LIVE UPDATES
Aktualitet

Dy vjet pa aktakuzë për Banjskën në Serbi: Radoiçiç me adresë në Beograd

Aty thuhet, po ashtu, se Radoiçiç i respekton masat dhe se për herë të fundit është paraqitur në “stacionin kompetent policor, Savski Venac”, më 15 shtator të këtij viti.

24 Shtator 2025, 08:58 Nga I.A
Dy vjet pa aktakuzë për Banjskën në Serbi:
Millan Radoiçiç

SERBI- Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë Millan Radoiçiç është ende i lirë dhe me vendbanim të regjistruar në Beograd. Këtë e konfirmon një përgjigje e Gjykatës së Lartë në Beograd, dhënë Radios Evropa e Lirë, ku thuhet se Radoiçiqit i është zgjatur masa e ndalimit të largimit nga Serbia, me detyrimin që të paraqitet në polici më 1 dhe 15 të çdo muaji.

“Vendimet gjyqësore i dorëzohen të pandehurit rregullisht në adresën e regjistruar të vendbanimit, në territorin e qytetit të Beogradit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Lartë.

Aty thuhet, po ashtu, se Radoiçiç i respekton masat dhe se për herë të fundit është paraqitur në “stacionin kompetent policor, Savski Venac”, më 15 shtator të këtij viti.

Në përgjigje nuk specifikohet adresa e Radoiçiqit, por në territorin e kësaj komune qendrore të Beogradit gjenden vila luksoze dhe ndërtesa në pronësi të kompanive dhe personave të lidhur me të.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - u la i lirë pas marrjes në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, ndërsa në fund të vitit 2024, kryeprokurori paralajmëroi ngritjen e aktakuzës.

Gati një vit më vonë, prokuroria nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çka e ka penguar marrjen e vendimit.

“Zyra e Prokurorit punon nën presion politik dhe nën ndikimin e autoriteteve. Kjo është sigurisht një nga arsyet përse nuk kemi ende aktakuzë”, thotë për REL-in Maja Bjellosh nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Ndryshe nga Radoiçiq, i cili nuk u shfaq në publik që kur pranoi organizimin e sulmit në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Persona të tjerë nga aktakuza e Kosovës për këtë sulm, u panë këtë verë “duke ruajtur” vendin e punës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë protestave masive antiqeveritare.

“Vendimi për aktakuzën do të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm”, tha kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë në Beograd, Nenad Stefanoviq, në fillim të dhjetorit të vitit 2024.

Ai pohoi për portalin “Kosovo Online” se gjatë hetimit për “ngjarjen në Banjskë”, Prokuroria në Serbi ka kryer mbi 40 veprime procedurale.

Që atëherë, ai nuk bëri ndonjë deklaratë tjetër, ndërsa Prokuroria nuk iu përgjigj pyetjeve të vazhdueshme të REL-it se kur mund të pritet vendimi për aktakuzën, çfarë është zbuluar gjatë hetimeve dhe cilat masa janë ndërmarrë.

Në Serbi, Radoiçiq dyshohet për “një krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme”, si dhe “prodhim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve”.

Kosova, në anën tjetër, e karakterizon si terrorist sulmin në Banjskë, ku u vra një polic.

Sipas aktakuzës së ngritur në Kosovë, Radoiçiq dhe të tjerët të përfshirë në sulm, akuzohen për shkelje të rendit kushtetues dhe veprime kundër sistemit ligjor të Kosovës.

Aktakuza përfshin 45 persona, dhe vetëm tre prej tyre që u arrestuan në Kosovë, po gjykohen para gjykatës në Prishtinë.

Të tjerët janë në arrati dhe Interpol-i lëshoi fletarrestim për ta në dhjetor të vitit 2023.

Edhe pse Kosova i kërkon bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë, Beogradi refuzon t’i ekstradojë të akuzuarit, duke thënë se ata do të gjykohen në Serbi.

“Nuk pres që këta persona të ndiqen penalisht në një të ardhme të afërt, pasi rezulton se ata gëzojnë mbrojtje nga shteti dhe janë disa nga partnerët kryesorë të Qeverisë në zbatimin e projekteve të ndryshme infrastrukturore”, thotë Bjellosh.

“Kemi parë, gjithashtu, se ata që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë, sot udhëheqin grupe që i frikësojnë qytetarët e Serbisë”, shton ajo.

Gjatë një proteste antiqeveritare në Serbi - të cilat vazhdojnë që nga aksidenti vdekjeprurës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor të vitit të kaluar - policia ruante ndërtesën e Presidencës së Serbisë dhe parkun përreth në qendër të Beogradit, ku për muaj të tërë qëndruan mbështetës të pushtetit.

Pikërisht pranë tyre ndodheshin edhe grupe burrash me këmisha ngjyrë ulliri.

Radio Evropa e Lirë identifikoi në këtë grup Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut, i cili akuzohet nga Prokuroria e Kosovës për sulmin në Banjskë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it në lidhje me Vuçetiqin, e as për pretendimet se në grupin përpara ndërtesës së Presidencës ishin edhe tre persona të tjerë nga të kërkuarit në Kosovë: Millorad Jevtiq Miqko, Zharko Cvetkoviq dhe Vukashin Jarediq.

“Kam përshtypjen se shteti, në thelb, mbështet kriminelët, jo drejtësinë”, thotë Bjellosh.

Një hulumtim i REL-it nxori në pah se miliona euro nga buxheti i Serbisë - edhe pas sulmit në Banjskë - kanë shkuar në llogarinë e kompanisë së njërit prej të akuzuarve për përfshirje në sulmin e armatosur në Kosovë.

Kompania “Rad 028”, e cila është në pronësi të biznesmenit nga veriu i Kosovës, Radulle Steviq, mori rreth 30 milionë euro kontrata shtetërore, kryesisht për projekte infrastrukturore dhe të tjera në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Rreth 65 tenderë iu dhanë kësaj kompanie nga organet e përkohshme komunale serbe, të cilat vepronin në Kosovë deri në vitin 2024.

Autoritetet e Kosovës, më pas, i mbyllën ato, pasi i konsideronin si të paligjshme, por kompania vazhdoi aktivitetet e saj nga lokacione alternative në qytetet kufitare të Serbisë.

Steviq kërkohet nga Interpol-i, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon për pastrim parash. Ai, sipas aktakuzës në Kosovë, e ka ndihmuar Radoiçiqin të fshehë origjinën e parave, përmes kompanisë së tij.

Vetë Radoiçiq, sipas të dhënave zyrtare të Regjistrit tregtar në Serbi, aktualisht nuk ka asnjë kompani në emrin e tij në këtë vend.

Ai doli nga pronësia e kompanisë “Inkop” dhe firmave të saj filiale në vitin 2023, pasi publikisht pranoi se ishte organizator i sulmit të armatosur në Banjskë.

Pjesën e tij në “Inkop” dhe kompanitë e lidhura ua dhuroi partnerëve të biznesit, vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq.

Hulumtimi i REL-it tregoi se këto kompani, gjatë viteve, kanë marrë kontrata fitimprurëse ndërtimore, të cilat gjithashtu paguheshin nga buxheti shtetëror.

Radoiçiq, Steviq dhe vëllezërit Vesellinoviq janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, pasi dyshohen për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Përveç me sulmin në Banjskë, Radoiçiq është i lidhur edhe me disa krime në Kosovë, përfshirë vrasjen e politikanit serb të opozitës, Oliver Ivanoviq.

Prishtina, deri më tani, ka lëshuar pesë fletarrestime për të - i fundit në qershor, për ngritjen e barrikadave në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, në vitin 2022.

Kosova e kërkon Radoiçiqin edhe për krime gjatë luftës së vitit 1999.

Radoiçiq dyshohet se ka qenë në një grup serbësh që kanë vrarë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë.

Trupat e tyre u gjetën më vonë në një varr masiv pranë Beogradit.

Zyra e Prokurorit në Serbi për Krime Lufte nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse i ka hetuar këto akuza.

Ndërsa Radoiçiq dhe autorët e tjerë të sulmit në Banjskë mbeten të lirë, shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu, është në burg në Serbi.

Ai u arrestua më 7 qershor në pikën kufitare midis Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa po kthehej me autobus nga Austria në Kosovë, bashkë me familjen e tij.

Gjykata e Lartë në Suboticë urdhëroi paraburgimin e tij, nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi sulmin në Banjskë, Policia e Kosovës vrau tre sulmues serbë, dhe Beogradi e akuzon Spahiun për vrasjen e tyre.

“Shërbimet tona duhet të kenë një regjistër të secilit prej tyre... të këtyre terroristëve nga Kosova. Duhet t’i gjejmë kudo që janë”, tha ish-kryeministri i Serbisë dhe kreu i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në Serbi, Millosh Vuçeviq, pas arrestimit.

Megjithatë, ai nuk dha prova për akuzat kundër Spahiut.

Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Spahiu është larguar vullnetarisht nga policia në vitin 2022, ndërsa autoritetet kosovare bënë thirrje për lirimin e tij.

Familja e Arbnor Spahiut u kërkoi institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojnë presion mbi Beogradin.

“Shpresojmë që ai të lirohet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse akuzat kundër tij nuk qëndrojnë. Ne kërkojmë që institucionet e Kosovës dhe faktorët ndërkombëtarë të përfshihen në këtë çështje, në mënyrë që të ushtrojnë presion mbi Beogradin për ta liruar Arbnorin”, tha një nga anëtarët e familjes së tij për Radion Evropa e Lirë.

Spahiu është njëri prej disa policëve dhe ish-policëve të Kosovës që janë arrestuar në Serbi, viteve të fundit.

Që nga sulmi në Banjskë, Bashkimi Evropian i kërkon Serbisë t’i ndjekë penalisht përgjegjësit.

Ai nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar faktin që Serbia nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë tash e dy vjet.

Pyetjeve të REL-it për këtë çështje nuk iu përgjigjën as nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Ish-zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, deklaroi në mars të vitit 2024 se SHBA-ja po heton lidhjet e Serbisë me sulmin në Banjskë.

“Ne mendojmë se Serbia ka disa lidhje financiare dhe organizative, por po e hetojmë këtë në më shumë detaje”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se Serbisë nuk i kërkohet të kryejë hetime, por përgjegjësi.

Nikolla Burazer, nga Qendra joqeveritare për Politikë Bashkëkohore në Serbi, vlerëson se kjo temë “nuk është larguar nga rendi i ditës”.

“Mund të thuhet se çështja e Banjskës ka qenë gjithmonë shumë më e rëndësishme për aktorët evropianë sesa për Serbinë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Burazer, gjithashtu, kujton se disa shtete anëtare të BE-së këmbëngulin në gjykimin e Radoiçiqit dhe të tjerëve që janë përgjegjës për Banjskën, si kusht për zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull që nga dhjetori i vitit 2021.

Pengesë kryesore është refuzimi i Beogradit për të mbështetur sanksionet kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

“Banjska është një nga disa problemet kryesore në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian - përfshirë mënyrën se si funksionojnë institucionet demokratike këtu, mospërputhjen e politikës së jashtme me politikën e Bashkimit Evropian, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, e kështu me radhë”, thotë Burazer.

Raportuesi evropian për Serbinë, Tonino Picula, paralajmëroi në një raport drejtuar Parlamentit Evropian në shkurt, se “duhet të vendoset drejtësi e menjëhershme për autorët e sulmit terrorist në Banjskë, duke përfshirë edhe ndjekjen penale të Radoiçiqit”.

Burazer nuk pret më shumë presion nga Brukseli, e as vendosjen e masave ndëshkuese kundër Serbisë, në të cilat Kosova këmbëngul.

“Ka shumë gjëra që shtetet anëtare presin nga Serbia dhe ajo nuk ka kurrfarë pasojash - përveçse nuk hapen kapitujt e bisedimeve [për anëtarësim në BE]. Autoritetet në Serbi, deri më tani, kanë dëshmuar të jenë mjaft imune ndaj këtyre llojeve të presioneve, sepse angazhimi për integrimin evropian është kryesisht deklarativ”, thotë Burazer.

Një nga kushtet për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Që nga sulmi në Banjskë, më 24 shtator të vitit 2023, në Bruksel nuk u zhvillua asnjë takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të negociatave të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Rundi i fundit i dialogut në nivel kryenegociatorësh përfundoi në mes të shtatorit pa ndonjë përparim./REL

millan radoiçiç

Sondazh

Poll

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari

Ndryshimet në "Ligjin për Turizmin", Balla: Pezullohen punimet në bregdet gjatë sezonit turistik

Balla mbron Ramën nga Redi Muçi: Lani gojën kur t'i përmendni emrin

Deklarata diskriminuese e ministres serbe/ Muçi akuzon Ramën për heshtje: Çfarë pret kryeministri?

Spiropali dërgon në Asamblenë e PS mocionin për hapjen e partisë

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, ‘blindohet’ me autobotë uji dhe forca të shumta policore

Ilirjana Kuçana akuzon lidershipin për shkelje të Statutit dhe "Mulizim" të partisë

Protestuesja: Shqipëria nuk e përmban dot një koncert si të Kanye West, vendi ynë ka marrë fund

Thirrjet për Ramën, protestuesi: Traumë për fëmijët të thonë Rama jep dorëheqjen

Dita 46-të e protestës/ Protestuesi: Sali Berisha dhe Edi Rama të thyejnë qafën

Protesta qytetare bën bashkë shqipëtarë nga çdo krahinë, valëviten flamujt nga diaspora

Protesta e 46-të/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, nis marshimi rrugëve të Tiranës

PD ndërpret sinjalin për median/ Anëtarja e Këshillit Kombëtar përplaset me Berishën

Berisha prezanton emrat: PD do të ketë nënkryetar nga diaspora dhe rinia

Berisha: Gjenerata Z dhe qytetarët i hapën varrin narkodiktaturës dhe do ta marrin me vete

Berisha: Protesta 46-ditore që vazhdon është tërësisht antidiktatoriale

Berisha: Gjithçka zhvillohet sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës është një betejë e kauzës

Këshilli Kombëtar/ Berisha prezanton emrat e propozuar për anëtarët e Këshillit të Diasporës

Dua Lipa: Frymëzuese të shoh qytetarët në protestë, ndërkohë që qeveria anashkalon ligjet