LIVE UPDATES
Politike

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për McGonigal, reagon Gazment Bardhi: Dy standarde në një vendim kushtetues

Në një deklaratë për shtypin, ai pretendon se gjykata ka vepruar për të mbrojtur politikisht kryeministrin Edi Rama dhe ka shpikur argumente për të rrëzuar kërkesën e opozitës.

19 Korrik 2026, 19:00 Nga D.S
Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për McGonigal, reagon Gazment
GAZMENT BARDHI

TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se ka përdorur standarde të dyfishta në vendimin për hetimin parlamentar të çështjes "McGonigal".

Në një deklaratë për shtypin, ai pretendon se gjykata ka vepruar për të mbrojtur politikisht kryeministrin Edi Rama dhe ka shpikur argumente për të rrëzuar kërkesën e opozitës.

Bardhi thekson se në kërkesën e PD-së ishin përcaktuar qartë faktet dhe subjektet që duhej të hetoheshin. Pavarësisht kritikave, ai njofton se opozita do ta riformulojë kërkesën dhe do ta ridepozitojë atë në Kuvend.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI:

"Fundjavë | Reflektime mbi arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 62/2026, për pranimin e hetimit parlamentar për zgjedhjet e 11 majit dhe refuzimin e hetimit parlamentar për çështjen “McGonigal”

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për shkak të rëndësisë që kanë në ruajtjen e kushtetutshmërisë në vend, por edhe në garantimin e balancës mes pushteteve, i marr shumë seriozisht dhe përpiqem t’i analizoj me shumë kujdes.

Mirëpo, ky ishte një nga ato vendime që, pavarësisht se e lexova disa herë, nuk arrita të kuptoja standardin kushtetues që duhet ndjekur. Besoj jo për fajin tim, por qartësisht për faktin se vetë gjyqtarët kushtetues nuk kanë një standard të qëndrueshëm kushtetues.

Është provuar tashmë se kjo trupë gjyqësore i ndryshon standardet sipas çështjes, faktet sipas interesit të momentit, argumentet sipas rrethanave politike dhe dispozitat kushtetuese sipas individëve të përfshirë.

Në vendimin konkret, të njëjtët gjyqtarë kanë një standard për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 11 majit dhe një standard tjetër për hetimin parlamentar të çështjes “McGonigal”. Asnjë habi! Në fund të fundit, nuk kanë dhënë drejtësi kushtetuese, por janë përpjekur të bëjnë politikë, duke marrë në mbrojtje, në mënyrë antikushtetuese, Kryeministrin Edi Rama. Megjithatë, i garantoj se kjo përpjekje do të dështojë dhe se drejtësia do të vihet në vend.

Është bërë tashmë praktikë e njohur e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë të marrë vendime pa dhënë arsyetime të plota.

Sa herë që Gjykata Kushtetuese gjendet në vështirësi për të argumentuar mbrojtjen politike ndaj Edi Ramës, skenari është i njëjtë. Gjyqtarët ndahen në disa grupe dhe asnjëri grup nuk përbën shumicën që do ta detyronte Gjykatën të arsyetonte në mënyrë shteruese vendimmarrjen e saj. Kështu është vepruar edhe me rrëzimin e kërkesës për hetim parlamentar për çështjen “McGonigal”, ku trupa gjyqësore u nda në tri grupe dhe asnjëri prej tyre nuk përbënte shumicën vendimmarrëse.

Në këtë reflektim nuk do të ndalem te tri fjalitë e shkruara nga gjyqtarët kushtetues Genti Ibrahimi dhe Marjana Semini. Në çdo rast, ata janë treguar më të ndershëm, pasi kanë pranuar se, në kërkesën e opozitës, kanë dalluar fotografitë e Edi Ramës me McGonigal dhe kanë mbetur aty. Nuk kanë arritur të lexojnë më shumë sesa ajo që shihet vizualisht.

Për shembull, nuk kanë arritur të lexojnë – ose u ka shpëtuar për shkak të shpërqendrimit – se në kërkesë specifikoheshin faktet dhe grupet e fakteve që tregonin se McGonigal ndodhej në zyrën e Edi Ramës jo thjesht për fotografi apo video, por për të ndërhyrë në një procedurë tenderimi në fushën e hidrokarbureve, duke kërkuar që tenderi të fitohej nga kompania për të cilën lobonin dhe, në këmbim, t’i ofrohej Kryeministrit Edi Rama një sulm i orkestruar ndaj opozitës në Shqipëri.

Nuk kanë lexuar se këtë nuk e pretendon vetëm kërkesa e opozitës, por edhe vendimet e drejtësisë amerikane, dy vendime të formës së prerë të drejtësisë shqiptare, si edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, të cilat ishin pjesë integrale e kërkesës.

Megjithatë, nuk kam ndërmend t’ua ndryshoj shijet dy gjyqtarëve kushtetues. Është e drejta e tyre të pëlqejnë fotografitë dhe videot dhe të ndalen aty, duke mos u kushtuar rëndësi fakteve, të dhënave, vendimeve të drejtësisë amerikane, arbitrazhit ndërkombëtar apo vendimeve të drejtësisë shqiptare.

Ky reflektim do të ndalet te qëndrimi i katër gjyqtarëve, të cilët në këtë rast përbëjnë edhe shumicën: Kryetares së Gjykatës, Fiona Papajorgji, dhe gjyqtarëve Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Kjo për faktin se, sipas tyre, çështja “McGonigal” nuk është fare çështje. Pra, sipas këtij arsyetimi, drejtësia amerikane që e ka hetuar dhe drejtësia shqiptare që prej katër vitesh deklaron se po e heton, paskan sajuar një çështje që, në të vërtetë, nuk ekziston.

Mirëpo, unë besoj se çdo shqiptar që beson te parimi i barazisë para ligjit, te shteti i së drejtës dhe te Kushtetuta e vendit të tij, pret që kushdo që guxon të deklarojë se çështja “McGonigal” nuk është fare çështje, të ndihet të paktën i turpëruar. Kushdo që e thotë këtë nuk asgjëson thjesht faktet; ai asgjëson ligjin dhe Kushtetutën mbi të cilën pretendon se është betuar në fillim të detyrës së tij.

Së pari, katër gjyqtarët kushtetues pretendojnë se çështja “McGonigal” nuk është një çështje e veçantë, sepse, sipas tyre, “objekti i propozuar nuk individualizon me qartësi faktet ose grupin e fakteve që do t’i nënshtroheshin hetimit parlamentar”. Në këtë mënyrë, ata ngatërrojnë me vetëdije objektin e hetimit me planin paraprak të hetimit, i cili, sipas ligjit, paraqitet nga kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, përfaqësues i kërkuesve, në mbledhjen e parë pas ngritjes së komisionit.

Objekti i hetimit përcakton çështjen që hetohet, pra fenomenin shtetëror që do t’i nënshtrohet kontrollit parlamentar. Ndërkohë, individualizimi i detajuar i fakteve dhe grupeve të fakteve bëhet në Planin Paraprak të Hetimit dhe, pas administrimit të të dhënave të para zyrtare, finalizohet në Planin e Hetimit, i cili miratohet me vendim të ndërmjetëm të Komisionit.

Nëse hetimi parlamentar do të kufizohej vetëm te faktet dhe grupet e fakteve që njihen paraprakisht nga kërkuesit, atëherë ai do ta humbiste vetë qëllimin e tij. Faktet që njihen nuk kanë nevojë të hetohen; ato shërbejnë vetëm si indicie të mjaftueshme për ekzistencën e një çështjeje që kërkon hetim parlamentar. Pikërisht kjo çështje përbën objektin e hetimit parlamentar dhe jo faktet apo grupet e fakteve që përmenden për të provuar ekzistencën e saj.

Së dyti, katër gjyqtarët kushtetues kanë shpikur një argument për të mbrojtur Edi Ramën, argument që as vetë shumica parlamentare nuk ka guxuar ta paraqesë si arsye për refuzimin e ngritjes së Komisionit Hetimor.

Detyra kushtetuese e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është të shpikin argumente për të “shpëtuar” Edi Ramën. Detyra e tyre është të kontrollojnë kushtetutshmërinë e argumenteve të paraqitura nga shumica parlamentare dhe të vlerësojnë nëse ato janë ose jo të mjaftueshme për të kufizuar një të drejtë kushtetuese të opozitës.

Në momentin që Gjykata Kushtetuese fillon të ndërtojë vetë argumente për të mbrojtur një palë, ajo humbet parimin themelor që duhet të karakterizojë çdo gjykim kushtetues: paanshmërinë.

Është një guxim i madh që atë që nuk e shpik dot as Taulant Balla për të mbrojtur Edi Ramën, e shpikin gjyqtarët kushtetues Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Detyra e tyre nuk është të konkurrojnë me Taulant Ballën se kush e mbron më shumë Edi Ramën, por të japin drejtësi kushtetuese.

Së treti, katër gjyqtarët kushtetues shprehen se:

"As në kërkesën drejtuar Kuvendit dhe as gjatë shqyrtimit para Gjykatës nuk janë përcaktuar konkretisht veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve shqiptarë që kërkohej të hetoheshin, lidhja e tyre me ushtrimin e funksioneve publike, si dhe mënyra se si ato preknin interesin publik me rëndësi të veçantë shtetërore."

Nëse nga qëndrimi i dy gjyqtarëve të parë arrita të kuptoj se të paktën kishin parë fotografitë që shoqëronin kërkesën, nga ky qëndrim i katër gjyqtarëve arrita në përfundimin se ata nuk e kanë hapur fare kërkesën, e jo më ta kenë lexuar atë.

Në kërkesën prej 14 faqesh të opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen “McGonigal”, pasi paraqiteshin faktet dhe grupet e fakteve, duke u referuar për secilin rast dokumenteve zyrtare përkatëse, thuhej ndër të tjera:

“Faktet dhe të dhënat e mësipërme janë indicie/fakte/grupfakte që Z. Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se është përfshirë në veprimtari të dyshimta, të cilat kishin për qëllim: (i) të dëmtonin interesat e partisë kryesore opozitare (Partisë Demokratike të Shqipërisë), nëpërmjet fillimit të një hetimi penal ndaj lobistit amerikan të angazhuar për kryerjen e veprimtarive të tij; dhe (ii) krijimin e favoreve të parregullta dhe të dyshimta për shtetasin Charles McGonigal, veçanërisht në dhënien e përfitimeve në industrinë e naftës. Për realizimin e këtyre qëllimeve janë zhvilluar një sërë takimesh në periudhën 2017–2018 ndërmjet Z. Edi Rama dhe shtetasve McGonigal, Neza dhe Duçka; janë vënë në dispozicion dokumente dhe informacione nga Zyra e Kryeministrit; janë ofruar 225 000 dollarë, si dhe janë paguar shpenzime udhëtimi dhe akomodimi për shtetasin amerikan McGonigal dhe dëshmitarët, me qëllim ndihmën në hetimin penal ndaj lobistit amerikan të Partisë Demokratike.”

Janë pikërisht këto veprime dhe mosveprime të zyrtarëve shqiptarë që kërkohej të hetoheshin nga Komisioni Hetimor Parlamentar.

Pra, subjekti ishte i përcaktuar qartë: Edi Rama.

Edhe veprimtaria që kërkohej të hetohej ishte e përcaktuar qartë: bashkëveprimi për të orkestruar veprime kundër opozitës në Shqipëri, si edhe përfitimet e dyshuara në këmbim, jo vetëm në formën e pagesave, por edhe të favoreve shtetërore në sektorin e hidrokarbureve.

Së katërti, vlerësoj se do të ishte më e ndershme që katër gjyqtarët kushtetues, në vend që të luajnë rolin e funksionarit publik që nuk lexon ose nuk kupton, apo të funksionarit publik që shpik argumente, të përcaktonin hapur një standard kushtetues, sipas të cilit, sa herë që subjekti i prekur nga gjykimi kushtetues është Edi Rama, kërkesa konsiderohet automatikisht e rrëzuar.

Në këtë mënyrë, do ta kursenin veten nga sikleti, por do të na kursenin edhe ne të tjerëve kohën për t'iu drejtuar kësaj Gjykate.

Në përfundim, pavarësisht sa më sipër dhe pavarësisht se e konsideroj vendimin e Gjykatës Kushtetuese fyes dhe të papranueshëm, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike njeh autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe forcën detyruese të vendimeve të saj.

Për këtë arsye, do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe, bazuar në atë që kemi arritur të mos kuptojmë nga arsyetimi i saj, do të bëjmë çdo përpjekje për t'u futur në logjikën e gjyqtarëve kushtetues. Do ta riformulojmë kërkesën tonë sipas standardit që, me sa duket, ata kërkojnë dhe do ta ridepozitojmë në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për ngritjen e këtij Komisioni Hetimor.

Në këtë mënyrë, do t'u hiqet edhe alibia gjyqtarëve kushtetues për të shpikur argumente në mbrojtje të Edi Ramës. Në të kundërt, do të na duhet të pranojmë se një parim i ri kushtetues – "Edi Rama i paprekshëm" – është tashmë i konsoliduar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese. Në atë rast, të paktën do t'i kursejmë vetes kohën për të ardhmen.", shkruan Bardhi./Dosja.al

gazment bardhi

Sondazh

Poll

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

"Edi Rama spak you"/ Erald Kapri shpërthen në Kuvend: Nuk e shmangni dot thirrjen e protestuesve

Çështja Partizani/ Ish-presidenti Bamir Topi thirret si dëshmitar në SPAK

Berisha- Peleshit: Vasal i Ramës dhe armik i integrimit! Peleshi i heq fjalën: Mu drejto me etikë

Policia largon me forcë ish-luftëtarët e UÇK-së, Dritan Goxhaj dhe Meçan Zotaj

Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi!

Protesta para Kuvendit/ Qytetarët zhvendosen në hyrjen kryesore, presin të mbërrijnë deputetët

Berisha denoncon: Presidenti do të dekorojë Irena Gjokën me titullin ‘heroinë e Partisë Socialiste’

Berisha jashtë SPAK: Kushtetuesja është zotuar për të mos shqyrtuar çështjen time

Berisha tregon mesazhin: Dumani është avokati i narkoshtetit, drejtësia vonon, por nuk harron

Në zbatim të masës “detyrim paraqitje”, Berisha paraqitet në SPAK

Tensione në Komisionin e Jashtëm! Debatet e forta mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën

Nesër protestë para Kuvendit! Paralajmëron protestuesi: Më 23 tubimi i madh

Protestuesi: Nuk ndalojmë deri në largimin e atij që është strukur në Kryeministri

Nis marshimi drejt Kryeministrisë, protestuesit bëjnë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit

Dita e 50-të e protestës/ Nis grumbullimi në sheshin "Skëndërbej"

Kryeministri Rama kryen nderimet në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti

Emigrantët bllokohen në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë, kërkojnë informacion

Pesë turistë gjermanë mbetën të bllokuar në Karaburun, ekipet e shpëtimit bënë të mundur gjetjen

Cili ishte shkaku i vdekjes së aktores së njohur turke Ece Irtem?

Fëmijët e birësuar të Brad Pitt nisin procedurat për të mos mbajtur mbiemrin e të atit

Ish-drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit u la në burg/ Avokati: Vendim absurd

Kuvendi Kombëtar i Protestës/ Folëses i merret mikrofoni nga dora: Edi Rama të japë dorëheqjen

Tentoi te merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të protestës/Selami Jenisherin nxirret jashtë

Berisha: Do bëjmë gjithçka për të paraqitur realitetin shqiptar pranë Komisionit Evropian

Falja e pronave publike në Dhërmi e Palasë/ Berisha: PD nuk do i njohë kurrë këto vendime të Ramës

Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit

Berisha: Ftoj çdo demokrat që të marrë pjesë në protestë dhe të bëjë gjithçka për suksesin e saj

Berisha: Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD që nga themelimi i saj!

“Neomalsorja” i bashkohet protestës së 49-të para Kryeministrisë: Rezistenca e qytetarëve nuk ndalet

Regjisori krijues i Star Wars mbështet Inteligjencën Artificiale

Rama: Deri në 1 mld euro mbështetje për bizneset, kredi deri në 2 milionë euro me interesa të ulëta

Rama i kthehet biznesmenit: Në Shqipëri ka para të pista, por s'mund t'i veshim këtë kostum vendit

Rama i përgjigjet komentuesve: Ka qeveri që bëjnë punë të mira, ka që bëjnë të këqija

Dyfisho sipërmarrjen tënde/ Rama: Cikël takimesh me bizneset e interesuara

Moment paniku në Theth! Guri bie mbi makinë, turistët shpëtojnë pa lëndime

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve:Dua të përcjell mbështetjen e profesoratit

Plagosja me thikë te Poliklinika e Shkodrës, dalin pamjet e rënda!

Si po ecën marrëdhënia mes Ariana Grande dhe ish të dashurit të saj pas ndarjes me Ethan Slater?

Nuk më pëlqen ta ekspozoj jetën time, Benny Blanco rrëfen si po mësohet me jetën e Selena Gomez

Edi Rama përmend vrasjen e Martin Canit: E kujtoj çdo ditë, ata që e përdorën për politikë e harruan

Rama: Kemi hyrë në zemër të problemit, djegia e makinës pas krimit nuk mund të ndodh më

Kush është modelja që u bë virale për ngjashmërinë me futbollistin Erling Haaland?

Kujtimet tona do të jetojnë gjithmonë, mesazhi i Donatella Versace për të vëllain Gianni Versace

Berisha: Dënoj heshtjen prej vasali të qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së ministres së Vuçiçit

Berisha: Drejtimi i PD është ripërtërirë me personalitete ndër më të shquarit në fushat e tyre

Berisha uron drejtuesit e rinj të PD: Vota e lirë në themel të kësaj force politike

Çfarë detajesh tërhoqën vëmëndjen në festimet e ditëlindjes së Jennifer Lopez në Paris?

Salla: Fermeri do ta shohë prodhimin edhe si aset për financim

Përplasje e ashpër në Kuvend/ Bido: Populizëm që dëmton Kosovën

Tentoi të transportonte pistoleta! Kapet në tunelin e Skërficës, 31-vjeçari