"Te legalizimet duhet shumë fokus", Rama-kryebashkiakëve: Shijaku është bashkia model për këtë proces...
Bota
Donfried: Dialogu çështje urgjente, SHBA dhe KFOR’i kujdesen për sigurinë tuaj
26 Prill 2022, 20:30Nga DOSJA
KOSOVË- Kurti e Osmani më thanë se kanë gatishmëri për t’u angazhuar me seriozitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë. Në Serbi do të kem diskutime të ngjashme dhe shpresoj që do të shohim angazhim serioz dhe kreativ nga të dy palët për ta çuar këtë përpara”, Ndihmës-Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, flet për T7.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke u kërkuar urgjentisht Kosovës dhe Serbisë të ulen në tavolinën e negociatave, për të arritur një marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke. Sipas tyre, lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë ndërmjet “urgjencës dhe mundësisë”, që jep shpresë se dialogu mund të shkojë përpara.
Por, Ndihmës-Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, në një intervistë ekskluzive për T7, është treguar e rezervuar se kur mund të ulen në tavolinën e negociatave Kurti e Vuçiq, sikurse edhe kur mund të përfundojë procesi.
”Afatet kohore… shpesh themi që suksesi nuk ka afat kohor. Por, sërish, mendoj se për shkak të faktorëve që i përmenda më herët, urgjenca e shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pauza zgjedhore që na jep një mundësi, kam shpresë që do të shohim lëvizje pozitive në afat të shkurtë e jo të gjatë”, ka theksuar Donfried.
Por, amerikanët janë më të hapur dhe vendosur kur është fjala për sigurinë e Kosovës e cila, sipas analistëve të ndryshëm mund të cenohet si pasojë e luftës në Ukrainë. Dy “vatra” të mundshme ku Rusia mund të shkaktojë probleme janë përmendur Kosova dhe Bosnja.
Zyrtarët amerikanë janë duke e ndjekur me vëmendje situatën.
“Nuk shohim asgjë që të sugjerojë se Rusia ka rritur vëmendjen për nxitjen e destabilitetit këtu”, thekson ajo.
Donfried siguron kosovarët se mund të ndjehen të sigurt me praninë ushtarake që është në Kosovë.
“Mund të ndjeheni të sigurt që SHBA-ja po kujdeset për sigurinë tuaj dhe se KFOR-i, së bashku me SHBA-në, do të sigurojnë që të mos ketë përshkallëzim të shtuar në Kosovë.
T7: Zonja Donfried, fillimisht, ju faleminderit shumë për këtë intervistë. Dje e theksuat se dialogu Kosovë-Serbi është çështje urgjente. Kur pritni që z. Kurti dhe z. Vuçiq të ulen rreth tavolinës së negociatave meqenëse ka më shumë se një vit prej takimit të tyre të fundit?
NS Donfried: Së pari, jam shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë. Dje pata mundësinë që të flas me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti dhe mendoj se ata e ndajnë ndjenjën tonë sa e rëndësishme është që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ecë përpara. Sipas pikëpamjes sime, është e qartë se e ardhmja e Kosovës është si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. E jetike për të ecur drejt atyre qëllimeve është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Ne e shohim këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja si pjesë kyçe të saj dhe për këtë arsye jemi kaq të etur që të shohim përparim. Nuk i di afatet kohore specifike, por mendoj se do të shohim lëvizje pozitive nëse ka vullnet nga të gjitha anët.
T7: A është qeveria e Kosovës e gatshme që t’i kthehet dialogut? A ka ndonjë kusht për këtë dhe çka ju tha kryeministri Kurti dje veçanërisht për këtë çështje?
NS Donfried: Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dytë, presidentja dhe kryeministri, më thanë është se ka gatishmëri për tu angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë.
T7: Por, siç e dini në të kaluarën, z. Kurti ka pasur qëndrim më të rreptë për dialogun. Ai është pajtuar që të shkojë në Bruksel, por shumë herë e ka thënë se dialogu nuk është prioritet për të. A e ka të vështirë SHBA-ja që të punojë me kryeministrin tonë?
NS Donfried: Çka e konsideroj të rëndësishme për këtë moment është se konteksti ka ndryshuar dhe ka arsye të ndryshme për këtë, por më lejoni t’i përmend dy prej tyre. Një ka të bëjë me ndryshimin në kontekstin gjeopolitik për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Dhe mendoj se e shohim sa i rëndësishëm është stabiliteti rajonal – ndoshta edhe më qartë pikërisht tani se sa e kemi parë më herët. Pra, mendoj se ky është një motivues. Gjithashtu mendoj se sot e kemi përparësinë e një pauze zgjedhore. Sapo kemi pasur zgjedhje në Serbi; po ashtu kemi pasur zgjedhje në disa shtete kryesore evropiane, pra mendoj se sot e kemi një mundësi që nuk ka qenë e njëjtë më parë. Dhe për mua, kjo përzierje e urgjencës dhe mundësisë më bën që të kem shpresë që dialogu do të ecë përpara.
T7: Po, por javën e kaluar në Bruksel u përballëm me dështim. Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për targat madje as pas gjashtë muajve të negociatave. Kjo nuk është fare premtuese. Dëshiroj të di mendimin tuaj për këtë?
NS Donfried: Duhet të jesh optimist për t’u marrë me diplomaci. Pra, gota është gjysmë e mbushur e jo gjysmë e zbrazët. Arsyeja përse kemi dialog të lehtësuar nga BE-ja është sepse këto janë çështje të vështira dhe ajo çka ne si SHBA po bëjmë përmes mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja është të nxitim palët që të ecin përpara. Ndoshta, e dini që sot do të shkoj në Serbi, ku do të kem diskutime të ngjashme dhe shpresoj që do të shohim angazhim serioz dhe kreativ nga të dy palët për ta çuar këtë përpara.
T7: Që ta përmbyllim me dialogun: a ka pala amerikane ndonjë afat kohor kur do të dëshironte ta shihte të përmbyllur?
NS Donfried: Afatet kohore… shpesh themi që suksesi nuk ka afat kohor. Por, sërish, mendoj se për shkak të faktorëve që i përmenda më herët, urgjenca e shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pauza zgjedhore që na jep një mundësi, kam shpresë që do të shohim lëvizje pozitive në afat të shkurtë e jo të gjatë.
T7: Dje e thatë se Rusia përfiton nga gjendja e tanishme dhe iu bëtë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bëhen bashkë për t’iu kundërvënë Kremlinit. Por, a mundemi që njëmend të presim nga Serbia që të dalë kundër Rusisë?
NS Donfried: Mendoj se ndoshta është më së miri që Serbia të përgjigjet për motivimet e saj, por do ta them se në kontekst të luftës në Ukrainë, e pamë se Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u ngrit dhe e dënoi pushtimin rus të Ukrainës. Gjithashtu, kemi parë Serbia kërkoi tërheqjen e Rusisë. Pra, mendoj se kemi parë ndryshim në qëndrimin e Serbisë dhe po ashtu dëshiroj të them se sa shumë ne, në Shtetet e Bashkuara, e çmojmë qëndrimin shumë të qartë të Kosovës për Ukrainën. Ajo jo vetëm që dënoi luftën, por hapi dyert për ukrainasit, përfshirë gazetarët, si dhe zbatoi sanksionet e vëna. Pra, mendoj se konteksti gjeopolitik, lufta e Rusisë kundër Ukrainës po e ndryshon dinamikën këtu.
T7: Një çështje që po diskutohet me intensitet në Kosovë pas luftës në Ukrainë është anëtarësimi i Kosovës në NATO. Disa thonë se mund të gjendet mënyrë për përshpejtimin e anëtarësimit. Si shihet kjo gjë në Uashington?
NS Donfried: Dëshiroj që sërish ta theksoj mbështetjen tonë të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe dëshiroj të siguroj sërish të gjithë në Kosovë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’ju ndihmuar në këtë rrugëtim. Sa i përket NATO-s, siç e dini jemi në mes të planit dhjetëvjeçar të zbatimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Mendoj se ky plan, që Shtetet e Bashkuara e mbështetin plotësisht, po ju përgatit shumë mirë për atë anëtarësim të ardhshëm në NATO. Ka shumë kritere për anëtarësim në NATO dhe rrugëtimi i reformës në të cilin jeni, ju pozicionon jashtëzakonisht mirë për të ardhmen tuaj në NATO.
T7: Një ushtarak i lartë, z. Howard (Hauard), ishte pjesë e delegacionit tuaj dje. Cila ishte porosia e pranisë së tij aty?
NS Donfried: Ishte shumë me rëndësi për mua që gjenerali Howard, i cili është zëvendës-komandant i Komandës Evropiane, të ishte me mua në këtë udhëtim. E them këtë për disa arsye. Një, pata dëshirë të demonstroja përpjekjen e tërë qeverisë së SHBA-së për mbështetjen tonë për Kosovën. Arsyeja tjetër është se për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e di se ka shtim të pasigurisë në Kosovë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe veçanërisht në Kosovë. Dhe prania e gjeneralit Howard na e përkujton të gjithëve rolin e rëndësishëm që KFOR-i luan këtu në Kosovë dhe kontributin e SHBA-së, si kontribuuesi më i madh në atë forcë të NATO-s, për stabilitetin në Kosovë. Pra, më pëlqen edhe simbolika që jemi këtu së bashku, por edhe përkujtimi i asaj mbështetjes së gjerë që Shtetet e Bashkuara ia japin Kosovës.
T7: E përmendët praninë e KFOR-it në Kosovë. Por, a është edhe baza amerikane në Kosovë, Bondstilli, garantues shtesë i sigurisë së Kosovës?
NS Donfried: Dëshiroj t’i siguroj kosovarët se mund të ndjehen – për shkak të KFOR-it dhe dëshiroj t’jua kujtoj sërish se është forca më e madhe e dislokuar e NATO-s e SHBA-ja është kontribuuesi më i madh në KFOR, si dhe për shkak të garancive të SHBA-së për Kosovën (e më lejoni të them se nuk shohim ndonjë kërcënim të shtuar për sigurinë e Kosovës; nuk shohim asgjë që të sugjerojë se Rusia ka rritur vëmendjen për nxitjen e destabilitetit këtu) – që për të gjitha këto arsye mund të ndjeheni të sigurt që SHBA-ja po kujdeset për sigurinë tuaj dhe se KFOR-i, së bashku me SHBA-në, do të sigurojnë që të mos ketë përshkallëzim të shtuar në Kosovë.
T7: E sa e sigurt mendoni është Bosnja? Thuhet që është ndër vendet ku Rusia shtrin ndikimin e saj.
NS Donfried: Mund t’ju siguroj se ne, Shtetet e Bashkuara, po i kushtojmë vëmendje të afërt stabilitetit në tërë rajonin, duke përfshirë edhe Bosnjën. Por, ne, qoftë përmes ambasadës amerikane këtu në Kosovë – dhe vetëm dua ta them se sa e lumtur jam që Xhef Hovenier është këtu si ambasador amerikan. Sa i përket caktimit të ambasadorëve, Kosova është shumë me fat që e ka ambasadorin Hovenier – qoftë përmes ambasadës amerikane, qoftë përmes KFOR-it, BE-së apo OSBE-së, vëmendje e madhe i kushtohet gjendjes këtu dhe në tërë rajonin. Dhe sigurisht, ne në Shtetet e Bashkuara jemi të përkushtuar që ta mbajmë këtë përqendrim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
T7: E kam një pyetje për Ukrainën, meqenëse bie nën portofolin tuaj. Rusia po e vazhdon agresionin atje. Dy sekretarë amerikanë ishin në Kiev. Cilat janë pritjet e SHBA-së se sa gjatë do të zgjasë lufta atje?
NS Donfried: Sa do të zgjasë kjo luftë? E dini, sfera ime e kristaltë është paksa e mjegullt lidhur me këtë, por mund t’ju them se është një person në këtë botë, i cili mund t’i japë fund luftës në Ukrainë që nesër. E ai është Vladimir Putini. Është Vladimir Putini ai që mori vendimin për të nisur luftën e paprovokuar dhe të pajustifikueshme kundër Ukrainës. Çfarë kemi parë gjatë dy muajve të kaluar është brutaliteti i asaj lufte. E Vladimir Putini mund t’i japë fund luftës sot nëse zgjedh ta bëjë atë dhe shpresoj që e bën sepse është aq pikëlluese kur i shohim ukrainasit duke vdekur çdo ditë. Jemi të përkushtuar që të ndihmojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt që mundemi dhe sërish dëshiroj të falënderoj Kosovën për rolin e saj në mbështetje të Ukrainës në këtë çast kritik.
T7: Kosova e ka strehuar dhe ka ofruar pagesën e shpenzimeve financiare për një gazetare ukrainase. Gjithashtu, ka ofruar strehim për 5000 refugjatë. A munden Kosova dhe Ukraina të përafrohen më shumë? Në fakt, a mundet Ukraina ta njohë Kosovën si shtet apo jo? Apo mendoni se tani nuk është koha për të diskutuar këtë çështje?
NS Donfried: Ma merr mendja kjo është pyetje për Ukrainën, por mendoj se roli i Kosovës ndaj Ukrainës është diç që e çmoj dhe nuk befasohem nga ai. Arsyeja përse e them këtë është sepse e kemi parë se si Kosova ka dalë në ndihmë në çastet kur të tjerët kanë pasur nevojë. E këtu gjithashtu dua ta falënderoj Kosovën për rolin që keni luajtur për t’ju ndihmuar afganëve në rrezik. Ky ishte një çast tjetër kur Kosova hapi dyert për njerëzit në nevojë. Ne ishim aq mirënjohës për rolin tuaj dhe mendoj se janë të paktën 600 afganë që janë në SHBA tani dhe po ia fillojnë jetës së re duke iu falënderuar rolit të Kosovës. Prandaj, dëshiroj ta përgëzoj Kosovën që është në anën e duhur të historisë, qoftë kur ka të bëjë me Ukrainën apo me Afganistanin. E për këtë duhet të ndjeheni shumë krenarë.
T7: Dje e përmendët sekretaren Albright. Udhëheqësit kosovarë do të shkojnë në varrimin e saj në Uashington. Siç e dini, ajo ishte figurë që ka kontribuar shumë për Kosovën dhe respektohet shumë këtu. Pa kontributin e saj ndoshta as nuk do ta bënim këtë intervistë. Si e shpjegoni këtë?
NS Donfried: Së pari, dua të them se i jam shumë mirënjohëse presidentes Osmani për mënyrën se si e nderoi Madeleine Albright (Medlin Olbrajt) këtu në Kosovë dhe është shumë e përshtatshme që ajo dhe kryeministri juaj pikërisht tani janë duke udhëtuar për në Uashington për varrim. Sepse siç e thatë, askush nuk mund ta vë në dyshim përkushtimin e Madeleine Albright-it ndaj Kosovës. Dhe ajo e luajti atë rol qoftë për ndërhyrjen e NATO-s apo për mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, si dhe në mbështetjen e saj të vazhdueshme që Kosova të ecë përpara drejt reformave demokratike. Mendoj se nderimi më i madh ndaj trashëgimisë së saj do të jetë dita kur Kosova i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Asgjë nuk do ta bënte më të lumtur se kjo. Sërish, mendoj se janë shumë pak njerëz, të paktën në SHBA, që kanë luajtur rolin që e luajti ajo për vendin tuaj. Dhe është kaq e duhur që po e nderoni në këtë mënyrë.
T7: Zonja Donfried, ju faleminderit shumë për kohën tuaj.
NS Donfried: Ishte kënaqësia ime. Ju faleminderit juve.
Marrë nga Gazeta Express
Aksidenti i rëndë në Tiranë, si mund të shmangen ngjarje të tilla?
SOFJE- Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka bërë thirrje për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që të...
TIRANË- Ata mbërritën rreth orës 10:00. Rreth një duzinë xhipa të zinj të policisë të rreshtuar në një rrugë të pjerrët në periferinë e pasur të Beogradit,...
UKRAINË- Sa më gjatë që ushtria e Ukrainës t’i zmbraps pushtuesit rusë, aq më shumë përfiton nga avantazhet e armatimit dhe stërvitjes perëndimore – ...
GREQI- Mediat greke kanë publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë ku shihen e dy ekzekutorët me pagesë të Giannis Skaftourou, të hipur në motorin që lanë...
KOSOVË- Ndërsa fokusi i luftës së Rusisë në Ukrainë po zhvendoset në lindje, forcat ruse po mbushin terrenin me mina tokësore. Gjashtë gra ukrainase kanë f...
PAKISTAN- Një grua vetëvrasëse nga një grup separatist pakistanez vrau katër persona, duke përfshirë tre shtetas kinezë, në një sulm ndaj një minibusi që transp...
RUSI- Presidenti rus Vladimir Putin ka përmëndur pavarësinë e Kosovës gjatë takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. Gjatë dekla...
BRITANI E MADHE– Një kompani shqiptare pritet që të përballet në gjyq me band-in internacional “Zara”. Bëhet fjalë për “House of Zana”, kompani e vogël sh...
SHBA- Zëvendëspresidentja Kamala Harris rezultoi pozitive me Covid-19 të martën pasi u kthye nga një udhëtim njëjavor në Kaliforni.“Sot dola pozitiv për C...
KOSOVË- Autoritetet e Kosovës, deri më tani, nuk kanë njoftuar nëse kanë identifikuar ndonjë të dyshuar për sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës...