Vrasja u hartua në bodrumin e lokalit të vëllezërve Duka

    Skema e ekzekutimit të ish-policit Santiago Malko u hartua në bodrumin e lokalit të vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka. Siç bëjnë me dije burime nga grupi hetimor për Dosja.al, 9 personat përfshirë edhe Blendi Tetën, ishin në këtë lokal, duke parë mënyrën si do të vritej Santiago Malko.

    Santiago Malko

    Ishte sinjali i Leonard Dukës, që i çoi anëtarët e bandës nga tavolina. “Çohuni çuna, se na pret puna”, ishte ky sinjali që njoftoi grupin se do të shkonin për të vrarë Santiago Malkon. Pasi u çuan nga lokali, ata hipën në dy makina, një makinë “Scoda Roomster” dhe një “Golf 5” ngjyrë gri. Informacionin për lëvizjet e ish-policit akuzohet se e ka dhënë Blendi Teta.

    Blendi Teta

    Ekzekutori i Malkos ‘Doqja’, grupi solli Fatmir Hysenin nga Vlora

    Përveç dy makinave që ndoqën Santiago Malkon, ekzekutimi u bë nga personi që ndodhej në automjetin tip “Benz”. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se nga ky mjet dyshohet se kanë dalë Fatmir Hyseni “Doqja” dhe Elvis Gaçaj.

    Fatmir Hyseni

    Ata kanë qëlluar me mbi 15 plumba, ndërkohë që arma me të cilën dyshohet se ka qëlluar “Doqja” është një kallashnikov. Edhe makina tip “Benz” e përdorur për këtë vrasje rezulton se është vjedhur në qytetin e Laçit.

    Banda e Romëve ose siç njihet ndryshe Klani Duka kishte marrë për të bërë vrasjen e Santiago Malkos, Fatmir Hysenin nga Vlora, i cili njihet ndryshe edhe si pjesë e grupit të Çamëve në Vlorë.

    Fatmir Hyseni, “Doqja” ka një të kaluar kriminale dhe njihet në këtë qytet si një personat që ka marrë pjesë në vrasjen e vëllait të Viktor Ymerit, i njohur edhe si ‘Tori i Xhihanes’.

    Kush ishte Santiago Malko, trampolina e shpejtë nga ligji tek mafia

    Historia e Santiago Malkos është e njohur tashmë. Me një moshë fare të re, por me një sërë akuzash mbi shpinë, Malko, njihej në kryeqytet si një nga njerëzit e bossit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

    Ervis Martinaj

    Ai bashkë me Martinajn, u përfshinë në përplasjen me armë të 4 tetorit 2018, ku në ish-bllok u vra Fabiol Gaxha, dhe u plagos vetë Martinaj. I larguar nga policia pas plagosjes me vëllezërit Lashi, Malko i kishte hyrë biznesit të lojërave të fatit.  I shpallur në kërkim, ishte punësuar në administratën shtetërore, si inspektor në Inspektoriatin e Mjedisit dhe Mbrojtjes së Pyjeve.

    Pasi Dosja.al zbuloi skandalin që kishte ndodhur brenda strukturave shtetërore, redaksinë tonë kanë vërshuar denoncimet nga qytetarë, që akuzonin Malkon si një gjobëvënës ndaj bizneseve.

    Pse u vra ish-polici/ Pistat, nga rrëmbimi i babait të Dukës deri te prishja e pazareve të drogës

    Ajo që mbetet ende e paqartë është arsyeja e ekzekutimit të Santiago Malkos, përmes një investimi kaq të mirëstudiuar në burime njerëzore dhe financiare. Një nga pistat ku po hetohet është ajo e hakmarrjes, pasi Malko ka patur një konflikt të hershëm me babain e kreut të bandës ‘Duka’, Leonardit.

    Ai ka rrëmbyer, kërcënuar me armë babain dhe dy kushërinjtë e Leonard Dukës, por kjo arsye nuk është bindëse për hetuesit. Ata po skanojnë disa pista, si ajo e konflikte për shkak të territoreve ku shpërndahet dhe shitet droga në Tiranë, apo edhe ajo e pjesëmarrjes së ish-policit Malko në një atentat mafioz në qytetin e Durrësit, ngjarje e ndodhur disa muaj më parë.

    Leonard Duka, i vetëquajtur ‘Princi Damian’, dashuria e furishme me ish-missin dhe krimet për të cilat akuzohet

    Leonard Duka

    Leonard Duka për mbi 3 vite rezulton si një nga krerët e një prej bandave më të rrezikshme në Tiranë. Ai bashkë me të vëllain, Erlisin, paratë e përfituara në mënyra të paverifikuara ende, kanë investuar në disa biznese. Përveç lokalit në zonën e Freskut, Leonard dhe Erlis Duka, rezultojnë se janë pronarë të një kompanie e cila është bashkim i emrave të të dyve. “Erleo”, një kompani e regjistruar në prill të vitit 2019, ka një aktivitet të gjerë që nis nga ndërtimi tek dyqanet në fushën e kozmetikës.

    Erlis Duka

     

    Ekstrakti i QKR

    Për ata që e njohin, e dinë se Leonard Duka vetëquhet tek miqtë e tij si “Princi Damian”, një nofkë e cila sipas tij reflekton luksin dhe jetën që ka 37-vjeçari. Megjithëse u arrestua në prill të këtij viti bashkë me ‘Gabelin’ Elvis Gaçaj, Leonard Duka, ia doli t’ia hidhte paq nga drejtësia.

    Roli i ish-missit Trejsi Sejdini, dosja që erdhi nga Gjermania dhe agjentët e DEA-s

    Trejsi Sejdini

    Operacioni që u finalizua në muajin prill dhe përfundoi me arrestimin e Elvis Gaçajt, Leonard Dukës, por edhe me atë të Oltion Logës, e Dritan Agajt, nuk u realizua vetëm nga policia e Shtetit.

    Elvis Gaçaj

    Është e vërtetë se operacioni u përshpejtua në kohë, pasi klani Duka kishte përgatitur një atentat në Tiranë, por ky operacion nisi pas një dosjeje tepër sekrete, të dërguar prej Agjencisë Gjermane Anti-Trafik (AGJT), dhe nga DEA-Amerikane e cila ka mbikqyrur të gjithë operacionin për arrestimin e klanit “Duka”.

    Dosja gjermane, që siç ka mësuar Dosja.al, kodi i të cilës është “ZF/13-442 AL”, ka skeduar Leonard Dukën dhe grupin, por bashkëngjitur ka edhe emrin e Trejsi Sejdinit, si përfituese e trafikut të drogës për shkak të lidhjes që çifti ka prej shumë vitesh.

    Lidhja e tyre është e faktuar nga vetë postimet e ish-missit në rrjetet sociale. Është e skeduar makina “Mercedes Benz GLE V8 Biturbo” me çmim 150 mijë euro që Duka i ka dhuruar Sejdinit. Ky automjet më vonë u sekuestrua nga policia ndërsa edhe vetë ish-missi është shoqëruar në polici në prill.

    Por pavarësisht situatës së keqe që po kalon i dashuri i saj, Trejsi duket se vazhdon të jetë e qetë dhe të shijojë luksin që e ka kapluar prej gati 3 vitesh.

    Klani “Duka” ia hodhi pa lagur nga drejtësia për armën “Glock” dhe 68 plumba

    Një pistoletë “Glock”, 68 plumba dhe hashash. Kaq mundi policia të sekuestrojë nga klani Duka në operacionin e zhvilluar në muajin prill në Tiranë. Në momentin që policia hyri në apartamentin e tyre pranë kompleksit “Halili” , një nga 4 anëtarët e grupit hodhi pistoletë nga ballkoni në çatinë e një banori që s’kishte lidhje me ngjarjen.

    Bashkë me ta, në policinë e Tiranës u shoqërua dhe ish-miss Univers Albania 2018, Trejsi Sejdini. Një ditë pas arrestimit, një banor është paraqitur në policia dhe ka dëshmuar për pistoletën që kishte gjetur në banesën e tij.

    …më datën 9 prill 2019 rreth orës 09:00 kam konstatuar se tavani i dhomës ishte i lagur dhe pikonte shumë nga shiu që binte jashtë. Kam dalë jashtë dhe kam parë mbi tjegullat e çatisë se gjendej një  pistoletë me ngjyrë të zezë dhe tjegulla të thyera pranë saj, pikërisht në vendin ku pikonte çatia. Meqënëse, një ditë më parë kisha dëgjuar lajmet se policia kishte arrestuar disa persona që kishin qenë në një apartament në kompleksin “Halili”, i cili gjendej pranë banesës time, kam njoftuar policinë në lidhje me armën e gjetur…”.

    Lobimi për goditjen e klanit Duka, kush e zbardhi ngjarjen? Policia apo bandat?

    Vrasja e Santiago Malkos është padyshim një nga ngjarjet më të rënda të vitit 2018. Kjo jo vetëm për metodën mafioze të ekzekutimit por edhe për atë ka pasuar. Dosja.al zbardhi e para emrat dhe identitetet e klanit ‘Duka’, duke thyer lidhjet e forta mes botës së mafias dhe medias tradicionale.

    Por ditë më pas, Dosja.al hasi në një tjetër informacion. Lobim për të goditur klanin ‘Duka’. Bandat kundërshtare me Dukën kanë përdorur vrasjen e Santiago Malkos për të lobuar me çdo mënyrë që grupi të fundoset. Kush qëndron pas këtij lobimi?

    Cilat janë interesat që janë vënë në rrezik me vrasjen e Santiago Malkos? Ç’lidhje ka vrasja e Santiago Malkos me aksidentin që ndodhi një 2 javë më parë te ish- Shqiponja?

    Për më shumë presim konferencën e radhës nga Policia e Shtetit, e cila do të shpallë sukseset në luftën kundër krimit në Tiranë, ku çdo javë regjistrohet një ngjarje që cënon sigurinë dhe jetën e çdo qytetari.

    (F.g/dosja.al)

    SHËNIM: Ndalohet riprodhimi dhe vjedhja pa cituar burimin e këtij materiali.

    Shto Koment