LIVE UPDATES
Aktualitet

BIRN: Si "përfitimet strategjike" nga qeveria po rrezikojnë lirinë e medias në Shqipëri

Shpallja si ‘investitor strategjik’ i bizneseve të lidhura me tre televizionet kombëtare private thellon, sipas ekspertëve, marrëdhënien e komplikuar mes medias dhe pushtetit në Shqipëri, duke rrezikuar pluralizmin, lirinë editoriale dhe të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të paanshme.

12 Gusht 2025, 10:22 Nga Vladimir Karaj
BIRN: Si "përfitimet strategjike" nga qeveria po rrezikojnë
foto ilustruese

TIRANË- Komiteti i Investimeve Strategjike, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, miratoi me 10 prill statusin “investitor strategjik” për dy kompani private – “Anima Con” dhe “EB Construction”, të cilat kanë në plan të ndërtojnë një hotel dhe një kompleks rezidencial në njërën prej zonave më të lakmuara të Tiranës.

Vendimi i marrë gjatë një mbledhjeje të zhvilluar me dyer të mbyllura u argumentua nga qeveria si pjesë e strategjisë për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në sektorin e turizmit dhe ndërtimit, dy nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.

Sipas dokumenteve zyrtare, ky projekt do të përfitojë lehtësi procedurale dhe përparësi administrative, përfshirë shpejtimin e procedurave për lejet e ndërtimit.

Pas kompanisë ‘Anima Con’ qëndron Lorela Hoxha – drejtuese dhe aksionere e Top Media, një nga grupet mediatike më të mëdha në Shqipëri – pronar i televizionit kombëtar “Top Channel”.

Shpallja e ‘Anima Con’ si investitor strategjik nuk është një rast i izoluar, pasi më herët edhe kompani të lidhura me dy televizionet e tjera kombëtare – TV Klan dhe Vizion Plus, kanë përfituar të njëjtin status nga qeveria.

Të marra së bashku, këta tre transmetues kontrollojnë më shumë se 2/3 e tregut mediatik, duke ngritur shqetësime mes ekspertëve dhe organizatave të lirisë së shprehjes, se përfitimet jo të drejtpërdrejta nga shteti vënë në rrezik pavarësinë e tyre editoriale dhe pluralizmin në tregun mediatik.

“Ndikimi është i fortë dhe impakti është i dukshëm,” thotë Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias. “Ashtu siç përmes fuqisë financiare mund të ndikohen politikat, partitë apo sektorë të ndryshëm të ekonomisë, njësoj kontrollohet edhe media,” shpjegoi ai.

Ndërthurja e interesave mediatike dhe atyre të biznesit me shtetin, sipas ekspertëve, ka sjellë një kulturë vetëcensure nëpër redaksi, ku kritika ndaj qeverisë shihet si rrezik për interesat tregtare të pronarëve.

Një sondazh i vitit 2024 nga BIRN dhe SCiDEV zbuloi se dy të tretat e gazetarëve shqiptarë kanë përjetuar kufizime në raportimin e lirë, shpesh për çështje që prekin korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.

“Kur pronari i medias bëhet palë biznesi me shtetin, raportimi kritik ndaj qeverisë kthehet në kosto direkte për investimin e tij,” tha Blerjana Bino, drejtuese e SCiDEV dhe raportuese për lirinë e shprehjes në Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt.

“Redaksitë ndiejnë ‘vijën e kuqe’ dhe vetëpërmbahen për të mos rrezikuar projektet shumë-milionëshe.”

Të pyetur nga BIRN përmes emailit, tre transmetuesit kombëtarë – Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, nuk komentuan mbi marrjen e statusit ‘investitor strategjik’ nga kompani të lidhura si dhe ndikimin e këtij statusi mbi politikat e tyre editoriale.

Marrëdhënie e ndërlikuar

Në një vend ku pluralizmi i medias është i garantuar në teori, kontrolli i audiencave nga një grusht sipërmarrësish të lidhur me pushtetin po e shndërron gazetarinë në një aktivitet gjithnjë e më të vështirë, duke vënë në pikëpyetje informimin e saktë dhe të paanshëm të publikut.

Sipas të dhënave të vitit 2023 të bëra publike nga raporti “Media Ownership Monitor”, tre televizione kombëtare private zotërojnë së bashku 65.6 për qind të tregut të transmetimeve televizive pa pagesë. Kur në llogari përfshihen edhe transmetuesit digjitalë të lidhur me të njëjtët aksionerë, kontrolli rritet në rreth 77 për qind.

Përpjekja e qeverive në Shqipëri për të kontrolluar mediat përmes stimujve financiarë është e hershme. Fillimisht, kjo përpjekje lidhej me shpërndarjen e reklamave shtetërore, sidomos për gazetat që, në mungesë të një tregu të qëndrueshëm shitjesh, e shihnin këtë si një burim të lehtë financimi.

Në këmbim të reklamave, zakonisht mediat garantonin artikuj lavdërues, sulme ndaj kritikëve dhe mbyllje sysh kur kjo i leverdiste qeverisë. Në të kundërt, mediat që nuk përfitonin nga reklamat shtetërore mbanin një qëndrim kritik ndaj qeverisë apo ministrive përkatëse.

Por reklamat nuk qenë kurrë përfitimi i vetëm. Një pjesë e mediave në vend u krijuan si shtojca të kompanive në fusha të tjera, me synimin për të siguruar favore nga politika dhe për të marrë mbrojtje për interesat e tyre. Përplasjet mes medias dhe qeverisë, kur kjo e fundit apo segmente të saj ndërmerrnin masa represive ndaj kompanive të lidhura me median, janë të shumta.

Për shembull, në nëntor 2022, kryeministri Rama akuzoi Top Channel për shantazh ndaj një agjencie qeveritare, akuza që u mohuan nga televizioni.

Më e ashpër ishte përplasja mes kryeministrit dhe biznesmenit Irfan Hysenbelliu, pronar i televizionit News 24, gazetatës Panorama dhe portalit të lajmeve Balkanweb. Në dhjetor 2022, një hotel në pronësi të tij në bregdet u shemb me tritol, ngjarje që ai e cilësoi si sulm ndaj lirisë së medias.

Më 9 gusht, dhjetëra efektivë policie rrethuan herët në mëngjes zyrat e televizionit Neës 24, të vendosura në ish-Uzinën e Autotraktorëve në Tiranë, pasi ndërtesa ishte transferuar në pronësi të kompanisë shtetërore të prodhimit dhe tregtimit të armëve “KAYO”. Në orën 7 e 36 minuta, sinjali i televizionit u ndërpre.

Organizatat për mbrojtjen e lirisë së shprehjes e kanë cilësuar dëbimin e televizionit nga ambientet me qira dhe bllokimin e një ndërtese të dytë, ku ndodhen studiot e transmetimit, si një cenim të lirisë së medias. Qeveria, nga ana e saj, e ka paraqitur çështjen si një konflikt pronësie, i cili është zgjidhur nga gjykata.

Ndërkohë që kompanitë e Hysenbelliut u shënjestruan dhe u dëmtuan, kompani të tjera të lidhura me grupet mediatike kryesore në vend përfituan statusin e investitorit strategjik, që sjell me vete një paketë përfitimesh: prona publike, fonde nga buxheti i shtetit dhe lehtësi administrative.

Tre mediat kombëtare – Klan, Top Channel dhe Vizion Plus – në pronësi të tre familjeve që zotërojnë gjithashtu rrjete digjitale dhe frekuenca numerike, janë të treja përfituese të këtij statusi.

Vëllezërit Dulaku, pronarë të Vizion Plus dhe rrjetit Tring TV, ishin të parët që përfituan statusin përmes kompanisë “Concord Investment”. Në vitin 2017, ata e morën këtë status për ndërtimin e kompleksit “San Pietro” në Gjirin e Lalzit, që përfshinte vila dhe hotel. Statusi u shoqërua me të drejtën për përdorim bregdeti dhe investime publike në infrastrukturë (rrugë, ujë, energji). Komiteti i Investimeve Strategjike e ndryshoi dy herë vendimin, duke rritur sipërfaqen e ndërtimit.

Po në 2017, e njëjta kompani mori statusin për një projekt tjetër në Dhërmi, “Gone Perivol”, me të njëjtat përfitime. Në total, për të dy projektet, kompania planifikon një investim prej 120 milionë eurosh.

Lorela Hoxha, administratore dhe aksionere në Top Channel, e fitoi statusin në prill 2025 për ndërtimin e një hoteli në Tiranë, bashkë me ortakun Ilir Bregasi. Ata përfituan asistencë për dokumentacionin dhe lejet, ndërkohë që sipërfaqja ndodhet në zonën kadastrale 8160 – një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit, që përfshin qendrën, bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zonën pranë Liqenit Artificial. Në dokumente thuhet se kanë pjesën më të madhe të tokës në pronësi dhe do të kenë kohë të blejnë pjesën e mbetur.

Ndërkohë, Aleksandër Frangaj, pronar i TV Klan, u përfshi në skemën e investimeve strategjike pasi bleu në prill 2025 hotelin “White Roads” nga kompania “Gjikuria” – një projekt që kishte përfituar që më 2022 statusin e investitorit strategjik dhe 9 mijë metra katrorë tokë publike me qira 1 euro.

Në gusht 2023, Komiteti miratoi edhe një shtesë prej 22 mijë m² tokë publike për të përmirësuar funksionimin e resortit. Në fund të 2023, projekti mori edhe statusin e një “strukture akomoduese me 5 yje – status special”, me përfitime fiskale dhe procedurale shtesë.

Resorti ‘White Roads’ ndodhet pranë monumentit natyror “Delta e Përroit të Palasës” dhe pritet të kushtojë 21 milionë euro.

Rreziku për lirinë e medias

Marrëdhënia komplekse e kompanive mediatike me qeverinë dhe përfitimet që rrjedhin prej saj sjellin, sipas ekspertëve të fushës, një rrezik të madh për lirinë e brishtë të medias në Shqipëri.

“Kur struktura pronësore e medias është e përfshirë në një biznes, apo dominon tregun e biznesit, gazetarët e asaj medie hasin shumë vështirësi për të raportuar në mënyrë të drejtë dhe të pavarur për të njëjtën tematikë,” thotë Elvin Luku, pedagog dhe ekspert i medias që drejton organizatën MediaLook në Tiranë. “Ata priren gjithnjë e më shumë drejt vetëcensurës,” shtoi ai.

Megjithatë, për Lukun Shqipëria nuk është një rast unik, pasi dhe vende të tjera kanë probleme të ngjashme; dhe në praktikë, përfitimet e kompanive të lidhura me mediat nga fondet publike nuk janë të ndaluara.

Por Luku shton se në një pjesë të vendeve Perëndimore ekzistojnë masa mbrojtëse ndaj këtij fenomeni, përfshi këtu media që zotërohen nga një numër i madh aksionerësh me kuota të kufizuara aksionesh dhe me një ndarje të qartë mes linjës editoriale dhe menaxhimit.

Shqipëria, nga ana tjetër, jo vetëm ka një treg të përqendruar mediash, por këto të fundit “zotërohen kryesisht nga një pronar apo strukturë familjare aksionerësh”.

Edhe Blerjana Bino thotë se marrëdhënia mes qeverisë dhe bizneseve të lidhura me mediat është problematike dhe gjithashtu ka një ndikim të madh mbi cilësinë e informacionit që merr publiku.

“Gjithnjë e më shumë, televizione kombëtare me kontroll të gjerë mbi audiencën po e zhvendosin përmbajtjen mediatike drejt propagandës, duke shmangur raportimin kritik mbi tema me interes thelbësor për publikun,” thotë Bino.

Ajo thotë se përmes ndikimit ekonomik, qeveria dikton agjendën publike, ndërsa media humb rolin e saj “si pushtet i katërt dhe instrument për llogaridhënie ndaj institucioneve”.

Bino vë në dukje se varësia financiare ka sjellë varfëri të debatit demokratik në vend. “Për rrjedhojë, audienca ekspozohet kryesisht ndaj një narrative të vetme, ndërsa zërat kritikë dhe mendimi i lirë reduktohen në minimum”, thotë ajo.

Koloreto Cukali përshkruan një situatë edhe më të zymtë. Sipas tij, marrëdhëniet ekonomike mes qeverisë dhe bizneseve të lidhura me mediat kanë zhdukur gazetarinë dhe e kanë bërë censurën “si bukën e përditshme”.

“Vjen një moment ku nuk ka më gazetari, por vetëm rripa transmetimi të propagandës,” thotë Cukali.

Votues të keqinformuar

Ndikimi i qeverisë mbi politikat editoriale të medias u bë i dukshëm edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, votuesve iu mohua një informim i pavarur.

“Përqendrimi i pronësisë së mediave, që minon pluralitetin e burimeve të lajmeve, së bashku me autocensurën mes gazetarëve dhe dominimin e mbulimit mediatik nga dy partitë më të mëdha, kufizuan mundësinë e zgjedhësve për të bërë një zgjedhje të informuar”, shkruhet në raportin paraprak të vëzhguesve për zgjedhjet e 11 majit.

Edhe monitorimet të AMA-s mbi minutazhin që televizionet u dhanë forcave politike treguan anshmëri. Një analizë e BIRN mbi mbulimin e fushatës nga mediat në vend sugjeron gjithashtu se kontrolli mbi mediat ishte faktor ndikues në fitoren e partisë në pushtet.

Në tre televizionet kombëtare private – TV Klan, Top Channel dhe Vizion Plus, të cilat kontrollojnë më shumë se dy të tretat e audiencës televizive – Partia Socialiste mori 52% të minutazhit në edicionet informative, krahasuar me 44.5% të Aleancës për Shqipërinë Madhështore. Ndërkohë, të gjithë subjektet e tjera garuese në zgjedhje morën më pak se 4%.

Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë, një prej forcave politike që fitoi një vend në parlamentin e ri pas zgjedhjeve të 11 majit, e pati pjesë të fushatës kritikën ndaj kontrollit e qeverisë ndaj medias.

“Është e pamundur që një media të përfitojë prona publike dhe fonde të mëdha nga buxheti i shtetit, sidomos në kushtet e një strukture institucionale të korruptuar dhe korruptuese, dhe kjo të mos ndikojë në pavarësinë e saj editoriale,” i tha Qori BIRN.

Ai thotë se ndërsa reklama shtetërore qe një formë e kontrollit, dhënia e përfitimeve si statusi i investitorit strategjik e ka zhdukur pavarësinë në redaksi.

“Po tanimë, me përfitimin e statusit të investitorit strategjik nga pronarët e këtyre mediave, nuk mund të flitet më as për një grimcë pavarësie editoriale të tyre,” tha Qori.

Sipas tij, fakti që këto përfitime vijnë prej një sistemi qeverisës të korruptuar, që nuk i merr vendimet dhe nuk i shpërndan të ardhurat e buxhetit për interesin publik, “por për të thurur rrjetën e klientelës me aktorë të fuqishëm ekonomikë”, e bën edhe më pak të mundshme lirinë.

Qori tha se gazetarët që “harrojnë” lidhjen mes pronarit dhe financuesit në qeveri, ndëshkohen.

“Varësia financiare nga qeveria, por edhe nga aktorët ekonomikë të lidhur fort me qeverinë, i vendos mediat shqiptare përpara dilemës: konformohu ose zhduku -në rastin më të mirë, margjinalizohu,” thotë ai.

Kreu i Lëvizjes Bashkë thekson se kjo marrëdhënie jo e shëndetshme i ka bërë shqiptarët viktima të keqinformimit të përditshëm.

“Çështje me interes publik që nuk mbulohen fare mediatikisht; çështje mbi të cilat keqinformohet; komunitete problemet e të cilave nuk dalin në sipërfaqen e vëmendjes publike; aktorë socialë e politikë të cilët margjinalizohen,” tha ai.

Edhe ekspertë të medias ngrenë dyshime mbi cilësinë e informimit në një situatë të tillë.

“Nëse informimi i publikut në edicionet informative fsheh interesa ekonomike dhe përfitime financiare jotransparente, nuk kemi të bëjmë më me informim dhe rreziku i dezinformimit të një opinioni të tërë publik është shumë i madh,” shprehet Elvin Luku.

Blerjana Bino, nga ana e saj, vë në dukje se publiku shqiptar është shumë i rrezikuar nga propaganda dhe informimi i njëanshëm si pasojë e “lidhjeve financiare dhe politike të mediave kryesore me shtetin”.

Sipas saj, nga ndjekja e mediave kryesore në vend, është e dukshme njëanshmëria në mbulimin e të ashtuquajturave investime strategjike.

Bino thotë se raportet në media i paraqesin këto investime “si tërësisht turistike dhe arritje për zhvillimin ekonomik, pa u ndalur në pasojat mjedisore, betonizimin apo shqetësimet e ngritura për shpronësimet nga banorët lokalë”. /Reporter.al

liria e medias ne shqiperi

Sondazh

Poll

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari