LIVE UPDATES
Ekonomi

Rreziqet e kreditimit të koncesioneve, bankat ‘qepin’ gojën, asnjë informacion për miliona eurot e dhëna për f

19 Dhjetor 2020, 07:39 Nga DOSJA

Politikat publike në Shqipëri i kanë dhanë një hov zhvillimit të koncesioneve dhe projekteve të Partneritetit Publik-Privat (PPP). Ligji i koncesioneve në vitin 2007 nxiti investimet koncesionare në sektorin energjetik, ndërsa më tej nisi gradualisht edhe transferimi i ofrimit të shërbimeve publike tek operatorë privatë. Pas vitit 2013, koncesionet morën përmasa edhe më të mëdha në formën e PPP-ve, sidomos në shëndetësi, në infrastrukturën rrugore dhe në trajtimin e mbetjeve.

Ky lulëzim i koncesioneve dhe PPP-ve shtroi edhe një potencial të konsiderueshëm biznesi për sektorin bankar. Në teori, koncesionet dhe PPP-të mund të ishin kredimarrës me shumë interes për bankat, sepse bëhet fjalë për ndërmarrje me shitje të sigurta të produkteve apo shërbimeve të tyre. Në rastin e energjisë, prodhimi do të blihej nga kompania publike, madje me tarifa preferenciale, të vendosura nga qeveria shqiptare për nxitjen e investimeve. Për sa u takon PPP-ve, ato zakonisht u kontraktuan si monopole që do të ofronin shërbime publike për llogari të qeverisë shqiptare.

Por, rruga nuk ishte pa rreziqe, qoftë për arsye teknike, qoftë për shkak të një rreziku të konsiderueshëm politik, të lidhur sidomos me PPP-të. Në vitin 2017, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje hapur bankave të mbështesnin financimin e projektit “1 miliard euro për rindërtim”. Por, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, kërkoi nga bankat të mos i financonin këto projekte, duke kërcënuar se ato do të anuloheshin, sapo Partia Demokratike të vinte në pushtet.

Deri tani, të dhënat e mbledhura nga revista “Monitor” tregojnë se bankat kanë financuar në përmasa të konsiderueshme koncesionet në sektorin energjetik. Angazhimi me PPP-të ka qenë më i kufizuar, por as këtu nuk kanë munguar financimet.

 

Koncesionet në energji, portofoli 210 milionë euro

Koncesionet në energjetikë ishin një ndër sektorët që udhëhoqën ringritjen e kreditimit të biznesit pas krizës. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli i kredisë në këtë segment ka vlerën e 26 miliardë lekëve, ose rreth 210 milionë eurove.

Mes nëntorit të vitit 2018 dhe marsit të këtij viti, portofoli i kredisë për kompanitë private të sektorit të energjisë u zgjerua me 76%. Ndërkohë, pas muajit mars, ky portofol ka pësuar një rënie të lehtë, e ndikuar edhe nga ndalja disamujore që pësoi aktiviteti kreditues.

Sistemi bankar shqiptar ka mbështetur në përmasa të mëdha koncesionet për ndërtimin e veprave të reja energjetike. Statistikat tregojnë se kredia për ndërmarrjet private të sektorit energjetik, në fund të muajit prill, ishte 27 miliardë lekë, ose rreth 215 milionë euro.

 

BURIMI: BANKA E SHQIPËRISË

 

Një dekadë më parë, financimi i këtyre projekteve u prit me një lloj skepticizmi nga sistemi bankar dhe problemi kryesor ishte mungesa e garancive të mjaftueshme nga investitorët. Megjithatë, kjo pengesë u zgjidh gradualisht nëpërmjet vendosjes së kolateralit mbi asetet e HEC-eve, (sipas një formule ku kompania koncesionare duhet të merrte një miratim paraprak nga Enti Rregullator i Energjisë), përmes pengut mbi makineritë e pajisjet, mbi të ardhurat nga shitja e energjisë dhe mbi aksionet e kompanive.

Banka të ndryshme kanë ndjekur qasje të ndryshme ndaj sektorit energjetik. Më aktivet në financimin e projekteve të reja në energjetikë ishin Societe Generale (sot OTP Bank) dhe Intesa Sanpaolo, që kanë financuar së bashku të paktën 90 milionë euro për ndërtimin e projekteve koncesionare të këtij lloji.

Sidoqoftë, financimet e sektorit bankar shqiptar përbëjnë një pakicë kundrejt totalit të investimit të kryer në veprat e reja energjetike në vitet e fundit. Kompanitë, që zotërohen nga investitorët e mëdhenj të huaj, si Gazsjellësi Trans-Adriatik, Devoll Hydropower ose Energji Ashta i kanë financuar investimet me kapitalet e tyre. Ndërkohë, një tjetër investim i madh, ai i kompanisë turke Ayen Energy për ndërtimin e disa HEC-eve në lumenjtë Fan i Madh dhe Fan i vogël në Mirditë është financuar me një kredi prej 178 milionë eurosh nga banka turke İşbank.

Disa projekte janë mbështetur edhe nga bankat e mëdha të zhvillimit, sidomos nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Vitin e kaluar, HEC-et private dhe koncesionare siguruan rreth 43% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në vend.

 

 

Rreziku nga natyra dhe nga mungesa e sigurisë ligjore

Bizneset e koncesioneve janë aktualisht ndërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri. Sipas të dhënave nga pasqyrat financiare të subjekteve, të përpunuara nga “Monitor”, shoqëritë koncesionare të ndërtimit të hidrocentraleve kishin normën më të lartë të fitimit në ekonominë shqiptare, me një fitim para taksave sa 61% e xhiros.

Koncesionet e tjera kanë gjithashtu norma fitimi mjaft të larta, mesatarisht rreth 38%. Biznese me norma kaq të larta fitimi teorikisht përfaqësojnë klientë të lakmuar për huadhënësit. Sipas të dhënave nga bankat, përgjithësisht, portofoli i kredisë në energjetikë ka cilësi të mirë dhe nuk regjistrohen nivele shqetësuese të kredive joperformuese.

Megjithatë, edhe ky biznes nuk është pa rreziqe në afatin e gjatë. Rreziku kryesor lidhet me faktorin natyror dhe pritshmëritë për prurjet e lumenjve në kohë, që në disa raste mund të jetë mbështetur në projeksione tepër optimiste. Të dhënat e këtyre viteve kanë treguar se prodhimi i energjisë nga HEC-et private ka qenë i luhatshëm, si rezultat i ndryshimit të prurjeve në basenet e lumenjve.

Rreziku tjetër lidhet me ndryshimin e politikave stimuluese nga institucionet shqiptare. Me qëllim nxitjen e këtyre investimeve, qeveria e Partisë Demokratike vendosi stimuj në formën e një çmimi më të lartë të blerjes së energjisë nga HEC-et koncesionare.

Por, pas ardhjes në pushtet të koalicionit të majtë, në vitin 2013, masa e stimulit u ul ndjeshëm. Ulja e çmimit të energjisë do të ndikojë negativisht të ardhurat e kompanive koncesionare dhe mund të cenojë edhe aftësinë e tyre paguese ndaj bankave. Në muajin maj të këtij viti, investitorët e HEC-eve private kanë sulmuar ashpër qeverinë shqiptare për uljen e çmimit të shitjes së energjisë që prodhohet prej tyre.

Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA), e mbështetur edhe nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), Confindustria Albania dhe Dhoma Italiane e Tregtisë (CCIA) kërkon transparencë mbi arsyet e uljes së çmimit të energjisë së prodhuar me 10%, duke e çuar koeficientin e mbështetjes nga 1.3 në 1.2.

Sipas AREA-s, ndryshimi i çmimit me Vendim të Këshillit të Ministrave të datës 13.05.2020 është antiligjor, pasi çmimi vendoset vetëm një herë dhe vetëm në fillim të vitit, nga Enti Rregullator i Energjisë. Prodhuesit e energjisë i janë ankuar qeverisë shqiptare në mënyrë të përsëritur se po cenon sigurinë juridike të kontratave të nënshkruara dhe po rrezikon kthimin nga investimet e kryera prej këtyre subjekteve.

“Ne shprehim shqetësimin për ndryshimin e rregullave në mes të lojës, pa një arsye të motivuar, sikundër edhe për mungesën e stabilitetit në legjislacion, e cila sjell pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin e ekonomisë. AREA, FIAA, Confindustria Albania dhe CCIA sqarojnë opinionin publik se janë vënë disa herë nën trysninë e pushtetit, i cili synon të ndërhyjë me çdo kusht për të prishur rregullat e lojës, duke cenuar edhe sigurinë juridike të kontratave koncesionare” – thuhej në komunikatën e përbashkët të investitorëve.

Sipas prodhuesve, masat represive për të financuar humbjet e kompanisë shtetërore, që duhet të garantojë furnizimin me energji, rrënojnë jo vetëm investitorët shqiptarë e të huaj, që kanë investuar mbi 600 milionë euro, por dëmtojnë edhe konsumatorët shqiptarë, të cilët vijojnë të paguajnë humbjet nga keqmenaxhimi i kompanive shtetërore apo varësinë nga energjia e importuar. Sipas AREA-s, vendimi për uljen e çmimeve mund të cenojë rëndë interesat e bankave tregtare, që kanë financuar rreth 80% të projekteve të reja të energjisë së rinovueshme.

 

PPP-të në rrugë, vetëm BKT mori përsipër rrezikun

Investimet në infrastrukturën rrugore nëpërmjet PPP-ve u prezantuan me bujë, si e ashtuquajtura “Platforma 1 miliard euro për rindërtim”. Me prezantimin e platformës, vëmendja u zhvendos mbi sektorin bankar, që, sipas skemës së qeverisë duhet të mbështeste me financime këto projekte.

Megjithatë, entuziazmi i qeverisë u ftoh shpejt dhe pjesa më e madhe e projekteve ngelën rrugës ose u shtynë në kohë. Protestat e studentëve, tërmeti i nëntorit 2019 e më tej pandemia, çuan në anulimin e projektit më të madh, Thumanë-Rrogozhinë dhe në shtyrjen e projekteve, Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat.

Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj banka duhet ta marrë vetë përsipër rrezikun e kredisë. Në teori, ky rrezik mund të jetë i ulët, por jo i papërfillshëm, sidomos në skenarët kur shteti, për arsye të ndryshme, mund të ndërpresë kontratën me firmën kredimarrëse.

Pavarësisht nga kjo, sektori bankar ka marrë tashmë përsipër financime të konsiderueshme në projektet e PPP-ve në infrastrukturë. Projekti më i rëndësishëm i PPP-ve në ndërtimin e rrugëve është ai Rrugës së Arbrit, për një vlerë totale afërsisht 40 miliardë lekë. Ky projekt po mbështetet me një kredi të konsiderueshme nga Banka Kombëtare Tregtare. Në gusht të vitit 2018, BKT ka miratuar një hua prej 9.5 miliardë lekësh te kompania “Gjoka 87”, e cila po zbaton projektin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit nëpërmjet një kontrate PPP-je me qeverinë shqiptare. Kjo është kredia më e madhe e miratuar ndonjëherë nga një bankë tregtare në Shqipëri.

Megjithatë, mbështetur në bilancin e kompanisë “Gjoka 87”, deri në fund të vitit 2019, shuma e lëvruar e kredisë ishte vetëm 2.94 miliardë lekë, ose më pak se një e katërta e shumës së miratuar. Për vitin e kaluar, kompania ka paguar gjithsej 167 milionë lekë interesa kredie për bankën.

BKT gjithashtu ka miratuar një kredi prej 28.5 milionë eurosh tek “Albania Highway Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit. Kredia ka një maturim 7-vjeçar dhe interes minimal prej 5%, ndërsa shlyerja e principalit do të fillojë pas vitit të tretë të kontratës. Por, duke iu referuar bilancit të kompanisë, edhe në këtë rast shuma e disbursuar është më e ulët. Deri në fund të vitit 2019, huaja në bilancin e “Albania Highway Concession” kishte vlerën e 1.33 miliardë lekëve, ose rreth 10.7 milionë eurove.

Në dy rastet e mësipërme, garancia kryesore e dhënë nga huamarrësit është vendosja e barrës siguruese mbi aksionet e kompanive, si dhe mbi llogaritë bankare të arkëtimit të të ardhurave nga këto shoqëri.

Projektet e radhës me financim parësor nga buxheti në infrastrukturën rrugore do të jenë rrugët Milot-Balldre, me një vlerë të parashikuar në buxhet prej 31.7 miliardë lekësh dhe Orikum-Dukat, me një vlerë prej afërsisht 10 miliardë lekësh. Të dhënat financiare të firmave kontraktore tregojnë se ato nuk duket të kenë kapital të mjaftueshëm për t’i ndërtuar vetë veprat, ndaj, me shumë të ngjarë, do të detyrohen të kërkojnë burime të jashtme nëpërmjet huamarrjes.

Bankat tregtare kanë një kufi ekspozimi te një klient i vetëm për shuma deri në 20% të kapitalit të tyre rregullator. Në rastin e kredisë së Rrugës së Arbrit, BKT e ka shfrytëzuar pothuajse të gjithin këtë limit. Për bankat e tjera, me përmasa dhe kapital më të vogël, kufiri i ekspozimit do të ishte shumë më i ulët. Në teori, zgjidhja mund të ishte dhënia e kredive të përbashkëta ose sindikale nga një grup bankash. Por, miratimi i kredive të tilla është një proces i gjatë dhe relativisht i ndërlikuar burokratik, për shkak të pjesëmarrjes së disa aktorëve.

 

 

Koncesionet e tjera nuk patën shumë nevojë për kredi

Koncesionet e tjera, të lidhura kryesisht me ofrimin e shërbimeve, përgjithësisht nuk kanë pasur shumë nevojë për mbështetje me kredi bankare. Shumica e tyre e kanë nisur aktivitetin me kapitalet e tyre ose me hua nga kompania mëmë, ndërsa në vijim normat zakonisht të larta të fitimit u kanë mundësuar të punojnë në vazhdimësi me kapitalet e veta. Koncesioni i kontrollit teknik të mjeteve, apo ai i skanimit të kontejnerëve janë mbështetur me financime nga aksionerët.

 

Përjashtim bën një nga koncesionet më të hershme, ai i Aeroportit të Tiranës. Investimet për zgjerimin dhe përmirësimin e aeroportit, si dhe për ndërtimin e rrugës që e lidh me autostradën Tiranë-Durrës u financuan me kredi nga BERZH, DEG, Alpha Bank dhe Intesa Sanapolo (ish-Banka Amerikane e Shqipërisë). Në total, kreditë kishin vlerën e rreth 52 milionë eurove dhe pjesa më e madhe e tyre tashmë janë shlyer. Në fund të vitit 2019, TIA raportonte në bilanc, kredi për më pak se 10 milionë euro.

Një nga rastet e pakta që PPP-të e shërbimeve kanë operuar me kredi bankare ishte koncesioni i dializës. Investimi i aksionerëve në kapitalin e shoqërisë DiaVita nuk ishte më shumë se 1 milion lekë dhe ngritja e aktivitetit të shoqërisë u financua kryesisht nëpërmjet një kredie të marrë në Raiffeisen Bank. Vetëm vitin e kaluar, pak javë para shitjes, aksionerët vendosën të rrisnin kapitalin në rreth 157 milionë lekë, duke kapitalizuar fitimet e tre viteve të mëparshme.

Në shtator 2019, kompania DiaVita u ble nga kompania suedeze Diaverum International AB, që i përket Diaverum Group, sipërmarrje e specializuar në ofrimin e shërbimeve mjekësore për patologjitë e veshkave. Koncesioni i dializës u shit për rreth 3 milionë euro, ndërkohë që ishte themeluar në vitin 2015 me vetëm 1 milion lekë kapital (7 mijë euro me kursin e kohës).

DiaVita u krijua në fund të vitit 2015, me qëllim marrjen e koncesionit të shërbimit të dializës, financuar nga qeveria shqiptare. Ortakët themelues të kompanisë ishin shoqëria Evita me 85% të aksioneve dhe Spitali Amerikan, me 15% të aksioneve.

Bankat, të rezervuara për të folur rreth temës

Revista “Monitor” kërkoi prononcim nga bankat që kanë pjesën më të madhe të portofolit në financimin e koncesioneve dhe PPP-ve, lidhur me ecurinë e deritanishme, sfidat dhe problematikat e kreditimit në këtë segment. Por, me përjashtim të Bankës OTP Albania, që u shpreh e gatshme të jepte një prononcim të përgjithshëm rreth temës, bankat e tjera nuk ishin të disponueshme për t’u përgjigjur. Arsyeja kryesore është debati i ashpër politik rreth koncesioneve dhe PPP-ve dhe shqetësimi se qëndrimet për këto çështje mund të keqinterpretohen. Marrë nga Monitor.al

1 vit nga zgjedhjet e 25 prillit si e shikoni gjendjen e vendit:

View Results

ekonomi ekonomi kreditimi i koncesioneve kreditimi i koncesioneve


Sondazh

Poll

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Fotoja e djalit të porsalindur të Zëvendëspresidentit J.D. Vance publikohet nga Donald Trump

Do mbështesim njëri-tjetrin si miq, deklarata e Jessie J për ndarjen nga Chanan Coleman

Të shtëna me armë zjarri në Elbasan, plagosen tre persona

Mbyllen fjalimet, nis marshimi në rrugët e kryeqyetit: Rama jepe dorëheqjen!

Aktivisti: Nuk jemi nazistë, por jemi shqiptarë të cilët po largohemi çdo ditë

Protestuesi: Kërkojmë largimin e një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar

Aktivisti: Më datë 23 të gjithë para Parlamentit, t’u themi se nuk na përfaqësoni

Dita e 51-të e revoltës/ Protestuesit marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë

“Kryeministri bridh, Taulanti vendos”/ Qytetari: Dalim në protestë për skandalet e qeverisë

Labinot Tahiri mban premtimin, do të ndajë 150 euro me djalin e të ndjerit Shpat Kasapi

Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, vështirësohet qarkullimi i automjeteve

Pse Bebe Rexha u komentua gjerësisht për performancën e saj në Los Angeles për Kupën e Botës?

Yjet që dhuruan spektakël në finalen e kupës së botës

Përplasje mes Bardhit dhe Peleshit: Ky precedent nuk i vlen askujt, si mund ta bllokosh Kuvendin

"Më shiko në sy Sali"/ Çaushi- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Bie zjarr në zonën e Ujit të Ftohtë, flakët favorizohen nga era dhe temperaturat e larta

Tensione në Kuvend, deputetët e PD bllokojnë foltoren, ndërpritet seanca plenare

Rama: Protestat për mjedisin janë arritje e madhe për shoqërinë

"Dyfishohet mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara"/ Rama: Shteti do të paguajë sigurimet

‘O shoku kryetar! Alooo!’ Peleshi përplaset me Korreshit: S’është festivali folklorik!

"Më shiko në sy Sali"/ Zegjineja- Berishës: Dezinformove për reformën dhe për shtëpinë time

Balla- Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë... flamingot e vërteta e braktisën llumin e kënetës

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!