Protesta për Zvërnecin/ Protestuesit çajnë kordonin metalik, policia i sulmon me ujë. Tubimi shpërndahet në gjithë Tiranën
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Pas më shumë se tre orësh, mbyllet protesta para Kryeministrisë/ Qytetarët thirrje: Nesër sërish në...
Tragjedia me dy viktima në Shëngjin, policia jep detaje: Të gjithë shtetas nga Kosova, tre persona në spital 3 Qersho...
“Ka forca në Shqipëri dhe jashtë që janë kundër”/ Rama: Të rreshtohesh me PS, do të thot&eum...
"Shqipëria është e shqiptarëve"/ Qytetarët mbushin rrugët e Tiranës, kërkojnë anulimin e pr...
TIRANË -Ekziston një turp për të cilin rrallë flitet në Tiranë. Turpi i varfërisë. Edhe pse populli më i varfër i Europës sipas çdo statistike kombëtare e ndërkombëtare, për çudi, të flasësh për problemet financiare është tabu, sidomos për shtresën e mesme dhe profesionet e lira. Akoma më tabu është të flasësh për transportin publik dhe lëvizshmërinë brenda Tiranës, sepse nëse ti do ishe një njeri i rregullt, tashmë do e kishe një makinë. Të mos kesh makinë është turpi i ri, madje dhe një shofer me rrogë minimale, një kamarier ose punëtor krahu të pyet, si, si, ti nuk ke makinë?
Mundet që kjo të jetë arsyeja pse të flasësh për terminalin e autobusave është tabu, po ty ç’të duhet autobusi? Ku do shkosh me të? Pse, ti nuk ke makinë? Pyetje të cilat për çudi, nuk ke as si të përgjigjesh. Një ditë po tentoja të gjeja informacion se ku e kur niset minibusi Qendër-Shëngjergj. Po, unë dua të vizitoj fshatin turistik që reklamohet por nuk kam makinë. Mision i pamundur, sigurisht, asnjë informacion, asnjë fjalë. Në qendër sheh autobusët për Qesarak, Linzë dhe Lanabregas, por asgjë për Shëngjergjin. Është si autobus fati, po e pe, do kesh habere të mira atë vit. Vjet e pashë dy herë dhe qe vit i mirë. S’kam ç’them. (Një mik i apasionuar me natyrën dhe që ka kontakte me grupe që bëjnë guida brenda Shqipërisë më njoftoi se minibusët nisen nga Kinostudio çdo dy orë. Kinostudioja nuk është vend i vogël, duhet ta them, parashikon një mori rrugicash dhe rrugësh por është e qartë për një banor të Tiranës se vendi i nisjes duhet të jetë një pikë te vetme, aty ku nisen edhe autobusët e linjës Kombinat-Kinostudio. Po të isha e huaj, qoftë dhe nga Kosova, sërish do isha si e humbur edhe me këtë informacion në dukje të qartë.)
Në të njëjtën mënyrë por ca më keq, është shumë e vështirë të gjesh një autobus që të lë te Natyra e Qetë, një lokal përballë TEG-ut. Te ky i fundit ka dy linja, jo një, DY linja qytetase ku funksionon për bukuri aboneja e përgjithshme e Tiranës, të cilat çdo tre minuta të zbresin e të ngjisin nga qendra tregtare, që të blesh rehat në TEG, por nga ana e restorantit është pothuaj e pamundur të shkosh. Zero sinjalistikë, rruga është autostradë ku nuk mendohet se një njeri me autobus do zbresë e do …hajë aty. Pse do haje ti pa makinë aty fundja, ti duhet të rrish në shtëpi dhe të kursesh, bukë thatë dhe pilaf me kos e groshë. Paçka se ironikisht, Natyra e Qetë ka çmime krejt të lira. Sepse edhe qytetari me makinë në Tiranë, mundet dhe është një rrogëtar me qind halle mbi kokë, ndaj nuk është se vërtet po flasim për luks. Makina nuk është luks në këtë pikë, po nevojë që duhet ushqyer me naftë që të mund të (mbi)jetosh.
Situata bëhet akoma më qesharake nëse je i huaj apo thjesht një shqiptar që nuk ka jetuar në Tiranë këto njëzet vitet e fundit. I vetmi vend ku gjehet informacion mbi linjat e transportit urban është faqja zyrtare e bashkisë, në të cilën paraqiten disa vija me ngjyra, pa informacion mbi stacionet. Sigurisht që orare nuk ka si të ketë, as në faqe e në tabela, as në faqe interneti e as pranë stacioneve, as të shkruara me dorë a me printim, ose, nëse më lejohet të blasfemoj, në formë elektronike. Një tentativë për një aplikacion në telefona Android mbi vendndodhjen e çdo autobusi nëpër rrugët e Tiranës u braktis në një pikë të caktuar, pasi fitoi një tender publik diku nga viti 2017. Lajmi u publikua edhe në lajme dhe për momentin është krejt jofunksional. Edhe pikat e shënuara për stacione tashmë janë të vjetëruara dhe nuk shërbejnë për asgjë. Rifreskimi i fundit është në shtator të 2018. Disa pamje që paraqiten si reklamë për aplikacionin, me të dhëna direkte nga vendndodhja e secilit autobus nuk kanë qenë kurrë reale. Aplikacioni i Vodafone, edhe ky një tender publik, vuan nga po të njëjtat problem.
S’ke makinë, s’ke qejf në Tiranë. Kafene ke kudo fundja. Ulu te ajo më e afërta me shtëpinë tënde. Qesharake, por ç’alternativë që nuk të lë me pasoja ke?
Terminali i autobusëve ndërurbanë është lëvizur tre herë përgjatë njëzet viteve të fundit. Tre herë është shumë, konsideruar se planet për zhvillimin e qyteteve shtrihen në kohë dhe bëhet fjalë për një investim të madh publik. Në fillim ishte pranë stacionit të trenit, pastaj në rrethrrotullimin e Shqiponjës dhe tani në kthesën e Kamzës, pranë Casa Italias. (Vini re si e cilësoj vendndodhjen, jo emër rruge por emër qendre tregtare.) Në të treja herët, furgona të paligjshëm mbetën zvarrë përgjatë rrugëtimit të terminalit, tamam si lëng veshtullor kërmilli: me vite mund të gjeje autobusë për Durrës pranë tashmë ish-stacionit të trenit që fshiheshin rrugicash dhe mblidhnin njerëz, me vite gjeheshin dhe ende gjehen furgona pranë Doganës, ende pa mbërritur në Astir dhe tani gjehen në Astir, duke u tërhequr zvarrë si kufomë që lëngon, me atë jehonën së mirënjohur, EDHE NJI SE U MUSH! A do kishte qenë normale nga aspekti urbanistik mbajtja e terminalit në ish-stacionin e trenit? Unë nuk kam mjaftueshëm informacion ose formim për fushën që të mund të përgjigjem. Ka shumë mundësi që zona në fjalë të jetë shumë herë më mirë e shfrytëzueshme për banim dhe dyqane, sesa për stacion ku të grumbullohen gjithë autobusët që shkojnë për jug e veri. Por nga ana tjetër, Bulevardi i Ri tashmë është parkim nëntokësor, fat që po i rezervohet edhe ish terminalit në Astir, te ish-rrethrrotullimi i Shqiponjës, fat i cili duket sikur shumë shpejt do gjejë edhe këtë pikën e re e kaq të largët të kthesës së Kamzës. Vetë faqja web e terminalit gjendet në brendësi të faqes web të parkimit publik me pagesë të bashkisë. Sigurisht, e parifreskuar me vendndodhjet e reja të terminaleve, me disa njoftime të paqarta kur theksohet se terminali në Kamëz do jetë provizor. Asnjë informacicon nuk jepet se ku parashikohet të vendoset përfundimisht terminali. Duhet dhe të theksojmë që Terminali i Autobusëve të Veriut ishte dikur pranë pallatit të sportit Asllan Rusi, një zgjidhje e cila nuk iu duk ideale bashkisë. Ata vendosën të bashkojnë në të njëjtin vend veriun e jugun, e për këtë nuk u pyet kush.
Në një investigim nga Citizens Channel, evidentohen problemet e zhvendosjes së terminalit, s’ka banjo, ende s’ka drita, fatorinot shprehen se nuk po mbushin dot më autobusët e tyre dhe furgonë ilegalë thithin udhëtarë rrugëve të qytetit të Tiranës. Sa të arrish ti në kthesë të Kamzës do të të duhet një udhëtim me një nga dy linjat e qytetit: linja Kamëz e cila niset në qendër mbrapa Bibliotekës Kombëtare, në të cilin nuk pranohet aboneja e përgjithshme e qytetit të Tiranës, ose linjës së Institutit e cila merret në një prej stacioneve të qendrës, nëntë-katshet ose dy të tjerët që duhet të kenë emra jozyrtarë që nuk më bien në çast në mend. Shkrimi i portalit është interesant sepse përshkruan në terren çfarë po ndodh, nëse ti nuk arrin dot, ose nuk dëshiron, ose nuk mundesh të shohësh me sytë e tu terminalin e ri…provizor. Fjalë e cila të ngjeth mishin, mos vallë do e çojnë fare në Vorë? Fundja, edhe autobusi i Vorës pas Bibliotekës niset…
“Na janë larguar komplet dhe pasagjerë që kemi pasur të rregullt që udhëtonin me neve. Ai udhëton nga Tepelena, që hipën një taksi 8+1, paguan 1000 lekë, të vijë me neve nga Tepelenë në Tiranë paguan 800 lekë me linjë autobusi. Ai më mirë hipën tek taksia“ – shprehet një fatorinë i intervistuar nga Citizen’s channel.
Në videon promocionale ku Erion Veliaj pyet gjithë kërshëri një përgjegjëse për punimet në terminal, a thua se nuk i ka lexuar më parë ose nuk i ka firmosur vetë, kryebashkiaku kërkon durim prej qytetarëve derisa të mbyllen punimet. Vallë, nuk do kishte qenë më e udhës të studiohej zona, të mbaroheshin punimet e pastaj të bëhej zhvendosja? Në vitin 2014, kujtoj kryeministrin Rama të deklaronte se Shqipëria do bëhej shtet por procesi do shoqërohej me dhimbje. Në atë kohë flitej për problemin e vjedhjes së energjisë, ku dhjetëra familje në prag mbijetese lidhnin linja ilelage duke vjedhur efektivisht energjinë elektrike, kryesisht për të mos vdekur nga i ftohti ose uria. Procesi ishte vërtet i dhimbshëm dhe dënoi vetëm shtresat më të vobekta. Ndoshta, edhe në këtë rast flitet për një proces të ngjashëm; është e nevojshme që Astiri të lirohet për punime e kjo në kurriz të shtresave më të pamundura financiarisht, atyre që nuk kanë makina personale dhe nuk kanë asnjë mjet tjetër për të udhëtuar.
Që ta përmbyllim, terminali i ri po ia del të ndajë një çift të konsoliduar siç është udhëtari dhe autobusi i tij ndërurban. Ata nuk mund të takohen më si dikur, dhe sigurisht, bashkia nuk është fort e interesuar për lidhjen e tyre. Linjat janë të gjitha të licensuara dhe private; ato paguajnë taksat dhe nëse dalin me fitim nuk është problem ose shqetësim i bashkisë. Rëndësi ka të mbarohen të gjitha projektet për parkime, një burim i mirë të ardhurash nga shtresa e pronarëve të makinave. Logjikë e shëndoshë është. Nxiti të blejnë makina, merri paratë për parkim. Ndoshta po bëhem thjesht negative tani. Me siguri, nuk mund të ketë një plan kaq të sofistikuar… apo jo?
Në vitin 2017 unë nisa të vizitoja çdo të shtunë vajtje-ardhje qytetin e Durrësit, herë duke takuar ndonjë shoqe e herë krejt vetëm, duke marrë përgjatë gjithë vijën bregdetare dhe më pas edhe qytetin. Dashuria ime për Durrësin ishte e pakuptueshme për miq e familjarë: Durrësi konsiderohet qytet i shëmtuar, i mbindërtuar dhe me plazh të pisët. Përveç kësaj, stigma kryesore e qytetit është prania në verë e turistëve nga Kosova të cilët akuzohen se janë shkak i papastërtisë, zhurmës dhe parehatisë së përgjithshme, akuzë e cila bie poshtë po të marrësh parasysh mungesën e disa kushteve bazë higjenike. Pa i hyrë hiç çështjes së betonizimit dhe derdhjes së naftës, ujërave të zeza, mungesës së banjove publike, vjedhjes së rërës për ndërtim që me shumë gjasë të gjitha bashkë kontribuan në tragjedinë me shumë të vdekur në tërmetin e 26 nëntorit, mua më vjen turp të më duhet të shpjegoj arsyet pse e dua kaq shumë Durrësin. Është si të të pyesin, përse e do fëmijën tënd? Përse e do familjen tënde? Përse ti i do prindërit? Përse një emigranti shqiptar në Europë i vjen të qajë kur sheh qytetin e tij të lindjes, edhe pse jeton shumë herë më mirë tani? Sigurisht të gjitha mund të shpjegohen, por dashuria është një prej ndjenjave më komplekse e cila nuk mundet të përmblidhet me veç dy rreshta, a dy motive. Unë e dua Durrësin, mendoj se kaq duhet të mjaftojë si arsye e vizitave të shpeshta dhe të thella.
Durrësi është qyteti i dytë që njoh mirë; veç tij unë njoh vetëm Tiranën. Është qyteti i dytë në të cilin di ku të ulem në kafene, ku janë muzeumet, ku gjenden hotelet më të lira dhe njoh emra rrugësh. Di ku është spitali rajonal famëkeq, njoh farmacitë më të mëdha, di ku ka akullore të mirë dhe ku hahet një pastë si mbret. Di ku qelbet erë dhe ku nuk ka këmbë robi e të mbushet shpirti me det, jod dhe guacka të vogla. A mund të shkoj unë më në Durrës? Pyetja është thelbësore sepse nuk shtrohet në nivelin a mundem fizikisht ta kryej rrugën nga Kinostudio ku bano për momentinj e deri në kthesë të Kamzës, ose deri në ndonjë nga pikat ku gjenden furgonat ilegalë. Këta të fundit, janë dhe pa orar, ti nisesh dhe nuk e ke idenë as kur do bitisesh në Durrës. Pyetja është krejt tjetër, a ia vlen më barra qiranë. Kur një autobus i Institutit më kaloi pranë dhe deklaroi me gjithë frymën e mushkërive të lodhura se do na çonte në TERMINAL, ndjeva brenda vetes se jo. Tashmë nuk ia vlen më. Një ankth i çuditshëm më kapi, çfarë do gjeja deri në kthesën e Kamzës? Një aventurë për të cilën nuk isha gati, e nuk besoj se do jem ndonjëherë gati.
Por që t’i kthehemi fillimit, zgjidhja do duhej të ishte e thjeshtë. Të ble një makinë që as Durrësi e asnjë qytet tjetër të mos ishte larg. Si, si, unë s’kam makinë? Dhe jam farmaciste? Po ne …ne jemi të pasur! Ne kemi rroga shumë të mira. E sigurisht, nëse nuk kam një rrogë të mirë të cilën duhet patjetër ta lë naftë dhe sigurime dhe riparime makine, faji është i imi. Sepse unë paskam mbetur në nivel studenti i cili merr rrugën nga konvikti deri në fund të dynjasë për një autobus që e çon në shtëpi. Po edhe ky, edhe ky i ka fajet e veta. Të zhvendoset në Tiranë. Pak shtëpi në shitje ka?
Mua më vjen turp që jam e varfër. Më vjen turp të pranoj që nuk kam makinë e nuk do e kem kurrë atë. Unë jam një prej grave të shumta që hipin e zbresin çdo ditë autobusët e Tiranës, të pisët, të parregullt, pa orare, bashkë me pjesën tjetër të udhëtarëve që të paktën në pamje të parë, janë 90% gra, të moshuar dhe fëmijë. Them 90% por, nuk kam të dhëna reale mbi demografinë sepse nuk e studion njeri transportin publik në Tiranë. Interesi është kaq i ulët saqë askush nuk do donte t’i hynte me detaje se kush e përdor më tepër atë. Ca të humbur e varfanjakë, studentë e të moshuar, xhepistë dhe të pastrehë. Kujt i intereson çfarë bëjmë ne? Ne mund të izolohemi, mund të harrohemi, mund të mos merremi parasysh. Ne nuk paguajmë parkimet publike, as taksa për naftë në mënyrë direkte, do ishte e mundshme që të mos ishim më gjallë e shoqëria shqiptare do ecte po njësoj përpara, në mos më mirë. Ne jemi të padëshiruar dhe e mira fare do qe të mbyllim gojën sepse, TURP! Turp të dëgjojë njeri se po ankohesh për autobusët. Merr taksi, po, merre një, moj…fyçkë!
Marrë nga Peizazhe të fjalës
(A.K.Dosja.al)
1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:
Edi Rama bëri dje një analizë më shumë se 3 minuta të asaj që përfaqëson akti normativ, që i jep Operacionit Forca e Ligjit një pushtet të palimituar. Siç...
TIRANË- I ftuar në emisionin “Top Show” në Top Channel më 10 prill të 2019-s, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, kur u pyet për lejet e ndërtimit në Tiranë ...
TIRANË– Nëse ishe vajzë mund të përndiqeshe deri sa të pranoje të lidheshe me një të fortë. Ishe apo nuk ishe i lagjes, nëse nuk u bindeshe mundet të përfu...
Më 5. Shkurt Komisioni i ri Europian paraqiti propozimet për reformimin e politikës së zgjerimit të BE, më saktë metodologjinë e negociatave të anëtarësimit për...
BE- Shpresa të përforcuara kanë shoqëruar publikimin këtë javë të metodologjisë së rishikuar të zgjerimit, “Përmirësim i procesit të pranimit – Një ...
TIRANË- Një kompani e re mediatike është themeluar në Janar 2020, ajo zotërohet dhe administrohet nga publicisti Kosovar Baton Haxhiu. Dosja.al ka mësuar s...
TIRANË- Çfarë nuk u tha e çfarë nuk u shkrua për Alketa Vejsiun për daljen mbrëmë në Sanremo. Por shprehja që më ka lënë pa fjalë ishte: Na t...
TIRANË- Unë nuk jam ndierë krenare mbrëmë: Jo për faktin se një grua shqiptare prezantoi në Sanremo, jo për faktin se nuk ishte e bukur apo e zonja, apo se...
TIRANË- Kreu i Partisë Demorkatike, prej ditësh ka nisur një aksion të ri të komunikimit me qytetarët dhe u premton atyre se do i dëgjojë, por kërkon që at...
TIRANË- “Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, është kjo një shprehje që i shkon përshtat Erion Veliajt. Veliaj në të gjithë karrierën e tij vetëm...