Protestë masive kundër projektit në Zvërnec/ Qytetarët para Kryeministrisë thirrje kundër qeverisë: Rama të japë dorëheqjen (PAMJET)
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
Protesta vijon, qytetarët shpalosin flamurin masiv kuq e zi në bulevard: Rama ik 4 Qershor, 21:28 Betejë pa li...
"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS, por ti nuk je i ftuar! ...
Ish-ushtarak dhe njohës i armëve/ Kush është Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau një polic e...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
•Dje më datë 11 qershor në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet e 12-ta që nga vendosja e pluralizmit. Partia proevropiane Lëvizja "Evropa Tani" e Milojko Spajiç ka shpallur fitoren me 26 përqind të votave ose 24 mandate. •Pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviç me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi. •Koalicioni pro-serb dhe pro-rus "Për të Ardhmen e Malit të Zi" (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviçit me Demokratët të Aleksa Beçiçit 12.3 përqind ose 11 mandate. •Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat. •Nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura ditën e djeshme datë 11 qershor, dalin 81 deputetë dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.
5 artikuj për këtë temë.
Krijimi i një koalicioni paszgjedhor, që do të udhëhiqte një qeveri të re e të qëndrueshme në Mal të Zi, do të jetë i vështirë, ndërkohë që mbetja e këtij vendi në rrugën evropiane do të varet nga disa faktorë, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivana Stradner, bashkëpunëtore kërkimore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington. Lidhur me interesimin e Perëndimit për Qeverinë e re të Malit të Zi, Stradner thotë se Uashingtoni, aktualisht, e shikon Ballkanin Perëndimor përmes prizmit të luftës në Ukrainë dhe se qëllim i tij është t’i pengojë përpjekjet destabilizuese të Moskës.
Ajo gjithashtu beson se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i përshtatet një Mal i Zi i paqëndrueshëm, në mënyrë që të mund ta përshkallëzojë dhe qetësojë situatën përmes Kishës Ortodokse Serbe.
Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare janë ndër zgjedhjet më të rëndësishme në Mal të Zi në vitet e fundit dhe ky tren nuk duhet të humbet, thotë Stradner.
Zgjedhjet në Mal të Zi u mbajtën më 11 qershor.
Radio Evropa e Lirë: Lëvizja Evropa Tani (PES) ka dalë mirë në këto zgjedhje, ashtu siç edhe pritej. Një vit nga themelimi, ajo ka fituar zgjedhjet lokale në kryeqytetin e Podgoricës, ndërsa kandidati i saj ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale. Si e interpretoni suksesin e saj?
Ivana Stradner: Suksesi i saj ka qenë i pritshëm, sepse ajo e ka ndërtuar fushatën e saj mbi ekonominë dhe standardin më të mirë jetësor. Mali i Zi ka kohë që është polarizuar dhe shumë njerëz janë lodhur nga temat që lidhen me identitetin kombëtar. Ata kërkojnë një të ardhme të re për vendin e tyre.
[Ish-presidenti] Millo Gjukanoviq ka qenë në pushtet për gati tri dekada dhe, natyrshëm, populli do diçka të re. Dhe, ajo që mund të sjellë Lëvizja Evropa Tani, mbetet për t’u parë. Është shumë herët të flitet për këtë, sidomos duke pasur parasysh trazirat brenda vetë lëvizjes, ndërmjet udhëheqësve të saj: Jakov Millatoviq dhe Millojko Spajiq.
Radio Evropa e Lirë: Tani priten negociata të paqarta partiake për koalicionet paszgjedhore, por marrëdhëniet e tyre janë dëmtuar rëndë në fund të fushatës. Sa i vështirë do të jetë krijimi i një qeverie të qëndrueshme, që do ta fillonte integrimin praktikisht të ndalur evropian?
Ivana Stradner: Besoj se, në këtë moment, do të jetë shumë e vështirë të bësh koalicion. Nuk ka mosmarrëveshje vetëm brenda Lëvizjes Evropa Tani… Shtrohet edhe pyetja se ku do të jenë DPS-ja dhe URA në atë formulë qeveritare, aq më tepër që Spajiq e ka bërë të qartë se nuk ka koalicion me to.
Nga ana tjetër, strukturat pro-serbe dhe pro-ruse nga ish-Fronti Demokratik nuk e kanë mbështetjen e Perëndimit.
Marrë parasysh një situatë të tillë, është keq që Mali i Zi ka një status quo politike, që do të çojë vetëm në ngadalësim të integrimit evropian – gjë që është një dhuratë e madhe për Beogradin dhe Moskën.
Kjo do të jetë një provë e madhe dhe, pa e ekzagjeruar, them se këto janë një nga zgjedhjet më të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.
Radio Evropa e Lirë: Afera që ka shpërthyer disa ditë para zgjedhjeve është “mbreti i kriptomonedhave” i Koresë së Jugut. Do Kvon është vënë në kontakt me udhëheqësin e Evropës Tani, Millojko Spajiq, i cili është konsideruar si kryeministri më i mundshëm i ardhshëm. Kjo aferë e ka komplikuar edhe më shumë skenën politike parazgjedhore. A mund ta komplikojë edhe atë paszgjedhore?
Ivana Stradner: Sigurisht. Kjo aferë nuk ka përfunduar, sapo ka filluar. Dhe, besoj se Qeveria e re do të varet nga rrjedha e kësaj afere. Aktualisht, nuk ka informacion të mjaftueshëm për këtë aferë, por sido që të shkojë, do të ketë ndikim në Lëvizjen Evropa Tani, e cila tashmë ka përçarje brenda vetes.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që Mali i Zi të mbetet në të njëjtin kurs të politikës së jashtme dhe nga çfarë do të varet kjo?
Ivana Stradner: Këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi. Të gjithë flasin për Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit. Demokracia dhe liria nuk duhet të merren kurrë si të mirëqena. Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e ka thënë qartë se Mali i Zi do të mbetet në rrugën evropiane dhe do të jetë partner i NATO-s. Por, kjo do të varet nga shumë faktorë.
Para së gjithash, kjo rrugë do të varet nga lufta në Ukrainë, se si zhvillohet ajo. Aktualisht, Rusia nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për ta destabilizuar Ballkanin në mënyrën që ka planifikuar ta bënte përpara shkurtit 2022, por ende i ka lojtarët e saj në Mal të Zi, që e luajnë lojën e Moskës.
Më e rëndësishmja – ashtu siç [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk do një Ukrainë demokratike dhe të lirë, as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk dëshiron të ketë vende demokratike në fqinjësinë e tij, sepse atëherë elektorati i tij do t’ia kërkojë atë.
Nuk duhet të mashtrohemi se Vuçiq e do Serbinë në Bashkimin Evropian, sepse asnjë sistem i rregullt nuk përkon me ambiciet e tij politike.
Vuçiqit i përshtatet një Mal i Zi i paqëndrueshëm, në mënyrë që, përmes Kishës Ortodokse Serbe, ta përshkallëzojë situatën dhe më pas ta shtensionojë atë, të pozicionohet si ndërmjetës rajonal dhe faktor stabiliteti në sytë e Perëndimit, dhe ta shfrytëzojë këtë si pazar me Perëndimin.
Këtë skenar e kemi parë edhe më parë, jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Politika e jashtme globale është shumë komplekse dhe politika rajonale nuk është më e mirë. Mali i Zi nuk mund të shihet veçmas prej kësaj.
Radio Evropa e Lirë: Sa është i interesuar Perëndimi, përfshirë SHBA-në, për Qeverinë e re në Mal të Zi? Deri më tani, ai ka qenë i qartë se Fronti Demokratik nuk është një faktor i dëshirueshëm. Ky koalicion pro-serb dhe pro-rus është shpërbërë para zgjedhjeve dhe udhëheqësit e tij kanë formuar koalicione të reja.
Ivana Stradner: Kur themi Perëndim, duhet të specifikojmë se për kë po flasim në Perëndim. SHBA-ja ka prioritete shumë më të larta në politikën e jashtme, sesa Ballkanin Perëndimor.
Uashingtoni e shikon Ballkanin Perëndimor përmes prizmit të Ukrainës.
Një nga qëllimet e tij është ta parandalojë Putinin të hapë një front të dytë dhe të destabilizojë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, SHBA-ja do që t’i tregojë Rusisë se nuk është një partnere e besueshme dhe se aleatët e Putinit po kthehen drejt Perëndimit.
Shikojeni mirë situatën në lidhje me Armeninë dhe Azerbajxhanin dhe konfliktin e tyre për rajonin e Nagorno Karabakut.
Kur Armenia i ka kërkuar Rusisë vitin e kaluar që ta ndihmonte në konfliktin me Azerbajxhanin, përmes “Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive”, anëtare e së cilës është, Putin nuk e ka ndihmuar aleatin e tij. Aktualisht, SHBA-ja po ndihmon për zgjidhjen e situatës në Nagorno Karabak.
SHBA-ja shpreson të zbatojë një strategji të ngjashme në Ballkan, duke ndarë Serbinë dhe faktorët pro-rusë nga Moska. Ky është një objektiv i admirueshëm, por metodologjia e Uashingtonit është e gabuar.
SHBA-ja po bën gjithçka për ta kënaqur Vuçiqin, në mënyrë që ai të mos afrohet me Putinin. Por, në sistemin e vlerave të Vuçiqit, mirësia është dobësi. Ai nuk mund t’i thotë “njet” [jo] Putinit dhe vazhdon ta luajë lojën e tij balancuese.
Pra, nuk duhet të habitemi që anëtarët e Frontit Demokratik nuk i përshtaten Perëndimit, por, nga ana tjetër, ata janë të rëndësishëm për Serbinë si mjet pazari.
BE-ja do të donte ta shihte Malin e Zi më afër Evropës, por për këtë duhet të ofrohen jo vetëm karotat, por edhe shkopinjtë, e për ç’gjë nuk ka oreks në Bruksel. Moska dhe Beogradi e dinë mirë këtë.
Perëndimi e sheh Ballkanin e Hapur si një alternativë. Kjo ide është e mirë në teori – kush nuk dëshiron një treg të hapur – por në praktikë është ndryshe. Në atë strukturë, vendet më të vogla si Mali i Zi, Kosova apo Bosnje e Hercegovina nuk do të ishin të barabarta me Serbinë.
Gjithashtu, Ballkani i Hapur nuk duhet të jetë alternativë ndaj Bashkimit Evropian. Anëtarësimi i plotë duhet të jetë qëllimi kryesor, por aktualisht BE-ja nuk i përshtatet Beogradit, dhe Ballkani i Hapur i shërben Vuçiqit vetëm për të blerë kohë.
Sa i përket Britanisë së Madhe, ajo është treguar lidere në Evropë për sigurinë që e disiplinon Moskën dhe e kupton shumë mirë situatën e sigurisë. Por, ajo nuk është në BE që të mund t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor diçka konkrete dhe nuk më duket se Londra dëshiron ta kundërshtojë politikën amerikane në Ballkan.
Radio Evropa e Lirë: A prisni ndikim jozyrtar të faktorëve të huaj në procesin e formimit të Qeverisë së re të Malit të Zi? Për shembull të Beogradit zyrtar dhe të Kishës Ortodokse Serbe? Ndikimi i tyre në politikë, që nga ndërrimi i Qeverisë në vitin 2020, është i dukshëm…
Ivana Stradner: Nëse shikojmë historinë e kohëve të fundit, mund të presim ndikimin e faktorëve të jashtëm në formimin e Qeverisë.
Një Mal i Zi i qëndrueshëm, demokratik dhe i rregullt nuk i përshtatet Beogradit, dhe Kisha Ortodokse Serbe është një instrument destabilizimi që Beogradi dhe Moska e përdorin për të hedhur benzinë në zjarrin e tensioneve etnike.
Nëse Vuçiq vazhdon të ketë probleme në Kosovë dhe probleme shtesë në Serbi me protesta, besoj se kjo do të ketë ndikim në Mal të Zi përmes pamundësisë së formimit të Qeverisë.
Radio Evropa e Lirë: A prisni që partitë kryesore t’i përmbushin premtimet e tyre parazgjedhore? Janë dëgjuar shumë, nga rritja e pagës mesatare për një të tretën deri te shkurtimi i orarit të punës në shtatë orë. Po ashtu është thënë se Mali i Zi do të hyjë në BE në mandatin e ardhshëm qeveritar.
Ivana Stradner: Këto zgjedhje janë një provë e madhe për Malin e Zi. Rritja e pagave dhe standardeve të jetesës është e rëndësishme, por është edhe më e rëndësishme nëse palët do të bien dakord për një plan për BE-në, si një plan për Malin e Zi në afat të gjatë.
Nuk duhet të flitet më për “rrugën drejt BE-së”, por për “anëtarësimin në BE”.
Partitë që formojnë koalicionin, duhet të krijojnë një agjendë të qartë për anëtarësimin në BE.Siç e kam thënë tashmë – këto janë ndoshta zgjedhjet më të rëndësishme në Mal të Zi në vitet e fundit dhe ky tren nuk duhet të humbasë./REL
MAL I ZI- Milojko Spajiç, pritet të jetë kryeministër i ardhshëm i Malit të Zi. Partia e tij proevropiane Lëvizja “Evropa Tani”, me të cilën ai garoi arriti të marrë 26 për qind ose 24 mandate në zgjedhjet parlamentare të mbajtura ditën e djeshme datë 11 qershor. Nëse do të arrijë të krijojë një koalicion qeverisës, Spajiç do të vendoset në krye të qeverisë Malazeze.
Por, kush është Milojko Spajiç?
Milojko Spajiç, ka lindur më 24 shtator 1987, në Pljevlja. Ai ka qenë ministër i Financave dhe Mirëqenies Sociale, nga 4 dhjetori i vitit 2020 deri në 28 prill 2022, në qeverinë e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiç.
Studimet i ka mbaruar në Universitetin e Osakës në Japoni, ku studioi ekometrinë në gjuhën japoneze si bursist i Qeverisë së Japonisë. Specializimin 35 vjeçari e kreu në Francë në shkollën e biznesit HEC Paris.
Pas diplomimit, Spajiç punoi në Shtetet e Bashkuara në Wall Street, në Paris dhe Tokio. Para se të hynte në politikë, Spajiç ka punuar edhe për “Goldman Sachs”, një grup bankar global që merret me investime bankare, tregtimin e letrave me vlerë dhe shërbime të tjera financiare, kryesisht me klientët institucionalë, thuhet në faqen zyrtare të qeverisë malazeze. /Dosja.al
MAL I ZI- Koalicioni URA i Dritan Abazoviç i cili mori 11 mandate në zgjedhjet parlamentare thotë se do të jenë shtylla kryesore e koalicionit në Mal të Zi.
“Nuk ka rëndësi se ne ishim objektivi kryesor në fushate, anëtarët e të dyja partive treguan qëndrueshmëri dhe ia arritëm qëllimit”, përfundoi ai.
Abazoviç i është përgjigjur gjithashtu edhe deklaratëve të pas fitores së, Milojko Spajiç, kryetar i listës së Lëvizjes Evropa Tani i cili tha se nuk do të formojë qeveri me Urën. Abazoviç tha se kushdo që dëshiron të vendosë interesin kombëtar është partner i URA-s.
"E kemi qeverinë, presim parlamentin. Kushdo që dëshiron të vendosë interesin kombëtar është partneri ynë. Ne nuk shohim një qeveri të qëndrueshme në të cilën nuk marrim pjesë. Vetëm njerëzit që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin nuk janë të pranueshëm për ne, por kushdo që është për një Mal të Zi evropian, civil dhe ekologjik është i mirëpritur," tha ai.
Nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura ditën e djeshme datë 11 qershor, dalin 81 deputetë dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi. Partia proevropiane Lëvizja “Evropa Tani” ka shpallur fitoren me 23 deputetë. Pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviç me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi. Koalicioni pro-serb dhe pro-rus "Për të Ardhmen e Malit të Zi" (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviçit me Demokratët të Aleksa Beçiçit 12.3 përqind ose 11 mandate. Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.
MAL I ZI- Partia Evropa Tani e presidentit Milatoviç shpalli dje fitoren, teksa ka marrë 23 deputetë. Lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, tha se kanë arritur një rezultat të mirë dhe presin që Qeveria të formohet sa më shpejt.
Spajiç njoftoi se PES do të bisedojë me të gjithë me të cilët ndajnë vlera të përbashkëta. I pyetur se me kë do të formonin qeverinë, Spajiç tha se e kishte deklaruar qartë se me kë nuk do të bënte koalicion – me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare URA.
Për 81 ulëset e Parlamentit të Malit të Zi garuan 15 parti dhe koalicione. Të drejtë vote kishin 542.468 qytetarë.
MAL I ZI- Janë publikuar rezultatet paraprake nga zgjedhjet në Mal të Zi. Nik Gjeloshaj nga Forumi Shqiptar tha se partia që do të drejtojë deri më tani ka fituar dy mandate ndërsa ka përsëritur se ky është një rezultat i madh për këtë subjekt politik. Gjeloshaj ka konfirmuar se shqiptarët do të përfaqësohen me katër deputetë në Kuvend.
“Mendoj se me katër deputetë në parlament nga partitë shqiptare iu dërgua një mesazh i mirë popullit shqiptar”, tha ai.
Lëvizja që ka drejtuar presidenti aktual malazez, Jakov Milatoviç, ka fituar zgjedhjet parlamentare. Genci Ninambegu do të jetë përfaqësues i Aleancës Shqiptare ndërsa Forumi Shqiptar do të përfaqësohet nga Nik Gjeloshaj dhe Nikola Camaj
Në parlament do të shkojnë edhe tre shqiptarë të tjerë. Mehmet Zenka dhe Drita Lola përfaqësojnë partinë e ish-presidentit, Milo Gjukanoviç ndërsa përkrah tyre do të jetë edhe shqiptari tjetër, Dritan Abazoviç, koalicioni i të cilit siguroi 11 deputetë.
Demokratët dhe URA: Aleksa Beçi-, Dritan Abazoviq, Momo Koprivica, Zdenka Popoviç, Milos Konatar, Boris Bogdanoviç, Dragan Krapovic, Ana Novakovic Durovic, Vladimir Martinovic, Stevan Katic dhe Filip Adzic.
Deputetët e lëvizjes “Evropa Tani” do të jenë: Milojko Spajic, Filip Ivanovic, Maida Gorcevic, Andrej Milovic, Andela Jaksic Stojanovic, Boris Pejovic, Vasilije Carapic, Srdan Pavicevic, Vladimir Dobricanin, Seid Hadzic, Jelena Nedovic, Tihomir Dragas, Filip Radulovic, Mirko Dukic, Naida Nisic, Vojislav Simun, Ugljesa Urosevic, Drazen Petric, Radinka Cincur, Jovan Subotic, Miodrag Lakovic, Milos Pizurica i Jevrosima Pejovic.
Nga radhët e koalicionit “Së bashku”: Danijel Zhivkovic, Nikola Janovic, Nermin Abdic, Drita Lola, Boris Mugosha, Dushan Raicevic, Oskar Huter, Aleksandra Vukovic, Kucuckov, Jevto Erakovic, Abaz Dizdarevic, Sonja Milatovic, Branislav Nenezic, Mehmed Zenka, Nikola Milovic, Zoja Bojanic Lalovic, Andrija Nikolic, Nikola Rakocevic, Mihailo Andusic, Aleksandra Despotovic dhe Nihad Canovic.
Për të ardhmen e Malit të Zi: Milan Knezevic, Andrija Mandic, Simonida Kordic, Marko Kovacevic, Maja Vukicevic, Slaven Radunovic, Vesko Delic, Milun Zogovic, Milutin Dukanovic, Milan Lekic, Vladislav Bojovic, Jelena Bozovic dhe Jovan Jole Vucurovic.
Deputetët e Partisë Boshnjake do të jenë Ervin Ibrahimoviç, Amer Smailoviç, Kenana Strujiq Harbiç, Damir Gutiç, Admir Adroviq dhe Mirsad Nurkoviç.
Si deputetet të SNP-së dhe DEMOS-it në Kuvend do të flasin Vladimir Jokoviç dhe Dragoslav Shqekiç. Ndryshe, Adrijan Vuksanoviç do të jetë përfaqësues nga HGI.
Përshtatur nga rtcg.