Politike

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Presidenti Meta merr parasysh kërkesën e opozitës, i drejtohet ‘Venecias’, mesazh maxhorancës: Reflektim!

VIDEO
  • Oliver Varhelyi mesazh direkt Ramës: Prisni opinionin e Komisionit…
  • Presidenti Ilir Meta ka bërë me dije se ka dërguar në Komisionin e Venecias ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke lexuar para gazetarëve dhe disa prej pyetjeve që ka reshtuar në kërkesën e tij. Ndërkohë që pret opinionin e ndërkombëtarëve, Meta kërkoi reagim dhe reflektim nga ana e maxhorancës dhe e deputetëve të opozitës së re në Kuvend.

    TIRANË– Presidenti Ilir Meta, pas kërkesës së opozitës së bashkuar, ka dërguar për opinion në Komisionin e Venecias ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Meta lexoi gjithë pyetjet që u kishte dërguar ndërkombëtarëve me urgjencë, edhe pse ndryshimet do të kalojnë në Kuvend vetëm pas pak ditësh. 

    Pasi ka kërkuar edhe njëherë reflektim si nga maxhoranca, po ashtu edhe nga deputetët e tjerë, Meta ka bërë edhe një apel për naftëtaret, të cilat kanë hyrë në javën e dytë të grevës së urisë në Ballsh. Numri një i shtetit ka kërkuar dialog mes tyre dhe qeverisë, para se situata të përkeqësohet dhe të ketë pasojë në shëndetin e grevistëve.

    Gjithashtu kreu i shtetit ka adresuar edhe akuzat ndaj tij se i ka dhënë nënshtetësinë shqiptare për vetëm 8 ore, futbollistit të Tiranës. Meta përmendi se të njëjtin ligj kishte përdorur edhe për ish-ministren e Arsimit, duke i cilësuar lajmet si të pavërteta. Ai tregoi se kishte fakte, por nuk mund t’i publikonte për 10 vjet pasi ishin “top-secret”.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Në fund edhe njëherë, Meta theksoi edhe njëherë se i kishte sytë nga populli duke bërë edhe njëherë thirrje tek politika për reflektim për të mos e dëmtuar vendin për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

    (k.m/dosja.al)

    • 14:26

      I dha futbollistit nënshtetësinë për 8 orë/ Meta përmend Besa Shahinin: S’do ishte dot ministre sot, ka edhe emra të tjerë. Dokumentet s'i tregoj se janë sekret shtetëror


      Presidenti Ilir Meta ka komentuar lajmin lidhur me shpërndarjen e nënshtetësive nga Presidenca duke përdorur ligjin e posaçëëm. Në fjalën e tij, gjatë komunikimit me gazetarët, Meta përmendi rastin e ish-ministres së Arsimit, Besa Shahini, së cilës sipas tij iu dha nënshtetësia me të njëjtën procedurë.

      “Lajmi u krijua për të shmangur vëmendjen nga menaxhimi i keq i situatës së pandemisë, besoj i keni parë statistikat. Shqipëria është vendi që ka testuar më pak dhe ka mbështetur më pak. Janë shpikur gënjeshtra. Unë njeri i ligjit dhe i shtetit. Kjo është dosja e futbollistit të Tiranës, të cilësuar si terrorist. Kur i intereson qeverisë ka procedura të përshpejtuara. Nuk ua jap dot emrat.  Tek procedura e posaçme, kur i intereson qeverisë ekziston ligji, kur nuk i intereson, nuk ekziston. Ish-ministrja e Arsimit  nëse nuk do ishin ndjekur me kërkesë të vetë qeverisë procedurat e posaçme nuk do kishte qenë as zv.ministre, as ministre, dhe do i duheshin dhe nga 2 vite të tjerë të bëhej shtetase e Republikës Shqipërisë. Kështu kemi edhe raste të tjera që unë nuk dua t’i përmend se jam në presidencë dhe nuk përgojoj askënd,”-shtoi Meta. 

    • 13:53

      Takim me Ramën dhe Bashën? Meta e mohon: S'kam përse ti takoj, 5 qershori u firmos

      Kreu i shtetit, Ilir Meta i është përgjigjur negativisht pyetjes nëse do të kërkonte një tjetër takim me liderët e partive në vend, për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. 

      PYETJE: Deklarata e Ramës, dhe a do të kaloheni me liderët?

      Meta: Nuk kemi çfarë takimi të zhvilloj. Është firmosur marrëveshja në 5 qershor. Të gjithë kanë detyrë të reflektojnë. Sesi do të veprojë maxhoranca apo Kuyvendi një partiak është përgjegjësinë e tyre.

    • 13:53

      Meta për Kodin Zgjedhor: Presidenti i ka sytë nga populli, në çdo rast është i qartë dhe ka shumë zgjidhje që …

      Presidenti Ilir Meta komentoi vendimin për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Duke iu referuar kërkesës së opozitës së bashkuar për të kërkuar opinion për ndryshimet e bëra, Meta tha se kishte vendosur për ta marrë në konsideratë.

      “Unë si president kam marr në konsideratë një kërkesë të opozitës së bashkuar për t‘iu drejtuar Venecias.  Opozita e Bashkuar e pranoi kërkesën dhe instistimin tim për krijimin e një qeverie teknike edhe pse i kishin të gjitha të drejtat e saj për shkak të zgjedhjeve të vitit 2017 për të mos pasur asnjë besim tek kjo qeveri. Presidenti i ka sytë nga populli shqiptar. Komisioni i Venecias është i rëndësishëm, vendimet e mëparshme nuk janë respektuar nga kryeministrit.”

      Ndërkohë që i pyetur nëse do të bëntë thirrje për protestë tek qytetarët, Meta tha se ai nuk ishte qëllimi i tij, megjithatë e dëgjonte jehonën e tyre. 

      Unë e dëgjoj jehonën e protestës. Qëllimi i presidentit nuk është të nxisë protesta. Në kushte për të shtypur të drejtat e qytetarëve shqiptarë për interes tënjë pakice. Nuk do të pres popullin që t’i japë drejtim kësaj çështjeje. Shpresoj që të ketë reflektim dhe përgjegjshmëri,”-shtoi presidenti.

    • 13:47

      Naftëtarët prej 2 javësh në grevë, presidenti Meta APEL qeverisë: Dialogoni para se të përshkallëzohet situata

      Presidenti Ilir Meta i ka bërë një apel qeverisë dhe grevistëve të Ballshit për të zgjidhur gjithë problemet duke dialoguar. Nga Presidenca, Meta që të ndërhyrje para se të kishte pasoja të rëndë për shëndetin e grave naftëtare.

      Dialogoni sa më parë për një zgjidhje sa më të pranushme dhe të arsyeshme pa u përshkallëzuar situata me pasoja. Është e rëndësishme që të bëhen çdo përpjekje me mirëbesim. Përpara se të kemi probleme dhe pasoja me shëndetin e tyre,”-tha Meta.

    • 12:31

      Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Meta kërkon opinionin e Venecias: 8 pyetjet që i kam bërë Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

      Presidenti Ilir Meta ka dalë konferencën e radhës për shtyp me gazetarët, ku edhe ka paraqitur pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias për ndryshimet në kodin Zgjedhor.  Kreu i shtetit ka bërë me dije se ka dërguar në Komisionin e Venecias ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

      “Është momenti i duhur se kam kërkuar për një opinion urgjent mbi procesin e ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, drejtuar Komisionit të Venecias. Presidenti pas paraqitjes së një kërkesë zyrtare të opozitës së bashkuar dhe në funksion të shmangies së një krize tjetër për të kontribuuar për stabilitetin e vendit, iu drejtua Komisionit të Venecias me një kërkesë për të dhënë opinionet e mëposhtme,”-tha Meta.

      PYETJET

      1. A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate midis konkurrentëve, pasi të ketë filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve, për vet cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?

      2. Nëse rregullat, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me transformimin e votave në mandate midis konkurrentëve, ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë ose ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë së ligjit, sigurisë juridike dhe rregullave të barabarta të lojës (konkurrimit), të cilat janë kyçe për të përmbushur angazhimet e OSBE së për zgjedhje demokratike? A e komprometojnë këto ndryshime procesin zgjedhor ? A e kompromentojnë ato gjithashtu stabilitetin politik nëse bëhen në kundërshtim me konsensusin e 24 janarit dhe 5 qershorit të arritur nga shumica e partive politike?

      3. A shkelet përfundimisht parimi i garancive procedurale nëse ndryshime të tilla në ligjin zgjedhor të miratuara njëanshmërisht dhe me nxitim bëhen në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale e cila mund të kontrollojë pajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën dhe me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut?

      4. Ndërsa ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të hershme të OSBE/ODIHR për Shqipërinë, a është procedura urgjente një motiv i ligjshëm për të justifikuar ndryshimet e njëanshme nga një
      Parlament i kontestuar, që nuk ka kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh? A kishte ndonjë nevojë shtrënguese sipas standardeve ndërkombëtare për t’i modifikuar ato në mënyrë të
      njëanshme?

      5. A është dispozita e futur rishtazi në Kodin Zgjedhor, për të drejtën e Kryetarit të një partie politike për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe veçanërisht me parimin e mos-diskriminimit midis kandidatëve dhe votuesve?

      6. A e pengojnë rregullat aktuale në për mbledhjen e votave dhe shndërrimin e tyre në mandate midis konkurrentëve, veçanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura për përzgjedhjen e kandidatëve nga votuesit? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura, ndërsa mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten ashtu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?

      7. A i dëmton të drejtat e partive politike dhe elektoratit të tyre, imponimi i njëanshëm i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në lidhje me koalicionet parazgjedhore për të kandiduar me një listë unike? (vota e barabartë e kandidatëve të partive të ndryshme politike brenda një koalicioni; e drejta e përfaqësimit ligjor për të mbrojtur interesin e tyre gjatë procesit zgjedhor; e drejta për kohën e transmetimit dhe qasja në media; e drejta e përfaqësimit në komisionet vendore zgjedhore; e drejta dhe transparenca e financimit)?

      8. Duke patur në konsideratë situatën, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të siguruar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet europiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuara nga të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe subjektet zgjedhore, në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore dhe politike?

    Shto Koment