LIVE UPDATES
Aktualitet

"Paguaj ose vdis"/ BIRN: Shqipëria me sistem të sëmurë shëndetësor! Nuk garanton ndërhyrjet jetëshpëtuese për ishemitë cerebrale

Ishemitë cerebrale janë shkaktari i dytë më i madh i vdekjeve në Shqipëri, por sistemi publik shëndetësor nuk garanton ndërhyrjet jetëshpëtuese, duke i detyruar pacientët dhe familjarët e tyre që të paguajnë nga xhepi mijëra euro në një spital privat për të mbijetuar.

19 Mars 2025, 07:19 Nga B.Z
"Paguaj ose vdis"/ BIRN: Shqipëria me sistem të
Foto ilustruese

TIRANË - Kur motra e tij pësoi ishemi cerebrale vitin e kaluar, Arbeni* u vendos përpara një zgjedhjeje të vështirë.  Në pavionin Neurologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjekët i thanë se motra 61 vjeçare ishte në gjendje të rëndë dhe duhej t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje urgjente për të mbijetuar.

Por mjekët ishin gjithashtu duarlidhur – ndërhyrja nuk realizohej në shtet, por vetëm në njërin prej spitaleve private të vendit.

“Firmosëm që e nxirrnim pacienten me kërkesën tonë dhe e çuam te spitali Amerikan 3, erdhi vetë urgjenca e mori,” kujton Arbeni, emri i të cilit u ndryshua me kërkesën e tij për të folur në kushtet e anonimatit.

“Kur shkuam atje, na thanë për çmimin e ndërhyrjes 20 mijë euro. Por nuk e fusnin në sallë pa dhënë një kapar,” shtoi ai.

Arbeni tregon se sëmundja i goditi në fundjavë dhe ata nuk i kishin paratë në cash. Ndërsa çdo minutë i kërcënonte jetën motrës së tij, ata nxituan të kërkonin borxhe për të paguar spitalin.

Në betejën mes jetës dhe vdekjes, shumë familjarë të pacientëve që pësojnë goditje në tru janë gjendur në dilemën “paguaj ose vdis” gjatë viteve të fundit, pasi qendra spitalore më e madhe e vendit ka dështuar të realizojë ndërhyrjen e trombektomisë – një procedurë kirurgjikale që heq gjakun e mpiksur nga arteria e bllokuar në tru.

Një numër familjarësh i thanë BIRN në intervista të veçanta se ishin detyruar që të firmosnin fletë-daljet nga QSUT dhe i kishin transferuar njerëzit e tyre drejt spitalit Amerikan 3 për t’u shpëtuar jetën, në këmbim të pagesave që variojnë nga 18 mijë në 20 mijë euro dhe që nuk rimbursohen nga shteti.

Sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë shkaktari më i madh i vdekjeve në Shqipëri dhe goditjet ishemike apo hemorragjitë cerebrale konkurrojnë me infarktet kardiake për numrin e lartë të rasteve dhe fataliteteve.

Por pavarësisht rriskut të lartë, sistemi publik shëndetësor në Shqipëri nuk garanton trajtimin e duhur shëndetësor për pacientët që pësojnë goditje në tru, duke ia kaluar barrën familjeve të tyre, të cilat paguajnë nga xhepi kostot e kujdesit shëndetësor dhe trajtimet e rehabilitimit.

Mungesa e këtij trajtimi emergjence në sistemin publik përfaqëson sipas Gazmend Koduzit, ekspert i politikave shëndetësore, një tjetër shembull të dështimit të politikës ‘shëndetësia falas” të qeverisë Rama.

“Sot shqiptarët paguajnë 40 nga 100 lekë nga xhepi [për kujdes shëndetësor], ndaj nevojitet krijimi i tregut të shërbimeve shëndetësore dhe mbulimi universal,” tha Koduzi, pedagog i Shkencave Mjekësore dhe ish-koordinator për shëndetësinë në Partinë Demokratike.

“Politikëbërja duhet që të sigurojë akses të kësaj kategorie pacientësh në shërbimet që kanë nevojë, duke bërë të mundur që shërbimet të jenë sa më afër tyre dhe pa kosto financiare,” shtoi ai.

Zgjidhje e detyruar

Goditjet cerebrale shkaktohen kur një enë gjaku në tru bllokohet [ishemia cerebrale] ose çahet [hemorragjia cerebrale]. Në mungesë të gjakut dhe oksigjenit, qelizat e trurit fillojnë të vdesin, duke shkaktuar dëme edhe në pjesët e tjera të trupit. Shenjat e para të goditjes në tru mund të shfaqen me humbje të papritur të ekuilibrit, humbjen e shikimit në njërin sy, asimetri të fytyrës ose vështirësitë në ligjërim.

Përveç numrit të lartë të fataliteteve, Organizata Botërore e Shëndetësisë i klasifikon goditjet në tru si shkakun kryesor të invalidizimit të pacientëve. Trajtimi i shpejtë i pacientëve që pësojnë goditje në tru është kusht për mbijetesën dhe rehabilitimin e tyre.

Urgjenca e spitalit rajonal të Durrësit pret çdo ditë rreth 400 pacientë me patologji nga më të ndryshmet. Mjeku i ri, Eni Kani thotë se mes tyre i ka qëlluar të asistojë edhe 3-4 pacientë me goditje në tru për turn. Por mjetet në dispozicion të tij janë thuajse primitive.

Kani i tha BIRN se spitali më i madh rajonal i vendit nuk ofron shërbimin e trombolizës dhe Angio – CT cerebrale, një skaner për enët e gjakut që përjashton apo diagnostikon isheminë cerebrale. Pacientët e dyshuar ata i nisin drejt Tiranës, por kjo kushton kohë dhe shumë prej tyre humbasin mundësinë e trombolizës – një trajtim me medikamente për shkrirjen e trombit që duhet të realizohet brenda 3-4 orëve pas goditjes.

Një tjetër problem madhor sipas tij është pamundësia e realizimit të trombektomisë në spitalet publike – një shërbim emergjent që shteti ka detyrimin t’ua ofrojë qytetarëve të tij dhe që realizohet brenda gjashtë orëve nga goditja.

“Po të bëjmë një paralelizëm, është sikur një pacienti që pëson atak miokardi të mos i bëhet stentimi, vendosja e unazave,” tha Kani, ndërsa shtoi se trajtimi i strokut është pothuajse “inekzistent në Shqipëri”.

Mungesa e këtij shërbimi kritik jetëshpëtues në QSUNT bëri jehonë në korrik të vitit 2023, kur aktorja e Teatrit, Eni Jani bëri thirrje për kontribut financiar, ndërkohë që bashkëshorti i saj, aktori dhe regjisori Genci Fuga ndodhej në sallën e operacionit të Spitalit Amerikan 3 pas një goditjeje në tru.

Pas një gare solidariteti në rrjet, vlera prej 19 mijë eurosh e operacionit u arrit të mblidhej në një kohë të shkurtër dhe fatmirësisht Fuga arriti t’i mbijetojë sëmundjes. Pak ditë më vonë, edhe Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit të tij.

Por shumë pacientë të tjerë janë të privuar nga këto mundësi.

Pas 47 vitesh shërbim në dobi të komunitetit, një mjek pediatër në pension nga një qytet i vogël i Shqipërisë së Mesme pësoi ishemi cerebrale në tetor të vitit 2023 dhe pas një ndalese të shkurtër në spitalin e qytetit, u nis me urgjencë drejt QSUT-së.

Pas ekzaminimeve të kryera, familjarët e tij mësuan se pacienti duhej patjetër t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje invazive të quajtur trombektomi, por ndërhyrja nuk bëhej dot në QSUT.

Djali i pacientit foli me BIRN në kushtet e anonimatit dhe emri i tij u ndryshua në Erion*, pasi siç e shpjegoi ai, prindërit e tij jetojnë në një qytet të vogël dhe të politizuar dhe mund të bëhen pre e trysnisë.

Ai tregoi se pas bisedës me mjekët, e nisën me urgjencë babanë drejt Spitalit Amerikan, por diçka e pazakontë i bëri përshtypje.

“Pavarësisht se ata janë në dijeni të faktit që kjo ndërhyrje nuk realizohej tek ata në QSUT, në njëfarë forme detyruan time më që të firmosë një shkresë, sipas së cilës ajo jep dakordësinë që pacienti të trajtohej në një spital privat,” tha Erioni, ndërsa shtoi: “Ky nuk ishte vullneti ynë”.

Në spitalin Amerikan ndërhyrja rezultoi e suksesshme dhe kushtoi 18 mijë euro, një shumë e papërballueshme nga buxheti familjar i tyre. Pak javë më vonë, familja iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë me një kërkesë për rimbusimin e shpenzimeve të ndërhyrjes, por ende nuk kanë marrë një përgjigje.

“Unë nisem nga parimi shëndetësia është falas, pra duhej të ishin shmangur kostot e ndërhyrjes. Janë 18 mijë euro!,” thotë Erioni, duke shtuar se kjo shumë është e papërballueshme për një ekonomi mesatare familjare.

“Ne nuk zgjodhëm spitalin privat, por ishte një zgjidhje e detyruar,” shtoi ai, duke theksuar se ishte ende në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga Ministria e Shëndetësisë.

Pa përgjigje ka mbetur edhe kërkesa për rimbursim e motrës së Arbenit, e cila i mbijetoi sëmundjes pasi morën borxh dhe shteruan kursimet e jetës për shkollimin e fëmijëve për të paguar ndërhyrjen e trombektomisë pranë Spitalit Amerikan 3 vitin e kaluar. Motra e tij dhe bashkëshorti sot të dy në pensionin, kanë shërbyer gjithë jetën në administratë, ajo në Ministrinë e Financave, ndërsa i shoqi në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Është për të ardhur keq që shteti i trajton në këtë mënyrë edhe vetë punonjësit e administratës,” tha Arbeni me dëshpërim.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi, edhe pas një urdhri të lëshuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Pa kapacitete mjekësore

Në katin e dytë të spitalit të Neurologjisë në QSUT, një dhomë në pavionin e Neuro-Radiologjisë Intervecionuese është në rikonstruksion. Në fund të shkurtit, një pajisje e vjetër dhe pothuajse e papërdorur e angiografisë po çmontohej për t’i hapur vend një pajisjeje të re të blerë së fundmi me qëllim realizimin e trajtimit të trombektomisë.

Megjithatë, mungesa e pajisjeve nuk ka qenë problemi i vetëm që kjo ndërhyrje nuk është realizuar pothuajse asnjëherë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Doktor Arben Rroji, një mjek i specializuar në Neuroradiologji shpjegoi për BIRN se një tjetër pengesë e madhe është mungesa e stafit të trajnuar. Rroji është një ndër dy mjekët e vetëm që mund ta kryejnë trombektominë në Shqipëri dhe e bën aktualisht këtë ndërhyrje në Spitalin Amerikan.

I pyetur se sa mjekë të trajnuar gjenden aktualisht në QSUT, Rroji u përgjigj: “jam vetëm unë”.

“Edhe në spitalin privat. Edhe nëse vihet së shpejti në funksionim aparatura në QSUT, jam vetëm unë,” tha mjeku për BIRN.

“Ne mund ta ofrojmë me aq sa mund të ofroj unë në këtë moment, por është e pamundur që trajtimi me këto kapacitete njerëzore që kemi të bëhet 24/7,” shtoi ai, duke theksuar se ky profilizimi mungon në kurrikulën e Universitetit të Mjeksisë.

Doktor Rroji kujton se përpjekjet për të realizuar ndërhyrjen në spitalin publik kishin nisur para 10 viteve, pas një binjakëzimi që profesor Mentor Petrela kishte bërë me një spital në Paris, por përpjekjet kishin dështuar për shkak të mungesës së materialeve të dedikuara dhe stafit të trajnuar.

Situata nuk duket se ka ndryshuar shumë.

Me blerjen e aparatit të Angiografisë B-Plan, QSUT po përgatitet që të testojë sërish, por doktor Rroji nuk shfaq shpresa të larta për rezultatet. Ai shpjegon se trajnimi i stafit në shtetet që e ofrojnë këtë shërbim merr të paktën dy vjet, ndërkohë që nevojiten disa ekipe me orare të kufizuara për të shmangur ekspozimin e personelit mjekësor ndaj rrezatimit.

“Pra unë nuk mund të bëj 10 procedura, mund të bëj një ose dy, nuk mund të rrish në rrezatim kaq gjatë,” tha Rroji.

“Ndryshe nga një kirurg që mund të rrijë 10 orë në sallë dhe mund të ketë lodhje fizike, ne kemi edhe rrezatimin. Kjo është arsyeja që sot kompanitë që prodhojnë angiografet po krijojnë robotë që rrinë në sallë, mjeku qëndron jashtë ambientit dhe drejton robotin,” shtoi ai.

Doktor Rroji i hedh poshtë dyshimet se mungesa e këtij shërbimi në spitalin publik ka si qëllim favorizimin e privatit dhe thekson se kanë bërë kërkesa ndër vite për aparatura dhe njerëz të kualifikuar, por sipas tij ka munguar “forca ekonomike”.

“Të shohim sa do të jetë ekonomikisht e përballueshme kur të vendoset aparatura,” theksoi ai.

Pacientët e paguajnë shtrenjtë rehabilitimin 

Pacientët që i mbijetojnë goditjeve në tru vuajnë pasoja afatgjata shëndetësore, ndërkohë që shërbimet publike për rehabilitimin e tyre janë gjithashtu pothuajse inekzistente. Zakonisht, këta pacientë i drejtohen sektorit privat për fizioterapi për rikuperimin e lëvizjes, logopedi për rifitimin e aftësisë së të folurit, psikolog dhe në rastet e paralizave, edhe ndihmën e një kujdestari. Pagesat variojnë nga 20 mijë lekë deri në mbi 100 mijë lekë në muaj.

Shefja e pavionit të Neurologjisë në QSUT, Jera Kruja e konsideron shumë të rëndësishëm riaftësimin fizik për pacientët që kanë pësuar handikap të lëvizshmërisë, por ajo pranon mungesën e strukturave të dedikuara rehabilituese.

Kruja i tha BIRN se një strukturë e tillë për riaftësimin u krijua mes viteve 2012-2014 në katin -1 të ndërtesës së Neurologjisë dhe ideja e saj ishte që shërbimi të shtrihej në dy turne, duke i shërbyer edhe pacientëve ambulatorë që kishin dalë nga spitali.

Por pas inaugurimit në vitin 2015, ky repart u nda nga Neurologjia dhe kaloi si një shërbim i unifikuar për të gjithë QSUT-në. Nga një vëzhgim në fund të muajit shkurt, në katin -1 kryheshin vetëm konsultat ditore, ndërsa pacientë me diagnoza të ndryshme neurologjike prisnin radhën.

“Mendimi im është që shërbimi i riaftësimit duhet të fuqizohet në spital, por sidomos në strukturat ambulatore, për të gjithë pacientet neurologjikë me deficite motore,” tha Kruja, duke theksuar se qendra të tilla ditore do t’i lehtësonin shumë pacientët dhe familjarët e tyre.

Në mungesë të qendrave të tilla, Loreta dhe motra e saj i sigurojnë shërbimet privatisht me kosto mujore deri në 160 mijë lekë të reja në muaj për nënën e tyre që pësoi goditje në tru.

Mjeke e përgjithshme në profesion, Loreta e përshkruan realitetin e tyre “rraskapitës dhe ankthioz” pas sëmundjes së nënës.

“Mamaja ka nevojë për monitorim 24 orë, pasi ka probleme me ekulibrin dhe dëmtime të motorikës (lëvizshmërisë). Nuk mund t’i kryejë vetë aktivitetet e përditshme,” tha Loreta.

“Unë dhe motra përballojmë kostot mujore për medikamente për inkontinencën urinare, absorbente, medikamente jashtë listës së rimbursimit për hipertension, diabet. Kostoja njerëzore është e pallogaritshme,” shtoi ajo.

Edhe Anisa i tha BIRN se u ballafaqua me një sfidë të madhe pasi i ati pësoi ishemi cerebrale dhe mbeti i paralizuar në njërën anë. Pas qëndrimit 5 ditor në reanimacion, Anisa tregon se mjekët e kishin nxjerrë atë nga spitali, edhe pse nuk çohej dot dhe kishte nevojë për trajtim infermieror.

“Medikamentet i blemë vetë dhe nuk e dimë nëse kishte prej tyre që rimbursoheshin. Shpenzuam nga kursimet tona dhe të prindërve për të përballuar sëmundjen dhe pasojat tek babi, për të cilin kujdeset mamaja 72 vjeç,” thotë Anisa, duke shtuar se pas daljes nga spitali kishin shpenzuar 500 mijë lekë të reja për medikamente dhe pajisje, ku vetëm krevati i posaçëm spitalor kushtoi mbi 100 mijë lekë të reja.

“Pyeta tek nje agjenci që ofron shërbime për këto raste, ishte 6 mijë lekë të reja një ndërrim i pampersit, shkon 65 mijë deri 70 mijë pagesa për një kujdestar, nuk i përballojmë dot,” shtoi ajo.

Edhe Erioni i tha BIRN se përveç ndërhyrjes së trombektomisë, shteti nuk ofroi mbështetje edhe për fazën rehabilituese të babait të tij. Familja ka blerë biçikletë dhe karrocë në vlera të konsiderueshme, ndërsa privatisht marrin një fizioterapist për 2 mijë lekë seancën.

“Çdo shërbim ofrohet nga ime më,” tha Erioni, ndërsa shtoi: “Babai vijon të jetë i paralizuar që prej traumës”./BIRN

*Emrat u ndryshuan për të mbrojtur anonimatin e pacientëve dhe familjarëve të tyre.

sistem shendetesor ishemi cerebrale

Sondazh

Poll

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Pas më shumë se katër orësh, qytetarët vijojnë protestën rrugëve të Kryeqytetit

Gjesti i veçantë i protestuesit, u dhuron lule efektivëve në shenjë solidariteti për policin e vrarë

Pas tre orësh protestë, turma vijon qëndresën: Dorëheqje!

Prej më shumë se tre orësh para Kryeministrisë, protestuesit ndezin flakadanë

"Kush s'kërcen nuk është shqiptar o hej"/ PAMJE me dron nga protesta madhështore për Zvërnecin

Thirrja e qytetarit të Rrjollit: Hajde rini, merre situatën në dorë dhe drejto vendin

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Tentoi të futej në Kryeministri, protestuesja bën simbolin e shqiponjës

"Ne i duam parqet, lodrat, natyrën"/ Vogëlushi në protestë thirrje: Mbrojini për ne!

Protesta kundër projektit në Zvërnec/ Brohoret turma: Edi Rama o tradhtar, duhet lidhur me litar

Protesta për Zvërnecin, qytetarë mbajnë 1 minutë heshtje për efektivin e vrarë në krye të detyrës

"Ruani qetësinë, Ramën ta zhdukim me të mirë"/ Tensione në protestën kundër projektit në Zvërnec

PAMJE nga protesta madhështore kundër projektit në Zvërnec/ Oshëtin bulevardi: O pallosh o zagar

Mijëra protestues në shesh thirrje ndaj kryeministrit Rama: Duam dorëheqje

Protesta për Zvërnecin, babai i Martin Canit i bashkohet protestuesve në shesh

Mijëra qytetarë në Bulevard/ Thirrje kundër Ramës dhe Berishës: U ka ardhur fundi, në burg

Balla nga Kuvendi: Greqia u ka borxh shqiptarëve marrëveshjen për pensionet

Dita e 5-të e protestës për Zvërnecin/ Nis marshimi drejt bulevardit: Revolucion

Balla ‘thumbon’ Berishën: U trembe nga protestuesit që erdhën te selia e PD-së dhe ndryshove qëndrim

"Na keni ça k***"/ Noizy shpërthen keq ndaj protestuesve: Nuk po e shet njeri Shqipërinë!

'Zvërneci'/ Berisha: Ju jeni mafie si në Beograd. Të gjitha dokumentet ju i shumëzoni me zero

Berisha: Pse e fshihni kreun e Meduzës. Tokat në Zvërnec i ka rrëmbyer Pjerini nga Lezha dhe Agaçi

Reperi Gashi mbështet protestat për Zvërnecin: Fëmijët tanë nuk janë mysafir në tokën e tyre

Këngëtarja Bebe Rexha vlerësohet me cmimin “Female Icon Award 2026”

Banorët dhe pushuesit përballen me fenomenin e pazakontë në Ksamil

"Ktheni ligjin për investimet strategjike" Bozdo në Kuvend: Betonizuat bregdetin e jugut...

Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit: Të rinjtë po protestojnë kundër jush, mbani përgjegjësi

"Marksist-leninist i vogël'! Përplasje e ashpër mes Strazimirit e Muçit:

Ngjarja e rëndë në Maliq/ Autori transportohet drejt Tiranës, familjarët: Çfarë i bëre?!

Berisha: Xhelati Rama u vë protestuesve paqësorë, topat e ujit që gjuajtën edhe foshnjën në karrocë

Berisha-Piro Vengut: Dezertove nga ushtria dhe mashtrove se je pasardhës i Marko Boçarit

Fshihej në një zonë të pyllëzuar, ja vendi ku u gjet autori i ngjarjes në Maliq

"Rama do organizojnë antimiting në Vlorë", Balla i përgjigjet Berishës: Kemi festën e PS!

Bido i kthehet opozitës: Ku ishit ju më 30 maj që nuk folët për Zvërvecin?

“Keni paralajmëruar anti-miting në Vlorë”, Berisha thirrje Ramës: Anuloje, është praktikë fashiste

Deputeti i “Lëvizjes Bashkë”: Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e qeverisë

U plagos në operacionin për kapjen e një personi në kërkim, mbërrin te Trauma polici

Vrasja e efektivit të Policisë në Korçë, Kuvendi nis me një minutë heshtje

Vrau një efektiv dhe plagosi një tjetër, mbërrin në spital autori

Reshjet përmbytin rrugët e Shëngjinit, vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve

Qytetarët nisen sërish drejt kryeministrisë, me flamurin kuq e zi dhe brohorima vazhdojnë protestën

Protestuesit marshojnë drejt zonës së Bllokut, qytetarët e tjerë nuk iu bashkohen #dosja #protesta

Protesta nuk ka të ndalur, qyetarët bllokojnë rrugën te Ura e Tajvanit, thirrje në kor policëve

Nga Sheshi tek Banka, qytetarët bllokojnë rrugën: Edi Rama ka mbaru

Qytetarët nuk ndalen në protestë/ Bllokojnë rrugën te selia e PS-së, ulen në gjunjë

Vazhdon protesta për Zvërnëcin/ Protestuesit ngren nga kafet qytetarët te Opera

E mbuluar me flamurin kuq e zi, e reja shfaqet me foshnjën në krah gjatë protestës

"Edi Rama jep dorëheqjen/E reja nga protesta:Ka ardhur koha të shkosh me Berishën te Veliaj dhe Meta

Qytetarët protestë në Vlorë për Zvërnecin, me pankarta në duar marshojnë drejt Sheshit të Flamurit

Dy orë protestë, bulevardi plot qytetarë ndriçohet nga blicat e telefonave: Jep dorëheqje