Tronditet Elbasani/ Një person qëllon drejt një lokali, plagosen tre persona. Autori largohet menjëherë nga vendngjarja (EMRAT)
Plagosja me armë zjarri në Elbasan/ Sherri mes adoleshentëve nisi në një lokal 20 Korrik, 21:14 ...
Plagosja me armë zjarri në Elbasan/ Sherri mes adoleshentëve nisi në një lokal 20 Korrik, 21:14 ...
Dita e 51-të e protestës/ Nis organizimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej”: Rama jepe dorëheqjen! 20 ...
"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time 20 Korr...
Berisha: Ja tre zyrtarët që kanë qenë në Aruba, SPAK fsheh emrat e tyre sepse është seksion i Partisë So...
Rusia zhvilloi stërvitjen e saj të parë ushtarake në Liqenin Peipus pa e njoftuar Estoninë.
Teksa lufta e Rusisë kundër Ukrainës riformëson peizazhin e sigurisë së Evropës, Estonia mbetet një nga shtetet që po shikon më me kujdes lëvizjet e radhës të Kremlinit. Nga stërvitjet e para të paparalajmëruara të Rusisë në liqenin Peipus në kufi me Estoninë, deri te nisma e Talinit për një ndalim në mbarë Bashkimin Evropian për hyrje në Zonën Schengen për ish-luftëtarët rusë, Estonia argumenton se Evropa duhet të përgatitet jo vetëm për kërcënimet ushtarake, por edhe për luftë hibride, operacione të ndikimit nga jashtë dhe rreziqe afatgjata të sigurisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Uashington, zëvendëssekretari për Sigurinë e Brendshme i Estonisë, Joosep Kaasik, flet për atë pse Talini beson se parandalimi është mbrojtja më e mirë e Evropës, sqaron arsyetimin pas ligjit estonez që ndërpreu lidhjet administrative të Kishës Ortodokse të Estonisë me Patrikanën e Moskës dhe vlerëson partneritetet në rritje të Rusisë me vende si Irani.
Radio Evropa e Lirë: Rusia zhvilloi stërvitjen e saj të parë ushtarake në Liqenin Peipus pa e njoftuar Estoninë. Sa seriozisht e sheh Estonia këtë zhvillim?
Joosep Kaasik: Duhet ta kuptojmë se pala ruse zhvillon stërvitje vazhdimisht në anën tjetër të kufirit. Po, është e vërtetë që kjo ndodhi për herë të parë në vitet e fundit në Liqenin Peipus, por ata zhvillojnë stërvitje të ngjashme edhe në det. Prandaj, kjo është diçka që thjesht duhet ta kuptojmë si pjesë të mënyrës se si ata sillen.
Sigurisht, do të ishte mirë nëse do t’i njoftonin fqinjët për këto stërvitje, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë po ashtu se çdo shtet është i pavarur në këto çështje dhe vendos vetë se si i zhvillon aktivitete të tilla. Jam mjaft i sigurt se nëse ne do të zhvillonim një stërvitje në anën tonë, nuk besoj se do të dëshironim ta njoftonim palën tjetër për çdo stërvitje që organizojmë.
Në këtë kuptim, duhet t’i shohim këto zhvillime me qetësi dhe në mënyrë të ekuilibruar, sepse bëhet fjalë për aktivitet të zakonshëm ushtarak. Natyrisht, për ne kjo është shqetësuese sepse do të thotë gjithashtu se ata po stërviten se si të përdorin forcën në Liqenin Peipus, gjë që sigurisht nuk është në interesin tonë.
Radio Evropa e Lirë: A sinjalizon ky incident një ndryshim më të gjerë në sjelljen ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit lindor të NATO-s?
Joosep Kaasik: Kur shohim të gjitha ato që i ka bërë Rusia deri më tani, mendoj se ajo gjithmonë ka dërguar të njëjtin mesazh: se nuk i intereson askush. Nuk i intereson asgjë dhe do të bëjë çfarëdo që mendon se është e nevojshme – para së gjithash për të krijuar konfuzion në vendet fqinje. Siç mund ta shohim nga shumë prej veprimeve të saj, kjo është mënyra se si ajo funksionon.
Ne nuk mund të themi kurrë me saktësi cili është qëllimi i një aktiviteti të caktuar, por ata tashmë e kanë arritur një pjesë të synimit të tyre në momentin kur e gjithë bota flet për të. Kjo është edhe arsyeja pse mendoj se nuk duhet t’u kushtojmë gjithmonë kaq shumë vëmendje këtyre veprimeve, sepse kjo krijon një atmosferë frike kudo.
Duhet të jemi realistë. E dimë se ekziston gjithmonë mundësia që një ditë të sulmohemi, por në të njëjtën kohë, do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta parandaluar një gjë të tillë. Kjo është mënyra jonë e të menduarit. Dhe gatishmëria nuk ka të bëjë vetëm me kapacitetet ushtarake. Ajo lidhet edhe me sigurinë e brendshme, me identifikimin e problemeve brenda shoqërive tona. Na duhet një qasje shumë më e gjerë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë e shqetëson më së shumti Estoninë sot: rreziku i një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë ushtarak apo fushata e luftës hibride të Rusisë?
Joosep Kaasik: Të gjitha. Ne mendojmë se përshkallëzimi ushtarak nuk është zgjedhja e parë e Rusisë. Përgjatë viteve – në të gjithë periudhën e pavarësisë sonë – Rusia ka qenë gjithmonë fqinja jonë dhe kemi parë se ajo përpiqet të përdorë çdo mjet të mundshëm për të fituar ndikim mbi vendin tonë.
Mendoj se qasja e tyre e preferuar është të ndikojnë në politika. Ata përpiqen të shtyjnë përpara ide të caktuara në shoqëritë tona. Gjithashtu, përpiqen të ndikojnë te banorët vendas në mënyrë që ata të fillojnë të besojnë gjëra që i shërbejnë më së shumti interesave të Rusisë.
Në thelb, ata do të preferonin të ushtronin ndikim mbi vendet tona në një mënyrë më të butë, në rrethana që duken demokratike. Kjo është metoda që kemi parë të përdoret edhe në shumë vende të tjera.
“Këta luftëtarë do të bëhen objektiva të inteligjencës ruse”
Radio Evropa e Lirë: Estonia po udhëheq përpjekjet për të ndaluar hyrjen e ish-luftëtarëve rusë në Zonën Schengen. Pse është e nevojshme kjo gjë?
Joosep Kaasik: Jam mjaft i bindur se Evropa po e kupton këtë gjithnjë e më shumë. Natyrisht, nga pikëpamja politike, kjo është një çështje e ndërlikuar sepse Bashkimi Evropian nuk është një shtet i vetëm. Ai përbëhet nga vende me kultura të ndryshme dhe mënyra të ndryshme të të kuptuarit të këtyre çështjeve. Megjithatë, ne po e mbajmë këtë temë në agjendë dhe lajmi i mirë është se Komisioni Evropian tashmë ka ndërmarrë disa hapa drejt një qasjeje më të përgjithshme.
Radio Evropa e Lirë: A besoni se Evropa po fillon t’i shohë rreziqet afatgjata për sigurinë që paraqesin luftëtarët rusë që kthehen nga lufta?
Joosep Kaasik: Ajo që po bëjmë tani është përdorimi i ndalimit të hyrjes si mënyrë më të shpejtë për ta kufizuar lëvizjen e tyre drejt Estonisë në të ardhmen e afërt. Mendoj po ashtu se ky është një mesazh i fortë për bashkësinë ndërkombëtare se nëse keni luftuar kundër ukrainasve në këtë luftë agresioni, nuk duhet të keni kurrë qasje në Evropë. Deri më tani, ne kemi vendosur ndalim hyrjeje për rreth 3.100 persona. Por, e kuptojmë gjithashtu se nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm për secilin që ka luftuar në anën e Rusisë.
Ne e shohim këta si grup njerëzish shumë të rrezikshëm për të ardhmen, sepse siç e dini, shërbimet speciale ruse përdorin persona me përvojë në fushëbetejë. Ata janë një grup i lehtë për t’u rekrutuar dhe ka shumë gjasa që t’u binden udhëzimeve të shërbimeve ruse të inteligjencës dhe sigurisë. Pikërisht këtu e shohim kërcënimin më të madh – se në të ardhmen ata mund të përfshihen në lloje të ndryshme sulmesh në mbarë Evropën dhe të na shkaktojnë shumë probleme.
Pika e dytë është se ne nuk mendojmë se rusët duhet të lëvizin lirshëm nëpër Evropë përderisa kjo luftë vazhdon. Këto janë dy aspekte të ndryshme të kësaj çështjeje. Siç e dini, brenda BE-së është diskutuar edhe për lëshimin e vizave për qytetarët rusë. Ne e mbështesim fuqishëm idenë që tani atyre të mos u jepen viza turistike. Si është e mundur që ata të shijojnë rrezet e diellit diku në Nicë të Francës, ndërkohë që Ukraina është në luftë?
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do t’u thoshit partnerëve në BE që ende hezitojnë ta mbështesin propozimin e Estonisë?
Joosep Kaasik: Do t’u thosha se herët a vonë ky problem do të mbërrijë edhe në territorin e tyre dhe më pas mund të jetë tepër vonë. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të parandalojmë incidente të reja. Parandalimi është gjithmonë mënyra më e lirë dhe më efektive për të shmangur problemet.
Unë personalisht e kam diskutuar për këtë çështje me shumë kolegë nga vende që kanë një qasje ndryshe. Argumentet e tyre janë të kuptueshme, por janë shumë naive.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë argumentesh janë ato?
Joosep Kaasik: Argumenti i tyre është se Evropa duhet të vazhdojë të angazhohet me qytetarët rusë, në mënyrë që ata të përjetojnë demokracinë, të studiojnë jashtë vendit dhe ndoshta një ditë, t’i sjellin vlerat demokratike përsëri në Rusi.
Por, kur shoh prapa në 200 vjetët e fundit, nuk shoh një periudhë kur shoqëria ruse ka funksionuar në një mënyrë vërtet demokratike. Për këtë arsye, unë personalisht nuk besoj se kjo do të ndodhë papritur në të ardhmen.
Sigurisht, ne e kuptojmë se ka rusë që mendojnë ndryshe. Por, të paktën për sa kohë që kjo luftë vazhdon, duhet të ushtrohet presion edhe mbi shoqërinë ruse më gjerësisht.
Radio Evropa e Lirë: Estonia ka miratuar një ligj që i jep fund lidhjeve administrative të Kishës Ortodokse të Estonisë me Patrikanën e Moskës. Pse një gjë e tillë u konsiderua një vendim i rëndësishëm për sigurinë kombëtare?
Joosep Kaasik: Që në fillim të luftës në Ukrainë, Qeveria jonë arriti në përfundimin se bazuar në veprimet e Qeverisë ruse, ajo mund të përshkruhet si një regjim terrorist. Kjo është baza mbi të cilën mbështetet gjithçka.
Kur ndryshuam legjislacionin tonë, parimi kryesor ishte që asnjë bashkësi fetare që vepron në Estoni të mos ketë lidhje administrative me një fuqi terroriste, kudo në botë. Ky është një parim i përgjithshëm. Nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë.
Pika e dytë është se patriarku i Kishës Ortodokse Ruse e ka cilësuar publikisht këtë si një luftë të shenjtë. Me fjalë të tjera, Patrikana e Moskës e ka mbështetur publikisht këtë luftë agresioni dhe këtë regjim. Kjo është diçka që duhet ta kemi parasysh kur flasim për kishat në vendet demokratike.
Sipas strukturës së tyre administrative, ato marrin udhëzime drejtpërdrejt nga Moska. Nuk mund ta imagjinoj se si kjo mund të funksionojë normalisht, kur ato udhëzime vijnë nga një institucion që mbështet luftën që po zhvillohet kundër Ukrainës. Asnjë shoqëri demokratike nuk duhet ta tolerojë një gjë të tillë. Pikërisht për këtë arsye ne e ndryshuam ligjin, në mënyrë që organizatave fetare të mos u lejohet të mbajnë lidhje të drejtpërdrejta administrative me autoritete të huaja që mbështesin haptazi terrorizmin ose forma të tjera të aktiviteteve të dhunshme.
Radio Evropa e Lirë: Sa i madh është përdorimi nga Kremlini i institucioneve fetare si pjesë e strategjisë së tij më të gjerë të ndikimit dhe luftës hibride?
Joosep Kaasik: Patjetër, struktura të tilla mund të shërbejnë edhe si platforma për përhapjen e ideologjisë, por mendoj se ky nuk është thelbi i çështjes. Pika kryesore është vetë marrëdhënia administrative. Është një çështje parimore.
Siç thashë, nuk ka të bëjë vetëm me Rusinë. Ne nuk do të toleronim asnjë organizatë fetare që ka lidhje të drejtpërdrejta administrative me një qeveri që mbështet haptazi terrorizmin ose aktivitete të dhunshme.
Ky ligj nuk është hartuar posaçërisht për Rusinë. Ai bazohet në parime të përgjithshme. Sot po flasim për një kishë, por në të ardhmen mund të bëhet fjalë për çdo organizatë tjetër fetare që ka lidhje të ngjashme administrative.
Qëndrueshmëria, Irani dhe përgjigjja e Evropës
Radio Evropa e Lirë: Pa zbuluar detaje të ndjeshme, cilat janë mësimet më të rëndësishme që Estonia ka nxjerrë nga Ukraina dhe, në përgjithësi, nga konfliktet në Lindjen e Mesme për planifikimin e saj për sigurinë?
Joosep Kaasik: Nuk do të doja të zbuloja të gjitha përfundimet që kemi nxjerrë, por në përgjithësi mësimi kryesor është se duhet të përfshihet e gjithë shoqëria.
Nuk bëhet fjalë vetëm për kapacitetet ushtarake. Ka të bëjë edhe me gatishmërinë civile – se si njerëzit përballen me situata kur nuk ka energji elektrike, kur nuk ka ujë ose kur shtëpitë janë të shkatërruara.
Ky është thelbi i qëndrueshmërisë. Ne duhet të jemi të përgatitur për çdo skenar dhe të dimë se çfarë duhet të bëjmë. Sa më gjatë që një shoqëri është në gjendje t’u bëjë ballë kushteve të tilla, aq më të mëdha janë gjasat e saj për sukses.
Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës [në vitin 2022], pritja fillestare ishte që lufta të përfundonte shumë shpejt. Falë qëndrueshmërisë së shoqërisë ukrainase, kjo nuk ndodhi. Ata ende po rezistojnë dhe kjo qëndrueshmëri është pa dyshim një nga mësimet kryesore.
Sigurisht, kapacitetet ushtarake janë po ashtu kyç dhe ne duhet të tregojmë se nuk do të hezitojmë të kundërpërgjigjemi, nëse është e nevojshme.
Radio Evropa e Lirë: Sa e shqetësuar është Estonia për partneritetin strategjik në rritje të Rusisë me Iranin dhe me vende të tjera që mbështesin Moskën?
Joosep Kaasik: Do të thosha se shumica e vendeve në botë janë të shqetësuara për çdo partneritet që po zhvillon Rusia.
Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë kanë qenë të dobishme. Ato e kanë vështirësuar jetën në Rusi në përgjithësi – nga aspekti ekonomik, për industrinë e saj ushtarake dhe në shumë fusha të tjera. Sa më pak partneritete të ketë Rusia dhe sa më pak lidhje ekonomike të ruajë, aq më shpejt mund të fillojë të mendojë seriozisht për përfundimin e kësaj lufte.
Ne nuk mirëpresim asnjë partneritet që e ndihmon Rusinë të mbijetojë nën sanksione sepse në fund të fundit, ato përbëjnë një kërcënim për sigurinë tonë.
Radio Evropa e Lirë: A besoni se Evropa po përshtatet mjaftueshëm shpejt me mjedisin e ri të sigurisë të krijuar nga Rusia dhe partnerët e saj?
Joosep Kaasik: Unë jam zyrtar shtetëror, jo politikan, prandaj kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Natyrisht, të gjithë do të dëshironim që gjithçka të ecte më shpejt. Por, BE-ja është një bashkim shtetesh të pavarura dhe ne e kuptojmë se është gjithmonë e vështirë të arrihet një marrëveshje.
Sigurisht, do të mirëprisnim vendime më të shpejta dhe sanksione më të ashpra ndaj Rusisë për ta bërë situatën edhe më të vështirë për të. Por, duhet të pranojmë gjithashtu se është e nevojshme të ketë një qasje të balancuar.
Sfida jonë është se, ndonëse përpiqemi të shpjegojmë se çfarë do të thotë të jetosh pranë Rusisë, njerëzit në pjesë të Evropës që janë shumë më larg nuk e përjetojnë domosdoshmërish ose nuk e kuptojnë plotësisht këtë kërcënim. Ne e shohim atë çdo ditë. Vendet që janë gjeografikisht më larg Rusisë shpesh nuk e shohin në të njëjtën mënyrë./REL
Andy Burnham BRITANI- Andy Burnham mori zyrtarisht detyrën si kryeministri i 59-të i Mbretërisë së Bashkuar pas takimit me mbretin...
Pamje TAJLANDË- Kryeministri tajlandez Anutin Charnvirakul performoi një këngë në një darkë shtetërore me...
Hetuesit amerikanë në Derventa më 20 korrik 2026. Një grup hetuesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka nisur më...
Pamje UKRAINA- Ukraina nisi një sulm me 400 dronë kundër Moskës dhe rajonit përreth, duke shkaktuar lëndime dhe zjarre në...
Foto ilustruese SHBA- Qeveria e Shteteve të Bashkuara njoftoi këtë të hënë nisjen e zonave pilot në Libanin ju...
Presidenti rus, Vladimir Putin. Shumë diplomatë të Bashkimit Evropian mendonin se miratimi i sanksioneve ndaj Rusisë do të bë...
Manhattan SHBA- Një shpërthim ndodhi jashtë një ndërtese federale në Manhattan mëngjesin e kës...
Keir Starmer BRITANIA E MADHE- Keir Starmer ka mbajtur fjalimin e tij të fundit si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, pak para...
Pamje SPANJA- Një zjarr pyjor i cili shpërtheu të enjten pranë Madridit ka shkatërruar 260 mijë hektarë pyll në...
Foto ilustruese SHBA- Ndërmjetësit ndërkombëtarë i kanë paraqitur Iranit një propozim për një armëpushim ...