LIVE UPDATES
Aktualitet

VOA: Akti normativ mbi dypunësimin e mjekëve në Shqipëri ngre diskutime

Akti normativ i qeverisë për disa ndryshime në “Ligjin për urdhrin e mjekëve”, synon sipas autoriteteve të minimizojë konflikin e interesit në radhët mjekëve.

2 Shtator 2024, 19:22 Nga r.ll
VOA: Akti normativ mbi dypunësimin e mjekëve në Shqipëri
foto ilustruese

TIRANË- Në Shqipëri disa ndryshime në “Ligjin për urdhrin e mjekëve”, kanë nxitur një debat të gjerë në radhët e personelit shëndetësor në vend. Ato u ndërmorën nga autoritetet zyrtare, pas hetimeve të prokurorisë, mbi një skemë abuzimi me pacientët, ku ishin përfshirë dhe disa mjekë të spitalit onkologjik në Tiranë, që mendohet se orientonin pacientët drejt klinikave private. Akti normativ i qeverisë synon të krijojë disa balanca të reja, që lidhen kryesisht me dypunësimin e mjekëve në sistemin publik dhe jo publik, duke iu kufizuar atyre orët e punës në strukturat private. Përfaqësues të komunitetit të mjekëve, si dhe të Urdhrit të Mjekëve, kanë rezerva, dhe thonë për Zërin e Amerikës se këto ndryshime nuk janë konsultuar me ta.

Akti normativ i qeverisë për disa ndryshime në “Ligjin për urdhrin e mjekëve”, synon sipas autoriteteve të minimizojë konflikin e interesit në radhët mjekëve. Personelit shëndetësor që punon njëkohësisht në sistemin publik dhe në atë privat, ky akt i kufizon orët e punës deri në 12 orë në javë, në sistemin privat. Pas autonomisë financiare të strukturave shëndetësore publike, mjekëve do t’u ndalohet plotësisht dypunësimi. Mjeku Arben Ivanaj, shef i shërbimit të hematologjisë në QSUNT, i cili ka zgjedhur të punojë vetëm në sistemin publik, është skeptik mbi mënyrën se si janë kryer këto ndryshime, pa marrë më parë mendimin e komunitetit të mjekëve, sic shprehet ai për Zërin e Amerikës.

“Personalisht nuk kam qenë dakort që njerëzit të punojnë në dy sistemet. Por Urdhri i Mjekut është ndër më të mirët. Mendoj se çdo ndërhyrje në këtë proces duhet kuptuar se nuk është një urdhër i ardhur nga hiçi. Ne duhet të diskutojmë para se të merren vendimet. Ndërkohë vendimi është marrë, është vendim politik. Nuk kam çfarë të diskutoj”- u shpreh Arben Ivanaj, shefi i shërbimit të hematologjisë në QSUNT.

Fatmir Brahimaj President i Urdhrit të Mjekëve, një institucion i pavarur, që vendos standarde etike dhe deontologjike, të detyrueshme për çdo mjek si dhe monitoron zbatimin e tyre gjatë ushtrimit të profesionit, shprehet për Zërin e Amerikës, se ndryshimet e fundit në Ligjin për Urdhrin e Mjekëve, e cënojnë pavarësinë e këtij institucioni. Z. Brahimaj kur thotë këtë ka parasysh disa elementë.

“Nga një organizëm edukues kthehet në ndëshkues, nga i pavarur kthehet në një shtojcë të Ministrisë së Shëndetësisë. Kodi i etikës dhe i deontologjisë mjekësore vetëm do të hartohet nga ne, sepse merr ekskluzivitet miratimi nga e Ministria e Shëndetësisë. Po ashtu gjykimi profesional që është një element tjetër i rëndësishëm i cili bazohet në rregulloren e hartuar dhe që ka funksionuar gjithë këto vite, tani struktura e këtij komisioni gjykimi dhe kriteret e tij përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Pra vetëm me këto dy shembuj del qartë që nuk mbetet asnjë element i vetërregullimit dhe i vetëqeverisjes të këtij organizimi profesional”- shprehet Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekëve.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk bënë komente të hollësishme për Zërin e Amerikës, rreth pretendimeve të Urdhërit të Mjekëve, por u mjaftuan duke thënë se po kujdesen për qytetarin, pa lënë mënjanë të drejtat e mjekëve.

“Si Urdhri i Mjekëve ashtu dhe Minstria e Shëndetësisë kanë pikërisht atë qëllim të përbashkët, që këto ndryshime ligjore të krijojnë një balancim shumë të mirë midis interesit të mjekut dhe interesit të qytetarit, për ta marrë këtë shërbim në institucionet tona shëndetësore publike”- thotë Entela Ramosaçaj, Zv/Ministre e Shëndetësisë.

Disa prej mjekëve i mbështesin në parim nismat ligjore, që synojnë të vendosin rregulla për dypunësimin e mjekëve, siç është mjeku endokrinolog, në QSUNT, Prof. Florian Toti.

“ Ishte një hap i cili pritej, sepse është krijuar një situatë e përgjithshme që mjekët nuk dije ku t’i kërkoje në shtet apo privat. Personalisht e mbështes nismën e qeverisë për ta ndarë mundësisht plotësisht punën në shtet nga privati.”- pohon për Zërin e Amerikës Florian Toti, Pedagog i endokrinologjisë në Fakultetin e Mjeksisë në UMT.

Por përtej këtij gjykimi të përgjithshëm, Z. Toti, duke analizuar aktin normativ, që limiton orët e punës së mjekëve në sistemin privat, kur ata janë të punësuar dhe në atë publik, vëren disa pika të errëta, siç shprehet ai.

“Në aktin normativ thuhet që një mjek që ka ndjekur një pacient në strukturat publike nuk ka të drejtë ta ndjekë në strukturat private. Por ne deri më sot kemi thënë gjithmonë që është pacienti që zgjedh mjekun, dhe jo e kundërta. A mos duhet të ndryshojmë dhe rregulloren e Urdhrit të Mjekëve në lidhje me këtë çështje? Ndryshimet nuk janë konsultuar me grupet e interesit. Dhe për të mos u ndodhur si në rastin e Ligjit të Arsimit të Lartë, ku aktet nënligjore u miratuan pas disa vitesh, do të dëshiroja që të mos mjaftoheshin vetëm me këtë akt normativ.”- vijoi Prof. Florian Toti mjek endokrinolog, në QSUNT.

Zyrtarët konfirmojnë se mjaft detaje do të qartësohen në vijim me akte nënligjore. Por përfaqësues të komunitetit të mjekëve të shërbimit parësor, ofrojnë qasje tjetër, kur bëhet fjalë për cilësinë e jetës për këtë kategori mjekësh që kanë të ardhura më të ulëta, se ata në strukturat spitalore.

“E dini se çfarë mund të bëjë një mjek me pagën 100 mijë lekë në muaj? Nuk frekuenton dot asnjë konferencë jashtë vendit në vit pasi vetëm kostoja e regjistrimit në një konferencë të tillë për t’u azhornuar me të rejat e fundit të specialitetit të vet është 3 mijë euro. Ky implementim i ri me kufizim orari do devijojë tregun e shërbimit shëndetësor privat. Nuk do deklarohen të gjitha, ndoshta do nxisë dhe evazionin fiskal. Me pak të ardhura për mjekët krijon

terren për korrupsion në strukturat shëndetësore publike”- argumenton Alkerta Ibranji, mjeke alergologe-imunologe Klinike, Poliklinika e specialiteteve Nr.2 Tiranë.

Ekspertët ngrenë shqetësim dhe mbi mënyrën se si do të monitorohen mjekët në strukturat private shëndetësore, nëse punojnë 12 apo më shumë orë në javë, dhe cili do të jetë mekanizmi që e provon këtë. Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë argumentojnë se për të shmangur praktika të paligjshme është forcuar roli i Inspektoriatit Përgjegjës për Shëndetësinë.

“ Do të ketë patjetër një komision disiplinor dhe një komision apelimi, që do të pranojë kërkesa brenda 10 ditëve. Por nga ana tjetër nëse konstatohen shkelje të etikës dhe deontologjisë mjekësore patjetër që masat do të variojnë nga pezullime të përkohshme të licensave, vërejtja si masa më e lehtë deri në heqje të licensës së mjekut, por dhe gjoba”- vijon Entela Ramosaçaj, Zv/Ministre e Shëndetësisë.

Gjatë dekadës së fundit sistemi privat shëndetësor është zgjeruar e forcuar ndjeshëm. Çdo nisëm ligjore duhet parë me kujdes sugjerojnë njohës të fushës së shëndetësisë, pasi në thelb goditjen e merr i gjithë sistemi shëndetësor.

Ata i rekomandojnë qeverisë të vlerësojë me kujdes një realitet të krijuar më shumë mund nga mjekë që kanë investuar kursimet e jetës së tyre në klinika të vogla dhe të mesme.

“Akti normativ për disa ndryshime në “Ligjin për Urdhrin e Mjekëve” mund të rrezikojë një element tjetër, që mund të sjellë daljen nga skema e ofrimit të shërbimit kujdesit shëndetësor të këtyre klinikave të mesme dhe të vogla dhe fuqizimi më tej i institucioneve të rëndësishme shëndetësore të vendit, që janë të konsoliduara gjatë këtyre 20 viteve dhe deri diku janë dhe në kushte monopoli”- shprehet për Zërin e Amerikës Qamil Dika- Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në UMT.

Përfaqësues të komunitetit të mjekëve kanë vërejtje dhe për parashikimin ligjor që përcakton se leja për një mjek që kërkon të punojë edhe në sektorin privat, jepet nga titullari i institucionit ku ai ushtron profesionin. Ata argumentojnë se kjo mund të nxisë klientelizëm dhe konkurencë të pandershme.

Por një nga shqetësimet më të mëdha të mjekëve dhe të qytetarëve në vend lidhet me cilësinë dhe sasinë e shërbimeve shëndetësore në strukturat publike. Në mjaft raste mangësitë në to, kanë detyruar pacientët t’i drejtohen sistemit privat, kundrejt pagesave të larta, dhe kanë krijuar një klimë armiqësore mes mjekëve dhe pacientëve, siç pranojnë vetë mjekët.

“Mjekët në asnjë mënyrë nuk janë fajtorë. Ata janë viktima dhe pasoja të këtij sistemi të keqpërdorur në 30 vite të tranzicionit të zgjatur shqiptar, por ama nuk mund ta pranoj kurrë që në shtet të mungojnë medikamentet më të rëndësishme dhe jetësore, siç janë ato në rastin e onkologjikut dhe të onkopediatrisë sidomos, ose të mos funksionojnë për vite të tëra pajisje të cilat te privati çuditërisht funksionojnë normalisht. Asnjë strukturë private sado fonde të ketë nuk mund të jetë konkuruese me një spital publik të mirëmenaxhuar”-vijon Prof. Florian Toti, pedagog në UMT.

“ Për mungesat në institucione nuk e kanë fajin mjekët. Për orët e gjata të shërbimit, ku ke sëmundshmëri të rritur nuk e kanë fajin mjekët. Për mungesat në medikamente nuk e kanë fajin mjekët. Kur thua një sistem universal ku mjekësia është falas dhe pacientët vijnë dhe e kuptojnë që nuk është falas, mjekët janë ata që shahen nga pacientët, kur fajin nuk e kanë mjekët. Nëse ka një reformë që duhet të nisë nga diku është “Blindo sistemin publik me të gjitha të dhënat” dhe pastaj kupton nëse ke dhe probleme edhe në punësimin privat, para se të marrësh masat”- vijon Alkerta Ibranji, mjeke alergologe.

Autoritetet zyrtare synojnë që përmes autonomisë menaxheriale të cilën e kanë përfituar, 5 spitale në vend si dhe QSUT, të rrisin performancën e shërbimit shëndetësor publik. Autonomia financiare do të jetë hapi i radhës sipas tyre, në funksion të këtij qëllimi. Por njohës të fushës së shëndetësisë edhe pse e vlerësojnë rritjen me 60-70% të pagave të personelit shëndetësor dhe përmirësimin e shërbimeve për pacientët mendojnë se kjo rrugë do jetë e gjatë dhe me sfida të shumta./VOA

dypunësimi i mjekëve shqiperi

Sondazh

Poll

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari