Ekzekutimi i 50-vjeçarit në Vorë/ Zbardhet dinamika e vrasjes së Edmond Sulës, autori përdori armë me dylbi...
Aktualitet
Asgjësohen 42 bimë narkotike dhe sekuestrohen 600 gramë lëndë cannabis, në pranga një 31-vjeçari në Krujë
Si rezultat i këtij aksioni, blutë kanë vënë në pranga 31-vjeçarin me iniciale N. Z., ndërsa kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, 43-vjeçarin me iniciale J. M., të dy banues në fshatin Mukaj.
13 Korrik 2026, 09:19Nga D.S
KRUJË- Policia e Krujës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Mukja”, duke goditur një rast të kultivimit të lëndëve narkotike në një zonë pyjore.
Si rezultat i këtij aksioni, blutë kanë vënë në pranga 31-vjeçarin me iniciale N. Z., ndërsa kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, 43-vjeçarin me iniciale J. M., të dy banues në fshatin Mukaj.
Gjatë kontrolleve në terren, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë zbuluan dhe asgjësuan 42 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat ishin kultivuar në zonën pyjore të fshatit. Përveç bimëve, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe 600 gramë lëndë të dyshuar narkotike.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë punën intensive për kapjen e 43-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Njoftimi i policisë:
"Krujë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Mukja”, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Asgjësohen 42 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe sekuestrohen 600 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa.
Vihet në pranga një 31-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Në vijim të punës intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, sherbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe si rezultat i kontrolleve të organizuara në terren, finalizuan operacionin policor të koduar “Mukja”.
Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. Z., 31 vjeç si dhe u shpall në kërkim shtetasi J. M., 43 vjeç, të dy banues në fshatin Mukaj.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas kishin kultivuar, në një zonë pyjore të fshatit Mukaj, 42 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit në vendin ku kultivoheshin bimët narkotike, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 600 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”., njofton Policia./Dosja.al